1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga idili i gardhit të oborrit e në xhihad - terroristët e rritur në Gjermani

4 Mars 2010

Deri me 12 vjet heqje lirie u dënuan terroristët e grupit të Sauerlandit. Ata kishin planifikuar ndërtimin e bombave, që do të shpërthenin në kazerma amerikane, diskoteka dhe aeroporte.

https://p.dw.com/p/MJ3m
Ata quhen Fritz, Daniel, Thomas ose Peter.
Ata quhen Fritz, Daniel, Thomas ose Peter.Fotografi: picture-alliance/dpa

Ata quhen Fritz, Daniel, Thomas ose Peter dhe janë gjermanë të lindur, që u konvertuan në fenë islame. Por ata quhen edhe Omar, Atilla, Ade, ose Bekkay dhe kanë sfond migrimi. Organet gjermane të sigurisë e llogarisin me mbi 100 numrin e islamistëve radikalë, të gatshëm për dhunë, që janë radikalizuar në Gjermani. "Homegrown terrorism", e quajnë këtë specialistët, që mund të përkthehej, terroristë të rritur në vend.

Radikalizimi zhvillohet para së gjithash në dy rrugë: Nëpërmjet internetit dhe nëpërmjet prediskuesve radikalë, të cilët brenda grupit më të madh të të interesuarve islamikë-fondamentalistë përzgjedhin ata, që iu duken veçanërisht të përshtatshëm për "luftën e shenjtë", të vetëshpallur.

Por ata quhen edhe Omar, Atilla, Adem ose Bekkay.
Por ata quhen edhe Omar, Atilla, Adem ose Bekkay.Fotografi: AP

Al-Kaida e ka kuptuar forcën e propagandës në internet

Në internet ndodhen faqe, që quhen për shembull "Koha e Martirëve" dhe në të cilat glorifikohet lufta kundër të pafeve, ose bëhet thirrje për mbështetje. Meshkujve kryesisht të rinj këto video iu japin një ndjenjë fuqie. Me sa duket ata nuk e gjejnë këtë në jetën e përditshme në Gjermani, supozojnë ekspertët e shërbimeve informative gjermane. Al-Kaida dhe të tjerë i kanë kuptuar me kohë mundësitë dhe rrezen e veprimit të kësaj propagande, thotë prokurori federal Rainer Griesbaum, drejtor i sektorit për terrorizmin pranë prokurorit të përgjithshëm federal: "Po ne i njohim direktivat e Al-Kaidës: Një shtyllë operative, pra shtylla e atentateve; një logjistike, pra shtylla e financimit ose e rekrutimit dhe shtylla propagandistike, që në epokën e internetit ofrohet në mënyrë propagandistike."

Videot në internet tregojnë një përzierje vargjesh gjoja të qarta të kuranit, filma nga skena lufte në Irak ose Afganistan, pamje nga Abu-Ghuraibi dhe Guantanamoja. Dhe ato glorifikojnë luftëtarët e zotit, si në këtë mesazh me video të vitit 2009, në të cilin glorifikohen atentatorët e 11 shtatorit: "Ishte 11 shtator, 19 burra të virtytshëm, i shkatërruan të pafetë!"

Katër të rinj kishin planifikuar me 700 litra peroksid hidrogjeni ndërtimin e bombave, që do të shpërthenin në kazerma amerikane, diskoteka dhe aeroporte.
Katër të rinj kishin planifikuar me 700 litra peroksid hidrogjeni ndërtimin e bombave, që do të shpërthenin në kazerma amerikane, diskoteka dhe aeroporte.Fotografi: AP

Me videot synohet të minohen edhe integrime të suksesshme

Al-Kaida dhe grupe të tjera përpiqen me aftësi që me këto video të minojnë edhe integrime të suksesshme familjesh me sfond migrimi: Ata iu përcjellin të rinjve myslimanë të brezit të dytë ose të tretë ndjenjën se prindërit e tyre me përshtatjen ndaj shoqërisë gjermane kanë tradhëtuar fenë e "vërtetë" islame dhe iu ofrojnë një alternatië radikale. Prandaj jo rrallë të rinjtë janë në konflikt me familjen e prindërve. Shihet dukshëm, se shumë familje të të dyshuarve për terrorizëm në Gjermani bëjnë një jetë të theksuar laike dhe nuk e praktikojnë shumë ose aspak besimin e tyre.

Këtyre iu shtohet një grup i vogël të konvertuarish radikalë, gjermanë me prejardhje nga shtresa e mesme. Si Fritz Gelowicz dhe Daniel Schneider, që bëjnë pjesë tek të paditurit e Grupit të Sauerlandit.

Në fund ka edhe një grup të tretë, që iu krijon hetuesve shqetësimet më të mëdha: Janë të ashtuquajturit "xhihadistë kolltuku" ose "lonesome wolfs", njerëz që radikalizohen vetë në internet, pa pasur kontakt personal me islamistët apo me predikuesit radikalë.

Autor: Holger Schmidt / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama