1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihmat për zhvillim - Gjermania vend donator i fuqishëm

15 Korrik 2009

Gjermania bën pjesë ndër aktorët më të rëndësishëm për dhënien e ndihmavë ndërkombëtare për zhvillim. Në shifra absolute vetëm SHBA-s kontribuojnë me më shumë para se sa Gjermania.

https://p.dw.com/p/IpfY
Ministrja gjermane për zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik, Heidemarie Wieczorek-ZeulFotografi: picture-alliance/ dpa

Heidemarie Wieczorek-Zeul është fytyra e politikës gjermane për ndihmat për zhvillimin. Prej 11 vjetësh social-demokratja drejton ministrinë për zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik. Ajo është anëtarja e vetme e kabinetit që ka qëndruar qysh nga koalicioni mes social-demokrateve dhe të gjelbërve në vitin 1998 dhe e ka mbajtur këtë post edhe në koalicionin e formuar prej vitit 2005 mes unionin konservator(CDU/CSU) dhe partisë social-demokrate SPD. Gjatë kësaj periudhe buxheti për ndihmat për zhvillim është rritur nga 0,26 në 0,38 për qind të prodhimit bruto të vendit.

Qëllimet e Mileniumit të OKB-së mbeten pikë e rëndësishme e politikës

Pikë e rëndësishme mbetet kthesa e mijëvjeçarit të miratuar nga 189 shtete si qëllimet e mileniumit të vendosura prej Kombeve të Bashkuara. Si pikë e parë është përgjysmimi deri në vitin 2015 i varfërisë në gjithë botën. Lajtmotivet e tjera janë sigurimi i paqes dhe përkrahja për demokraci, mbrojtja e klimës dhe mjedisit si dhe një organizim i drejtë i globalizimit.

Gjermania ka shpresa tek vendet në ekspansion

Ministrja gjermane për zhvillim Heidemarie Wieczorek-Zeul ka në parim shpresa të mëdha tek vendet në ekspansion. Të tilla konsiderohen në thelb të ashtuquajturat vende të cilat nuk bëjnë pjesë në vendet e fuqishme industrialiste, por që kanë në rajonin e tyre ndikim të madh: "India e cila për vendet e tjera konsiderohet si jostabile, është për rajonin një faktor i rëndësishëm demokratik. Kina mund të luajë një rol, në qoftë se u bashkohet standardeve përkatëse të vendeve të tjera. Vendet të tilla kanë gjithmonë rëndësi pasi ato mund të ndikojnë potencialisht në zhvillim e rajonit te tyre ose edhe ndaj grupeve relativisht te mëdha vendesh të varfëra në zhvillim".

Në qoftë se Gjermania e mbështet Kinën që të rritet edhe më tej ekonomikisht, kjo nga këndvështrimi i qeverisë federale duket vetëm në pamjen e parë kontraditore. Sepse bashkëpunimi i shërben vetëm mbrojtjes së klimës, të ligjeve të punës si dhe dialogut për një shtet ligjor, gjëra që janë po ashtu në interes të Gjermanisë. Bashkëpunimi finananciar klasik është në rastin e Kinës një model i tejkaluar.

Kriteret për ndihmën për zhvillim

Për pjesën më të madhe të vendeve të tjera, të cilat Gjermania i mbështet mbi bazën e marrëveshjeve bilaterale, ka të tjera kritere. Ato marrin ndihma financiare ose për projekte konkrete, si për shembull në bujqësi ose në sektorin e shëndetësisë, ose në të ashtuquajturën ndihma për buxhetin. Këto para janë menduar që të ndikojnë direkt në buxhetin e një vendi marrës. Përdorimi konkret i këtyre mjeteve financiare do të kontrollohet rregullisht, theksoi ministrja gjermane për zhvillim: "Kjo mund të çojë në rast ekstrem, që mjetet duhet të kthehen mbrapsht. Dhe po ashtu mund të ketë bllokim të mjeteve për një afat të shkurtër. Një pjesë e kritikave ndaj buxhetit për ndihma, sipas mendimit tim nuk janë menduar sa duhet deri në fund. Pasi në qoftë se bëhet i nevojshëm bllokimi i parave, kjo është shumë më e vështirë të bëhet për një projekt të vendosur, sesa mund të bëhet në një afat të shkurtër në rast se qeverisë që merr ndihma të tilla i mungon përgjegjësia".

Afganistani - një vend i rëndësishëm i ndihmave gjermane për zhvillim

Një tjetër pikë e rëndësishme e ndihmave gjermane për zhvillim, prej vitesh është Afganistani. Luftimi i varfërisë dhe ndërtimi në kohë afatgjatë I strukturave shtetërore të drejtësisë në një vend të rrënuar nga lufta dhe terrori kanë prioritet në politikën gjermane për zhvillim.

Në plan të parë qëndron vazhdimisht angazhimi humanitar, thotë Heidemarie Wiezoreck-Zeul: "Gjermania dëshiron edhe në kohën e krizës botërore ekonomike dhe financiare të vazhdojë angazhimin e saj politik për zhvillim, dhe sipas mundësive ta përforcojë atë."

Si sinjal për këtë qeveria federale në kuadër të programit të saj kombëtar për stimulimin e ekonomisë ka siguruar për Bankën Botërore 100 milionë euro. Me këto para do të ndihmohen financiarisht projektet që janë në rrezik.

Autorë: Marcel Fürstenau/ Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Sonila Harasani