1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ne treguam, se ç'potencial kemi"

24 Dhjetor 2015

Kriza e refugjatëvë është në qendër të fjalës së presidentit Joachim Gauck me rastin e Krishtlindjeve. Me dialog tani duhet të gjenden zgjidhjet, që t'u përgjigjen normave etike dhe të mos rrezikojnë unitetin social.

https://p.dw.com/p/1HSU3
Deutschland Weihnachtsansprache von Bundespräsident Joachim Gauck
Fotografi: picture-alliance/dpa/T. Schwarz

Presidenti Joachim Gauck fjalën tradicionale drejtuar gjermanëve me rastin e Krishtlinjedve e lidhi me një "inkurajim të urtë". Libri i shenjtë i kristianëve bën fjalë "se në periudhën e Krishtlindjeve tregohet dashuria e Zotit për njeriun". "Eshtë bukur të rrethohesh nga kjo dashuri për njeriun", tha Gauck. "Por edhe më bukur është, që ta jetosh vet këtë dashuri për njeriun dhe ta përçosh atë në botën tonë."

Fillimisht Gauck falenderoi ata, që kanë ndihmuar në përballimin e krizës së refugjatëve, qoftë vullnetarisht apo për hir të profesionit. "Ne treguam, se çfarë potenciali kemi në vetvete - vullnet të mirë, profesionalitet, por edhe art improvizimi." Pikërisht edhe ata shumë ndihmës vullnetarë kanë dhënë sot "imazhin e vendit të ngrohtë e njerëzor".

Liria e mendimit është pjesë e demokracisë

Por Gauck u ndal edhe tek "debati i nxehtë aktual" lidhur me sjelljen ndaj refugjatëve në Gjermani. "Si duam të veprojmë ne me refugjatët, që kërkojnë qendrim dhe të ardhme në vendin tonë?" Presidenti këshillon: "Vetëm me disktuime dhe debate të hapura ne mund të gjejmë zgjidhje, të qendrueshme afatgjatë dhe që mund të mbështeten nga mazhorancat." Debati mbi mendimet e ndryshme nuk është trazuesi i bashkëjetesës, por pjesë e demokracisë. Pikërisht qytetarët aktivë janë shpesh, ata që tërheqin vëmendjen ndaj problemeve të pazgjidhura. E qartë është gjithashtu edhe se dhuna dhe urrejtja nuk janë mjete legjitime në përballjen e mendimeve.

Tani duhen gjetur zgjidhje, që t'u përgjigjen "normave etike" dhe "të mos rrezikojnë bashkëjetesën sociale", që "të marrin parasysh të mirën e qytetarëve vendas, por duke mos i harruar refugjatët në nevojë". Qytetarët dhe politikanët bashkarisht duhet të mbrojnë, atë çfarë "e bën vendin tonë demokratik të vlefshëm për të jetuar dhe për ta dashur atë".

Frikë dhe pasiguri

Viti 2015 në retrospektivë u karakterizua në masë të madhe nga fatkeqësi, dhunë, terror dhe luftë. Kjo ka shkaktuar shpesh edhe frikë e pasiguri. Shumë kriza pasuan njera-tjetrën, shumë vazhdojnë ende: kriza financiare, mosmarrëveshjet në rritje në BE, debati për të ardhmen e Greqisë. Gauck përmendi edhe Ukrainën, Sirinë, Afganistanin dhe rajonet e Afrikës të kërcënuara prej terrorit.

Një përshëndetje të veçantë presidenti u drejtoi në fjalën e tij nga rezidenca presidenciale në kështjellën Bellevue në Berlin ushtareve dhe ushtarëve të Bundeswehrit, të cilët janë në mision "në luftën e rrezikshme kundër rrënjëve të terrorit".