1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180510 Zug Balkan

22 Maj 2010

Procesi i pajtimit mes dy etnive vazhdon. Një shenjë e qartë e kësaj është linja hekurudhore mes dy kryeqyteteve, Sarajevë dhe Beograd, vënë në punë që prej gjashtë muajsh. Linja qëndroi e ndërprerë për dy dekada.

https://p.dw.com/p/NUgW
Linja hekurudhore mes Sarajevës dhe Beogradit, është vënë në punë para gjashtë muajsh.
Linja hekurudhore mes Sarajevës dhe Beogradit, është vënë në punë para gjashtë muajsh.Fotografi: DW

Në 12 korrik përkujtohet përvjetori i 15-të i gjenocidit në Srebrenicë. Në fund të marsit parlamenti serb dënoi masakrën e serbëve boshnjakë ndaj myslimanëve boshnjakë në Bosnje-Hercegovinë. Ndërkohë procesi i pajtimit mes dy etnive vazhdon. Një shenjë e qartë e kësaj është linja hekurudhore mes dy kryeqyteteve, Sarajevë dhe Beograd, vënë në punë që prej gjashtë muajsh. Kjo linjë qëndroi e ndërprerë për dy dekada me radhë. Por treni simbolik ka mbërritur në realitetet e vështira ballkanike.

Stacioni i trenit në Sarajevë.
Stacioni i trenit në Sarajevë.Fotografi: DW

Treni për në Beograd nuk do të niset nesër, bën të ditur kalimthi kryetari i kryesisë së hekurudhës boshnjake në Sarajevë. Punëtorët e hekurudhës janë në grevë, thotë Narcis Dzumhur, djalë i një familjeje prej vitesh të punësuar në hekurudhë, gati për të dalë në pension. Me një cigare dhe me kafenë tipike turke, Dzumhur betohet se nuk ka ç'të bëjë, kur punëtorët e tij paguhen me disa muaj vonesë. Qeveria, pronari nuk kanë para, shkak kriza financiare. Në të njëjtën kohë shoqëria e hekurudhave e pjesës kroato-boshnjake të Bosnje-Hercegovinës investon 70 milionë euro në trena të shpejtësisë së lartë. Ata në të ardhmen do të zvogëlojnë kohën e udhëtimit nga Sarajava në Beograd në katër orë.

Dzumhur: "Qëllimi ynë është që të bashkojmë si familjet e ndara nga lufta dhe dëbimi, ashtu edhe të përmirësojmë marrëdhëniet mes njërëzve të biznesit në këto tre vende."

Hekurudha të çon nga pjesa boshnjake e federatës përmes pjesës serbe të Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë lindore në kyreqytetin serb. Në çdo kufi, edhe në kufirin mes dy pjesëve të Bosnjes, ndërrohen si lokomotiva ashtu edhe personeli. Udhëtimi zgjat 8 orë e 45 minuta-për një gjatësi prej 450 kilometrash. Bileta më e lirë kushton rreth 17 euro.

Stacioni i trenit në Beograd.
Stacioni i trenit në Beograd.Fotografi: DW

Nuk është për t'u çuditur që shoqëria e hekurudhave nuk mund të paguajë rrogat, thotë fatorino, Hajrudin. "Nga pikëpamja ekonomike ky tren nuk përbën asnjë interes, sepse nuk sjell ndonjë përfitim. Nuk udhëtojnë shumë njerëz me të, që të mbulohen shpenzimet për udhëtimin nga Sarajeva në Beograd. Bëhet fjalë më shumë për politikë. Ka të ngjarë që ka edhe ai rëndësinë e vet, për hir të marrëdhënieve mes njërëzve dhe popujve, për të ndërtuar ura mes nesh."

Boshnjaku Hajrudin nga ana e tij nuk mund të bëjë shumë për ndërtimin e këtyre urave. Fatorinoja nuk arrin të shkojë deri në Beograd, pasi në Doboj, në stacionin e parë të pjesës së Republikës boshnjako-serbe, ai i dorëzon trenin kolegëve boshnjako-serbë. Nuk kemi probleme, thotë ai, respektohen vetëm formalitetet.

Në Doboj dëgjohen vërshëllima, përplasje dhe uturima. Lokomotiva lidhet me vagonët, motorët ndizen. Burrat veshur me uniforma blu hedhin një vështrim të fundit në dokumenta. Një zotëri me një beretë të kuqe përshëndet me dorë. Me ngadalë lokomotiva vihet në lëvizje. Me më shumë se një orë vonesë merret më në fund drejtimi verior.

Normalisht treni ndërlidhës për qytetet me numrin 258, ka tre vagonë, njërin nga pjesa boshnjako-kroate, tjetrin nga ajo boshnjako-serbe, dhe i fundit i përket shoqërisë serbe të hekurudhave. Vagoni boshnjak mungon këtë ditë për shkak të grevës. Në tren ku ofrohen vende për 158 vetë, ulen jo më shumë se një dyzinë njerëzish. Në restorantin e vagonit ofrohen pije dhe ushqime të thata. Shefi i restorantit, Rade kujton kohët e vjetra, para luftës jugosllave: "Udhëtarët janë gjithmonë të kënaqur dhe shprehin keqardhjen pse treni është kaq bosh. Më të vjetrit kujtojnë kohët kur ky tren ishte plot. Në atë kohë njerëzit kishin punë."

Shefi i restorantit, Rade kujton kohët e vjetra, para luftës jugosllave.
Shefi i restorantit, Rade kujton kohët e vjetra, para luftës jugosllave.Fotografi: DW

Asokohe - është fjala për vitet tetëdhjetë. Shteti shumëkombësh jugosllav i kishte ende punët mirë. Sarajeva ishte qyteti mikpritës i lojërave olimpike në vitin 1984. Atëherë treni elegant "Olympic express" i çonte tregtarët dhe turistët nga Beogradi në Sarajavë në vagona të mëdhenj të rregulluar mirë.

Sot nuk udhëton askush direkt nga Sarajeva në Beograd

Momiri ka hipur në stacionin e Dobojit. Serbi boshnjak, në mesin e dyzetave punon në shoqërinë e hekurudhave dhe udhëton falas: "Dogana jonë, pastaj tjetra, pastaj ajo në Serbi...treni qëndron shumë shpesh, udhëtimi zgjat për këtë arsye shumë, dhe kjo është problem. Por ne duhet të lidhemi, të udhëtojmë nëpër botë. Nuk mund të jetojmë sikur jetojmë pas një gardhi."

Në bregun kroat të Savës, në qytetin Samac, Momiri që ka si bagazh vetëm një qese me vete, është i vetmi që kontrollohet nga policia kufitare kroate. Ndërkohë që ndërrohet lokomotiva, policët japin me radiomarrëse njoftimin se personi i kontrolluar nuk është person i kërkuar për krime lufte.

Pas një kontrolli tjetër, treni ndërkombëtar lëviz si një tren shëtitës ngadalë nga Sava në Danub. Në Beograd mbërrijmë në mbrëmje me më shumë se një orë vonesë dhe të lodhur. Mëngjesin tjetër, aktivisti për paqen, Nenad Vukosavljevic nuk do t'ia dijë për simbolikën e një treni të tillë. "Të ndërtosh marrëdhëniet sigurisht është e mundur dhe pavarësisht nga rifillimi i punës së linjës hekurudhore, por është e trishtueshme që ky tren për një udhëtim të tillë të merr kaq kohë, dhe ndërron aq shpesh lokomotivat. Ky është thjesht një tregues jo i mirë. Nuk dua të mas gjendjen e marrëdhënieve mes vendeve tona me një tren të tillë."

Vukosavljevic udhëton si shumë serbë, boshnjakë dhe kroatë të tjerë në rajon me makinë.

Autor: Filip Slavkovic/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama