1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Universiteti i ekselencës në Bremen

Heike Zeigler / Eliana Xhani19 Prill 2013

Lëndina dhe bujqësi ishte pamja që ofronte kampusi i Bremenit, përpara se atje të ngrihej një universitet me 20.000 studentë. Sot përreth universitetit elitar janë vendosur më shumë se 400 sipërmarrje e institucione.

https://p.dw.com/p/18Jal
Fotografi: picture-alliance/dpa

Atje ku sot ngrihet Universiteti i Bremenit, jo më larg se 40 vjet më parë kullotnin lopët. Në Bremen e theksojnë me kënaqësi faktin që universiteti është ngritur në periferi të qytetit mes pyllit dhe autostradës, mbi një kullotë të dikurshme lopësh. Nga blegtoria në një universitet të nivelit më të lartë. Një imazh i tillë shitet mirë, edhe në garën për titullin e ekselencës.

Mesatar dhe i fortë financiarisht

Robot zhytës në veprim
Robot zhytës në veprimFotografi: picture alliance/dpa

Plot 40 vjet pas themelimit Universiteti i Bremenit numëron sot gati 20.000 studentë dhe rreth 250 pedagogë. Kështu ai bën pjesë vërtet vetëm tek universitetet me madhësi mesatare në Gjermani, por në vend të tretë sa i takon volumit të mjeteve financiare nga të tretë. Kjo do të thotë që ai mbështetet financiarisht edhe nga sipërmarrje private. Më shumë se 90 milionë euro në vit merr universiteti nga Federata, BE-ja, Shoqata gjermane e Kërkuesve dhe nga ekonomia private, për kërkime të porositura.

Bashkëpunim në teknikë dhe punë kërkimore

Prej rreth 20 vjetësh përreth kampusit rritet një park teknologjik. Më shumë se 400 sipërmarrje dhe institute kërkimore janë vendosur direkt pranë universitetit. Një dendësi të tillë institutesh që angazhohen për teknologji dhe kërkim, e kanë vetëm pak qytete të tjera në Gjermani. Universiteti i Bremenit bashkëpunon në veçanti me një institut të bashkësisë Helmholtz, një institut të shoqatës Max Planck dhe një institut të bashkësisë Leibnitz, si dhe me Universitetin Oldenburg dhe Universitetin Jacobs në Bremen. Ky bashkëpunim në fushën e kërkimit në të ardhmen do të intensifikohet edhe më tej.

Kjo mundësi i jepet tani Universitetit të Bremenit me 45 milionë euro që përfiton gjatë pesë viteve të ardhshme pas fitores në garën për titullin „universitet elitar“. Me mjetet financiare universiteti i ri i ekselencës synon të vërë në jetë „me ambicie dhe shkathtësi“ të ashtuquajturin koncept për të ardhmen, një strategji zhvillimi për gjithë universitetin. Këtu bëjnë pjesë në veçanti një qendër ekselence dhe një shkollë doktorandësh.

Një qendër ekselence dhe një shkollë doktorandësh

Dikur në kampusin e universitetit kullotnin lopët
Dikur në kampusin e universitetit kullotnin lopëtFotografi: Universität Bremen

Synimi i qendrës së ekselencës „Oqeani në sistemin Tokë – MARUM“ është të kuptojë më mirë rolin e oqeanit në sistemin global të Tokës. Për këtë shkencëtarë të qendrës punojnë së bashku me kolegë të qendrës kërkimore „Cepat e oqeanit“ të Shoqatës Gjermane të Kërkimeve dhe struktura kërkimore jashtë universiteteve. Me robotë zhytës dhe sistem kamerash ata studiojnë brigjet detare dhe rrëpirat e skajeve të kontinenteve, të cilat deri tani në masë të madhe nuk janë studiuar.

"Bremen International Graduate School of Social Sciences" (BIGSSS) është themeluar që në vitin 2007 së bashku me Universitetin Jacobs dhe tani do të mbështetet më fort me mjete financiare në kuadër të nismës së ekselencës. BIGGS orientohet tek universitetet kërkimore të Amerikës së Veriut dhe formon brezin e ri të shkencëtarëve në shkencat sociale. Me ofertat në gjuhë angleze shkolla e doktorandëve në Bremen kërkon të jetë tërheqëse edhe për të rinj jashtë Gjermanisë.

Mbështetje më e mirë për brezin e ri të shkencëtarëve

Mbështetje më e fortë për shkencëtaret.
Mbështetje më e fortë për shkencëtaret.Fotografi: Universität Bremen

Me fondet nga nisma e ekselencës universiteti synon të çojë përpara edhe mbështetjen për shkencëtaret. Universiteti që tani ka relativisht shumë gra si titullare katedrash në krahasim me pjesën më të madhe të universiteteve në Gjermani. Ligji i Bremenit për barazinë gjinore ka dhënë mjaft ndihmesë në këtë aspekt, por edhe rektorati i universitetit. Me paratë nga nisma e ekselencës do të rekrutohet personel i ri për drejtimin e katedrave dhe për këtë universiteti mbështet para së gjithash aplikimet nga gratë.

Brezin e ri të shkencëtarëve, femra dhe meshkuj, universiteti synon t'i mbështesë edhe me anë të një planifikimi më të mirë të karrierës akademike. Kështu në vitin 2001 universiteti, si i pari në Gjermani futi të ashtuquajturën „Perspektivë e Bremenit“ për shkencëtarët e rinj. Ajo u ofron profesorëve të rinj perspektivën për të aplikuar më lehtë për një vend të përhershëm në universitetin e Bremenit. Kështu edhe në të ardhmen, atje ku dikur kullotnin lopët, mund të punojnë në kërkim dhe mësimdhënie të rinj të kualifikuar mirë nga brenda dhe jashtë Gjermanisë.