1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihmat ndikojnë në zhvillimin e institucioneve të Kosovës

Ajete Beqiraj 3 Korrik 2008

Sot në Prishtinë, u nënshkruan dy marrëveshje në mes të Kuvendit të Kosovës me ambasadën gjermane dhe franceze, për mbështetjen e mëtejshme të parlamentit të Kosovës nga parlamentet gjermane dhe franceze.

https://p.dw.com/p/EVrP
Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i KosovësFotografi: AP
Projekti i AER-it, „Mbështetje e mëtutjeshme Parlamentit të Kosovës“ („Further Support to the Assembly of Kosovo“), në kuadër të së cilit parlamentet kombëtare nga Gjermania, Franca, Belgjika dhe Sllovenia kishin dërguar me mision në Kosovë, një numër të madh ekspertësh, pati përfunduar në janar të vitit 2008. Pas suksesit të arritur dhe me kërkesë të Parlamentit kosovar, qeveritë e vendeve pjesëmarrëse vendosën që edhe në të ardhmen të mbështesin përfaqësuesit e popullit kosovar, gjatë përpjekjeve për reformim dhe për zhvillim të qëndrueshëm të administratës.

„Miratimi i legjislatures se mirë mund të bëhet vetëm me ndihmën e partnerëve profesionistë dhe eksperteve te ndryshëm, çfarë është edhe qëllimi i këtij projekti“-theksoi me rastin e nënshkrimit të marreveshjeve, ambasadori gjerman në Kosovë, Hans Dieter Steinbach.

Zhoal Ahtishar, drejtoreshë e Institutit Kombtar për Studime Krahasuese tha se është e lumtur për lidhjen e urave të reja, që kanë për qëllim zhvillimin e institucioneve demokratike në Kosovë. Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se marrëveshjet e Kosovës me të dyja vendet mike kanë nje domethënje të madhe për Kosovën në përgjithësi dhe për Kuvendin e Kosovës, në veçanti.

„Republika e Kosovës, qenësisht është e orjentuar drejt Bashkimit Evropian dhe integrimeve euroalantike. Prandaj, ndihma të tilla i konsiderojmë si investim në demokratizimin, zhvillimin dhe shpejtimin e procesit të integrimeve“.

Për këtë qëllim, shtetet partnere në muajt e ardhshëm do të sjellin në Kosovë ekspertë të sektorëve të ndryshëm të administratës parlamentare. Pikat e perqendrimit të tyre do të jenë: mbikëçyrja dhe zbatimi i rregulloreve, kualifikimi i mëtejmë i anëtarëve të parlamentit dhe këshilltarëve ligjor, si dhe vendosja efikase e proceseve të punës brenda administratës së parlamentit.