1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nigeria i prodhon vetë medikamentet kundër sidës

Rüdiger Maack2 Shkurt 2006

Nigeria ka filluar t´i prodhojë vetë medikamentet kundër sidës. Ky projekt filloi si një përzjerje e ndjenjës patriotike dhe profesionalitetit, thonë investorët nigerianë, që jetojnë jashtë vendit. Me emrin "Made in Nigeria" do të ulen edhe shpenzimet për pacientët e sëmurë me sidë.

https://p.dw.com/p/ArMZ
Fotografi: AP

Firma quhet Archy, i cili është emri përkëdhelës i nënës së investorit kryesor. Kjo firmë ndodhet në një ndërtesë të thjeshtë, në periferitë e metropolit Lagos. Në rast se gjithçka shkon mirë, atëherë miliona njerëz nga Afrika Perëndimore, do të marrin ilaçet që u nevojiten për ta luftuar sëmundjen e rëndë. Princi Chijoke Ofamata është menaxheri i kësaj firme:

"Shumë njerëz në Nigeri dhe Afrikën Perëndimore nuk mund t´i paguajnë ilaçet që u nevojiten. Ne duam t´i bëjmë këto ilaçe të pagueshme për të gjithë. Pra nuk mendojmë vetëm tek profiti por edhe tek shëndeti i popullit tonë."

4 milionë nigerianë jetojnë me Sidën dhe vetëm në dy vende të tjera në botë ka më shumë njerëz të infektuar me HIV sesa në Nigeri. Përpara 5 vitesh qeveria nigeriane filloi një projekt për t´u mundësuar fëmijëve aksesin për medikamentet anti-retrovirale. Por deri sot nuk ka ndodhur shumë përparim në këtë drejtim.

Për qeverinë nigeriane themelimi i firmës Archy është një sukses i vërtetë. Për këtë arsye kjo qeveri ka nisur një fushatë për t´i bindur nigerianët që kanë mundur të fitojnë para jashtë shtetit, që të investojnë në atdheun e tyre. Për këtë arsye edhe gruaja e presidentit Obansanjo tha gjatë inagurimit të firmës se ai moment ishte edhe një fitore për demokracinë.


"Në Nigeri ka tani më shumë siguri për investime. Investimet në vend kanë një të ardhme të sigurt, ne e garantojmë këtë gjë."

Ilaçet anti-retrovirale të firmës Archy do të kushtojnë gjysmën e çmimit të tanishëm. Qeveria nigeriane ka vendosur t´i subvencionojë ato deri në 6 euro në muaj. Por disa organizata që mbështesin luftën kundër sidës ankohen se edhe ky çmim do të jetë shumë i shtrenjtë. Dy nga tre nigerianë jetojnë me më pak se një euro në ditë. Përveç kësaj, tani ka edhe një problem nigerian: Si do të garantohet furnizimi me ilaçe i njerëzve që kanë vërtet nevojë për to?

"Le të jemi të sinqertë. Nuk mund t´i lutemi dikujt që të kthehet në atdhe dhe të mos i paguajmë asnjë cent. Dhe pikërisht këtu luan një rol të rëndësishëm vetë qeveria. Ajo do të kujdeset që ilaçet të shpërndahen në mënyrë të barabartë. Në shumicën e rasteve ilaçet u jepen njerëzve që janë të afërm të atyre që e organizojnë shpërndarjen e ilaçeve."

Sidoqoftë fakt mbetet se së shpejti mbi 1 milionë nigerianë do të përfitojnë nga produktet e firmës Archy.