1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga një nismë e papritur në paralizë - Një vit pas dorëzimit të pushtetit në Irak

Bjërn Blashke28 Qershor 2005

Më 1 maj 2003 presidenti i SHBA, Xhorxh Bush, deklaroi zyrtarisht fundin e luftimeve në Irak. Gati 14 muaj më vonë (28.06.2004) administrata civile e SHBA për Irakun ia dorëzoi pushtetin qeverisë së tranzicionit nën kryeministrin Ijad Allavi. "Unë ndahem me besim nga Iraku", deklaroi asokohe administratori civil i SHBA Paul Bremer, përpara se të largohej nga Bagdati. Të martën (28.06) për herë të parë përkujtohet një vjetori i dorëzimit të pushtetit në Irak. Ndonëse arritja më e madhe gjatë vitit të kaluar ishin zgjedhjet e para të lira dhe demokratike, në Irak ende nuk janë vendosur paqja e siguria.

https://p.dw.com/p/AqkH
Atenat në Kirkuk më 14 qershor 2005
Atenat në Kirkuk më 14 qershor 2005Fotografi: AP

Ishte pasditja e 28 qershorit 2004, ndërsa Ibrahim al Xhafari bëri betimin përpara zëvendës-presidentit të përkohshëm. Orët përpara kësaj ishin kaotike dhe plot tension. Qysh në mëngjes herët në Irak, në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën u përhapën fjalët, se forcat pushtuese do t´i dorëzojnë Irakut sovranitetin. Gjithçka duhej të ndodhte shpejt. Dy ditë përpara planifikimit. Agjencitë e lajmeve ishin në tension, mediet spekulonin dhe politikanët brenda dhe jashtë vendit komentonin. Por askush nuk dinte asgjë të saktë. Derisa erdhi deklarata e administratorit civil të SHBA, Paul Bremer: "Pushtimit i jepet fund. Qeveria irakiane e tranzicionit së shpejti do të ushtrojë pushtetin e plotë dhe sovran për popullin irakian. Për ne janë të mirëseardhura hapat e Irakut drejt kombeve të lira të botës."

Më pas Paul Bremer u largua nga Iraku. Ish-administratori, që në Irak vishej gjithmonë me kostum të zi me rriga dhe me çizme kafe, ua dorëzoi irakianëve detyrat e pushtetit dhe gjetjen e përgjigjeve. Njëra nga çështjet ishte: përse ky kalim i papritur i sovranitetuit? Hamid al-Bayati, ish-zëvendësministër i jashtëm, përpara një viti deklaroi: "Ka pasur informacione të shëbrimeve sekrete, sipas të cilave terroristët planifikonin sulme për të dëmtuar transferimin e kompetencave të pushtetit. Ndaj ne e përshpejtuam procesin për të penguar terroristët. Gjithashtu u bë e qartë, se irakianët ishin të gatshëm që prej kohësh për të marrë mbi vete përgjegjësinë për sigurinë e shtetit."

Kryeministri i qeverisë së tranzicionit, Iajd Alavi, në një konferencë shtypi 28 qershorin 2004 e cilësoi si një ditë të madhe për irakianët. Në një fjalim drejtuar kombit irakian si një burrë shteti ai deklaroi: "Programi ynë është besimi që kam, se ne do të arrijmë në të ardhmen paqen dhe stzabilitetin. Nuk dua të jap premtime boshe. Por ne duhet të pranojmë faktet dhe të punojmë ndershmërisht së bashku për një të ardhme të mirë të popullit tonë."

E ardhmja nisi menjëherë pas këtij fjalimi: Allavi iu kundërvu dhunës në Irak me dhunë. Fillimisht ai rivendosi dënimin me vdekje që qe shfuqizuar prej Paul Bremerit. Urdhëri i Allavit u pasua nga operacione të nëjëpasnjëshme ushtarake në ndjekje të terroristëve. Ai dekretoi ligje për gjendje të jashtëzakonshme dhe i futi në fuqi ato në vjeshtën e vitit 2004. Dhuna nuk pati të reshtur. Rindërtimi i vendit mbeti në vendnumëro. Ijad Allavi, burri i fortë i Irakut të ri dështoi.

Kjo u reflektua edhe në rezultatet e zgjedhjeve të para të lira paralmentare që u zhvilluan në fund të janarit. Prej tyre doli fituese një aleancë shiite. Prej kësaj erdhi në pushtet edhe një kryeministër i ri: Ibrahim al-Xhafari, i cili në fund të qershorit 2004 u vendos në postin e zëvendëspresidentit. Më 3 maj - tre muaj pas zgjedhjeve - al Xhafari bëri betimin.

Shumë njerëz, që shpresonin, se zgjedhjet për parlamentin e përkohshëm do të sillnin stabilitet dhe reduktimin e dhunës, u zhgënjyen. Dhuna po intensifikohet gjithnjë e më shumë: atentatet e kamikacëve dhe të tjera sulme vazhdojnë të jenë në rend të ditës në Irak. Tek al Xhafari dhe kabineti i tij nuk duket të ketë një linjë të qartë politike. Atmosfera e një fillimi të ri përpara 12 muajsh tashmë është paralizuar, dhe prej saj ka mbetur një kaos sovran.