1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga themelimi deri tek reforma - 60 vjet OKB

Klaus Dahman24 Tetor 2005

Përpara 60 vjetësh - më 26 qershor 1945 - përfaqësuesit e 50 shteteve në San Françisko nënshkruan Kartën e OKB-së. Më 24 tetor 1945 hyri në fuqi Karta e OKB-së

https://p.dw.com/p/AqiB
Logoja e OKB-së
Logoja e OKB-së

Dështimi i Lidhjes së Kombeve

Organizata paraardhëse e Kombeve të Bashkuara dështoi në mënyrë të vajtueshme, sepse ajo kishte një pikë të dobët: fuqitë e mëdha nuk dëshironin të merrnin pjesë në Lidhjen e Kombeve, që ishte themeluar pas Luftës së Parë Botërore. Lidhja e Kombeve ishte e pafuqishme në kohën që Gjermania dhe Japonia nxitën Luftën e Dytë Botërore. Xhef Laurenti, ekspert i OKB-së në fondacionin Century thotë: "Mësimi që nxorri nga ky dështim Lidhja e Kombeve është se fuqitë e mëdha si ShBA dhe Bashkimi Sovjetik nuk mund të qëndronin jashtë luftës, me shpresën, se bota do t'a vendoste vetë sigurinë dhe paqen. Këto shtete u përpoqën të mos merrnin pjesë në luftë, por befas u bënë pjesë e një sulmi jo të provokuar."

Ish presidenti i SHBA-së, Frenklin Rusvelt që në kohën e luftës ndërmori iniciativën. Ai e dinte që për të pasur një organizatë botërore kishte nevojë për bashkëluftëtarë të fortë. Në fillim ai u konsultua me kryeministrin britanik Uinston Çurçill dhe më pas ftoi dhe Kinën dhe Bashkimin Sovjetik në tryezën e bisedimeve. Këto shtete skicuan në shtator të 1944 bazat për organizatën që do të themelohej një vit më vonë në San Francisco. Eduard Stetinius, ministër i jashtëm në periudhën e qeverisjes së Rusveltit tha pas përfundimit të luftës: "Ne duam t´ju kujtojmë se Gjermania mundi të mposhtej, sepse Kombet e Bashkuara i bashkuan fuqitë e tyre për një qëllim të përbashkët. Paqja do të jetë vetëm atëherë e qëndrueshme, kur këto shtete do të qendrojnë të bashkuara. Duhet krijuar organizata për të cilën jemi mbledhur këtu për të diskutuar."

Themelimi i OKB-së

Rusvelti, Çhurçilli dhe Stalini donin të mënjanonin mundësinë që Kombet e Bashkuara të kishin kontrollin mbi këtë organizatë. Dhe për këtë arsye ata nuk i dhanë kompetenca të plota asamblesë së përgjithshme, ku ishin të përfaqësuar të gjithë anëtarët, por krijuan një Këshill të fortë Sigurimi, në të cilin ata kishin një vend të përhershëm dhe mund të vendosnin veton e tyre. Tomas Veis, ekspert i shkencave politike ne universitetin e Nju Jorkut "City University" shprehet: "Arsyeja që Shtetet e Bashkuara u futën në OKB, ndërkohë që nuk kishin dashur të antarësoheshin në Lidhjen e Kombeve, ishte e drejta e vetos. Kjo ishte gjithashtu edhe arsyeja e antarësimit të Bashkimit Sovjetik në OKB."

Në fillimet e saj OKB-ja ishte një organizatë shpresëdhënëse. Në 1948 u shpall Deklarata e të Drejtave të Njeriut, një gur themeli i rëndësishëm për të drejtën ndërkombëtare. Por me kalimin e kohës brenda radhëve të aleatëve të luftës filluan të krijohen edhe armiqtë e betuar midis tyre; nisi kështu konflikti mes shteteve komuniste dhe botës së lirë perendimore, gjë që çoi në përçarjen e Këshillit të Sigurimit. Forumi më i pushtetshëm në botë ndodhej në qorrsokak, sepse pesë antarët me të drejtë vetoje e vinin shpesh herë në përdorim veton e tyre. Kur prekeshin direkt interesat e fuqive të mëdha ShBA dhe Bashkimi Sovjetik, OKB-ja paralizohej. Kjo situatë zgjati deri nga fundi i viteve 80-të.

Rënia e perdes së hekurt

Me rënien e murit të Berlinit dhe me fundin e konfliktit Lindje-Perëndim përfundoi edhe periudha e bllokadave në Këshillin e Sigurimit. Megjithatë të 5 shtetet pjesëtare të Këshillit të Sigurimit rrallëherë vazhdonin ta përdorin veton e tyre. Sidoqoftë për OKB-në nisi një periudhë e frytshme bashkëpunimi.

Kjo u duk veçanërisht në misionet e paqes. Në vitin 1988 kjo organizatë u nderua me Çmimin Nobel të paqe. Më pas u shtua shumë edhe numri i helmetave të kaltra, të dërguara në misione paqeje nga kjo organizatë. Nga viti 1988 deri në vitin 1993 kishte më shumë misione të helmet-kaltërve për paqe sesa në 40 vitet e mëparshme. Por këto misione paqësore nuk mundën të shuanin konfliktin civil në Somali dhe nuk mundën të menjanojnin vrasjet në Ruandë. Trupat blu u kritikuan edhe për faktin se nuk e ndaluan masakrën e Serbrenicës në Bosnje. Megjithatë misionet në paqe kanë patur edhe anën e tyre pozitive, mbi të gjitha kur ndihmuan për rindërtimin e institucioneve shtetërore. David Hajeri ka vëzhguar dhe analizuar shumë misione të kaskave blu, ai shprehet: "Ka shembuj të shumtë që dëshmojnë ndihmën e misioneve të paqes në zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjen e paqes si p.sh.: në Kamboxha, në Mozambik si edhe ne Ballkan. Në këto vende ka qenë shumë efektive prezenca e misioneve të paqes së OKB-së."

Nevoja e reformimit - OKB-ja në 60 vjetor

Në 60 vjetorin e themelimit të saj OKB-ja sipas planeve të Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Anan, duhet të reformohet. Por samiti i fundit i kësaj organizate në shtator vendosi vetëm për një pjesë të vogël të agjendës së reformimit. Ajo që u vendos është: krijimi i një komisioni të posaçëm për misionet e paqes si dhe krijimi i një komisioni për të drejtat e njeriut me qendër në Gjenevë. Ndërsa tani për tani është pezulluar reforma e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga disa vende, ndër to edhe nga Gjermania. Antarësimi me të drejta të plota i Gjermanisë në këtë forum tani është më i largët se kurrë.