1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060809 Parteien Koalitionen BTW HF

27 Gusht 2009

Kur u bë i qartë pati midis konservatorëve CDU -CSU dhe socialdemokratëve në zgjedhjet e kaluara (2005) të dyja partive iu desh të bashkonin forcat në një koalicion të madh. Si duken gjërat para zgjedhjeve aktuale?

https://p.dw.com/p/JJI5
Koalicionet e mundshme.
Cilin koalicion duan partitë dhe cilat koalicione janë për to ëndrra e keqe?Fotografi: AP

Për një gjë ekziston unitet në të gjitha kampet politike: Koalicioni i madh i përbërë nga bashkimi CDU -CSU dhe nga Partia Socialdemokrate nuk duhet të vazhdojë pas zgjedhjeve parlamentare të 27 shtatorit. Në vend të kësaj duhet të ketë kampe politike dhe fronte të qarta.

Frank Walter Steinmeier në postera zgjedhor.
Partia Socialdemokrate nuk e do më aleancën me CDU/CSU-në.Fotografi: AP

CDU/CSU parapëlqejnë të qeverisin me liberalët e FDP-së

Kancelarja Angela Merkel e përsërit këtë në çdo rast: Ajo synon koalicionin e kristiandemokratëve dhe socialkristianëve me liberalët e FDP-së. Në krye të një qeverie të tillë ajo arrin ta zbatojë më së miri politikën e saj. Kështu ajo deklaroi për shembull në "intervistën e verës" në televizionin publik gjerman. "Besoj, që FDP-ja ka në shumë pika, pikërisht në politikën ekonomike, në atë të krijimit të vendeve të punës, koncepte, që ngjajnë më shumë me ato të CDU/CSU-së. Këtu nuk bëhet fjalë për Guido Westerwelle-n (kryetari i FDP-së)dhe për mua. Natyrisht, që ne luftojmë për një bashkim CDU/CSU të fortë dhe kjo duhet të jetë edhe baza, që do të mjaftonte për një koalicion të ri me FDP-në. Por për mua qëndron në plan të parë pyetja: Nëpërmjet cilës rrugë arrijmë më mirë tek krijimi i vendeve të punës? Kush e ka kompetencën më të mirë ekonomike? Në këtë pikë e shoh si më të mirë këtë koalicion."

Të Gjelbrit
Të Gjelbrit duan t'i mbajnë të gjitha opsionet të hapura.Fotografi: AP

Edhe liberalët e duan koalicionin me CDU/CSU

Edhe partneri i parapëlqyer i Merkel-it Guido Westerwelle, i cili shpreson në një rezultat jashtëzakonisht të mirë në zgjedhjet parlamentare, e sheh partinë e vet të vendosur më mirë në koalicionin qytetar: "Dhe atëherë le të shohim se si do të pozicionohet CDU/CSU-ja. Nuk është sekret, që ne jemi për koalicionin zieverdhë."

SPD nuk e do më aleancën me CDU/CSU

Për arsye pragmatike as Partia Socialdemokrate nuk e do më aleancën me CDU/CSU-në, në të cilën asaj iu desh të futej pas gjendjes pat të arritur pas zgjedhjeve të fundit. Roli i padobishëm i partnerit të vogël në një koalicion të madh bëri, që në katër vitet e fundit ajo të humbiste gjithnjë e më shumë individualitetin. Për këtë arsye socialdemokratët, synojnë përsëri një koalicion me ekologjistët, siç u farkëtua njëherë në Bon dhe me të cilin iu dha fund në vitin 1998 qeverisjes së gjatë të Helmut Kohl-it dhe të koalicionit të tij zieverdhë. Sekretari i përgjithshëm Hubertus Heil: "Ne duam, që Frank-Walter Steinmeier të bëhet kancelar. Ne shohim shumë pika takimi me Të Gjelbrit dhe në rast se kjo nuk mjafton, duhet të shohim."

Angela Merkel.
Angela Merkel synon koalicionin e kristiandemokratëve dhe socialkristianëve me liberalët e FDP-së.Fotografi: AP

Të Gjelbrit të përmbajtur

Të Gjelbrit, të cilëve u vihet kaq shumë rrotull janë dukshëm më të përmbajtur. Një "projekt i socialdemokratëve me ekologjistët", si në kohën e kancelarit të atëhershëm socialdemokrat Gerhard Schröder dhe të ministrit të tij të Jashtëm, ekologjistit Joschka Fischer, nuk ka më. Në vend të kësaj Të Gjelbrit duan t'i mbajnë të gjitha opsionet të hapura, u shpreh kryetarja e partisë Claudia Roth në kongresin e partisë majin e kaluar.

Një koalicion i ashtuquajtur Xhamajka, pra një aleancë e konservatorëve CDU/CSU, FDP-së dhe Të Gjelbërve në ngjyrat kombëtare të Xhamajkës zi-verdhë-gjelbër, nuk është realist, thuhet në udhëheqjen e partisë. Dhe Të Gjelbrit nuk duan as një aleancë "të majtë" midis SPD-së, Të Gjelbërve dhe Partisë së Majtë.

Autor : Bettina Marx / Elert Ajazaj

Redaktoi : Aida Cama