1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshon përbërja dhe emërtimi i ish – delegacionit të Parlamentit Evropian për vendet e Europës Juglindore

Viron Gjymshana19 Shtator 2004
https://p.dw.com/p/ArGS
Fotografi: AP

Ndryshimet e gjithanshme që janë shkaktuar në përbërjen e Parlamentit Europian që pas zgjerimit të BE-së, me eurodeputetë edhe nga 10 vendet e reja anëtare, janë pasqyruar edhe në përbërjen e delegacioneve të PE-së për vendet e treta. Ndryshime të dukshme ka pësuar me këtë rast edhe delegacioni i Parlamentit Europian për vendet e Europës Juglindore. Madje ndryshimi ka filluar që nga emërtimi i tij : ky delegacion nuk do të quhet më tani si ai i vendeve të Europës Juglindore por thjesht si delegacioni i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Bosnjën dhe Federatën serbo-malazeze duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Shkaku i këtij ndryshimi në emërtim dhe përbërjen e tij, qëndron në zvogëlimin e numrit të vendeve të tij përbërëse. Dy vende të Europës Juglindore, përkatësisht Kroacia dhe Maqedonia, i janë « përvjedhur » tashmë këtij delegacioni, duke formuar me Parlamentin Europian delegacione të veçanta, që nuk bëjnë më pjesë në delegacionin e Parlamentit Europian që mbulon marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjën dhe Federatën serbo-malazeze. Ky largim i Kroacisë dhe Maqedonisë nga karvani i vendeve ballkanike spjegohet me hopin e tyre cilësor në afrimin me Bashkimin Europian. Të dy këto vende kanë fituar tani statusin e vendeve të asociuara ose të bashkëngjitura me BE-në, krejt ndryshe nga marrëdhëniet statutore që Shqipëria, federata serbo-malazeze dhe Bosnja kanë në këtë stad me BE-në.

Deri më tani është bërë e njohur se eurodeputetët që do bëjnë pjesë në delegacionin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Bosnjën dhe Federatën serbo-malazeze do të jenë 15, një pjesë e të cilëve vijnë nga vendet e reja anëtare të BE-së, kryesisht nga ato të vendeve të ish Europës së Lindjes. Por njëkohësisht ka rënë në sy që në krahasim me delegacionin e legjislaturës së mëparshme në përbërjen e delegacionit të ri nuk do të marrin pjesë disa nga figurat e mëparshme që kanë pasë rënë në sy me përkushtimin e treguar në zgjidhjen e konflikteve që kanë pasë shpërthyer gjatë 10 vjetëve të fundit në ish federatën jugosllave, siç kanë qënë eurodeputeti hollandez Lagendajk, austriaku Ostlander, italianët Giorgjio Lisi dhe Vincenzo Lavarra etj. Megjithatë është pothuajse e sigurt se eurodeputetja kristian demokrate gjermane, Doris Pack. Ndër eurodeputetët e njohur, që kanë qënë anëtarë të këtij delegacioni edhe në legjislaturën e kaluar tërheqin vëmendjen edhe emri i baroneshës britanike Sarah Ludford, i socialdemokratit austriak Johaness Svoboda si dhe i italianes, Adriana Poli Bortone.