1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nietan: Nuk ka mosbesim të veçantë ndaj Shqipërisë

Lindita Arapi20 Dhjetor 2013

Dietmar Nietan, deputeti socialdemokrat në komisionin e Bundestagut për politikën e jashtme e çështjet e BE-së, mbi dështimin e statusit kandidat për Shqipërinë dhe besimin në aftësimin e vendit në qershor 2014.

https://p.dw.com/p/1AeDb
Politikani socialdemokrat gjerman, Dietmar Nietan
Politikani socialdemokrat gjerman, Dietmar NietanFotografi: Büro Dietmar Nietan

DW: Zoti Nietan, në Shqipëri sundon zhgënjimi për mosdhënien rishtazi të statusit kandidat për Shqipërinë, megjithëse shpresat ishin të mëdha. Pse kaq mosbesim ndaj Shqipërisë?

Nietan: Nuk besoj se mosdhënia ende e statusit kandidat ka të bëjë me faktin që kundrejt Shqipërisë ekziston një mosbesim i veçantë. Ka të bëjë thjesht me faktin se Bashkimi Europian i kushton një rëndësi të veçantë praktikimit të kritereve të rrepta në dhënien e statusit kandidat, me qëllim që më vonë në hapjen e negociatave të mos kemi zhgënjime të mëdha. Unë jam shumë i sigurtë që ekzistojnë shanse shumë të mira, që Shqipëria të marrë statusin kandidat në samitin e verës, në fund të qershorit.

DW: Por këtë herë statusi ishte shumë pranë. Pas rekomandimit, Parlamenti Europian miratoi statusin kandidat, ndërsa ministrat e vendeve anëtare të BE-së, pesë vende, ndër to edhe Gjermania e bllokuan atë. Çfarë nuk e bind ende Gjermaninë?

Nietan: Besoj se disa nga ministrat e Jashtëm donin të prisnin, nëse hapat e duhur të filluar nga qeveria Rama do të vazhdojnë më tej. Disa gjëra që sollën vonesën e tanishme lidhen me përplasjet e vazhdueshme mes qeverisë dhe opozitës në periudhën e qeverisjes së kryeministrit Berisha, duke bërë që disa nga elitat politike në Shqipëri të merreshin më shumë me veten e tyre se sa me integrimin e vendit në BE. Shoh perspektivë të mirë nën qeverisjen e kryeministrit Rama. Unë nuk jam ministër i Jashtëm dhe ndoshta vetë personalisht do të kisha marrë një vendim tjetër, por dua të siguroj popullin shqiptar për mbështetjen dhe kam shpresë që në mes të vitit të ardhshëm Shqipëria të marrë statusin kandidat.

DW: Përmendet shpesh lufta kundër korrupsionit, çfarë pret Gjermania, ose çfarë do ta bënte të besueshme Shqipërinë, kur të filllonte rrëzimi i krerëve të korrupsionit në nivele të larta?

Nietan: Unë nuk jam i informuar që në ministritë gjermane në dhomat e pasme të tyre të ekzistojë ndonjë listë për kokat që duhet të bien.

DW: Kancelarja Merkel u shpreh se vendi ka nevojë për reforma të mëtejshme. Si do të testohet, nëse reformat kanë ecur përpara, kur lufta kundër korrupsionit, drejtësia e pavarur janë procese shumë afatgjata, e deri në qershor zor se mund të ketë ndryshuar ndonjë gjë. Do të thotë kjo për Shqipërinë gjithmonë në stacionin e pritjes?

Nietan: Mendoj se është shumë e rëndësishme të arrihet që reformat në drejtësi të vihen në jetë në praktikë, të jenë pjesë e jetës së përditshme, pra që të funksionojnë. Bëhet fjalë për funksionimin e jo që të bëhen të gjitha detyrat e shtëpisë njeherazi, kjo do të pritej në fund të procecit të negociatave. Pra duhet të ekzistojë bindja që reformat janë bërë realitet në vend. Mendoj se kur të bëhet kjo edhe kritikët e fundit do të japin dritën e gjelbër. Unë kam besim, dhe mund ta kuptoj zhgënjimin e popullit shqiptar, por dua t'u them atyre se mundimi për reformat ia vlen.

DW: Në Shqipëri dëgjohen kritika se Europa zbaton standarde të dyfishta, se ekzistojnë rezerva të veçanta, pasi edhe vetë anëtaret si Bullgaria dhe Rumania nuk i kanë zgjidhur ende problemet me korrupsionin dhe drejtësinë. Ekzistojnë këto standarde?

Nietan: Mendoj se edhe për vende të tjera nuk është e lehtë, të marrim Malin e Zi, që gjendej në rrugë shumë të mirë të integrimit, ndërsa tani ka frenim. Kur Bashkimi Europian e shikon me sy kritik, Malin e Zi kjo ka të bëjë më shumë me përvojën që patëm me vendet që sapo përmendët ju. Tek Bullgaria dhe Rumania për arsye politike, siç themi ne në Gjermani, na u desh të mbyllnim të dy sytë, dhe të mbanim afatin e përcaktuar të anëtarësimit. Sot e dimë që ky ishte gabim, jo sepse nuk e donim Bullgarinë dhe Rumaninë në BE, por sepse ato nuk i kishin përmbushur kriteret ashtu siç duhet. Nga kjo kemi mësuar dhe jemi më kritikë.

DW: Pikërisht tek standardet e dyfishta. Në opinionin publik në Shqipëri bëhen krahasime me Serbinë tani, duke përmendur korrupsionin e lartë dhe ekonominë me probleme që ka ky vend. Megjithatë Serbia e mori statusin kandidat për shkak të përmirësimit të marrëdhënieneve me Kosovën. Koncesionet serbe për Kosovën sollën negociatat me BE-në.

Nietan: Nuk besoj, mund ta kuptoj zhgënjimin në Shqipëri, por duhet thënë hapur se Serbia krahasuar me vendet aspirante për në BE në Europën Juglindore ka bërë përparimet më të mëdha në 18 muajt e fundit. Kjo duhet vlerësuar. Por kur të hapen negociatat me Serbinë në drejtim të shtetit ligjor, luftimit të korrupsionit ky vend ka një punë shumë të madhe për të bërë. Fakti që do të hapen negociatat me Serbinë, nuk do të thotë që diku ekziston një rabat politik.

DW: A nuk mendoni se në vendimin e tanishëm kundër statusit reflektohet edhe gjendja aktuale e BE-së? Frika ndaj emigrantëve të varfër, kriza e euros. Kohë të papërshtatshme për zgjerimin e integrimin?

Nietan: Nuk ka kohë të gabuar për zgjerimin. Në Këshillin Europian në Selanik në vitin 2003, ne vendosëm e premtuam se po qe se vendet e të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor zhvillohen, bëjnë reforma, shtetet e ish-Jugosllavisë arrijnë në një proces pajtimi, atëherë dera për në BE është e hapur. Kjo nuk ka për të ndryshuar dhe nuk duhet krijojmë përshtypjen se nuk duam t'i kemi këto vende në BE. Sigurisht në kohë krize ka shumë njerëz që kanë frikë nga zgjerimi i BE-së, por ne si politikanë duhet t'i bindim njerëzit që zgjerimi i BE-së nuk paraqet ndonjë rrezik për ta, në vend që të themi për shkak se ka shumë kritika le ta ndalojmë procesin e zgjerimit.

DW: Por praktikisht zgjerimi është stopuar. Thuhet në qarqe të ndryshme se në dhjetë vitet e ardhshme nuk ka anëtarësim. Kjo lodhje ndaj zgjerimit bart rrezikun e zhgënjimit dhe rënies së entuaziazmit për BE-në, që ende ekziston p.sh. në Shqipëri.

Nietan: Po qe se paralizohen përpjekjet e BE-së për të ndihmuar këto vende të vijnë në BE pra, të paralizohet perspektiva e integrimit, njerëzit do të zhgënjehen, do të ndjehen të mashtruar, sepse atyre iu është premtuar gjithmonë, po qe se bëni reforma, jeni përzemërsisht të mirëseardhur, kjo do të kishe si pasojë që njerëzit do t'i kthenin kurrizin Europës. Harrojeni Bashkimin Europian. Dhe alternativë pastaj bëhet nacionalizmi, rindezja e konflikteve dhe radikalizimi. Kjo duhet ndaluar, prandaj apeloj ndaj partnerëve politikë në Europë që të mos heqin dorë nga premtimi për zgjerimin e BE-së në Europën Juglindore. Por ky premtim ka edhe anën tjetër, kriteret për anëtarësim duhen plotësuar.