1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nimitz në Athinë: Situata në rajon kërkon zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë

Niko Anagnosti, Athinë6 Dhjetor 2007

Ndërmjetësuesi ndërkombëtar në konfliktin mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit, M. Nimitz, komunikoi një raund të ri bisedimesh në janar fillimisht në Shkup dhe në vazhdim në Athinë.

https://p.dw.com/p/CYNx
Matthew Nimitz në ShkupFotografi: Macedonian Information Agency

I ardhur nga Shkupi, ku siguroi konsesusin për vazhdimin e bisedimeve, në Athinë, stacionin e tij të dytë, ndërmjetësi ndërkombëtar në konfliktin midis dy kyeqyteteve në fjalë për çështjen e emrit, M. Nimitz, komunikoi mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh në Janar fillimisht në Shkup dhe në vazhdim në Athinë duke theksuar se “situata në rajon kërkon zgjidhjen e këtij problemi pezull”. Nimitz, i cili do të kryesojë raundin e ri të negociatorëve të të dy vendeve që do të zhvillohet në praninë e ministrave të jashtëm, në të gjitha kontaktet e tij, përfshi edhe atë me kryeministrin Karamanlis, u vu përballë insistimit të Athinës për një zgjidhje konsesusi si e vetmja alternativë për integrimin e fqinjit të saj në strukturat euroatlantike. “Shpresojmë se Shkupi do të braktisë pozicionin e tij intransigjent dhe do të vijë me mirëbesim në këto bisedime” tha shefja e diplomacisë greke Bakojani kur në të gjitha nivelet bëhet e qartë se Athina me qëndrimin e saj të ri, pra pranimin e një emërtimi të përbërë që të përmbajë edhe termin “Maqedoni”, që më parë nuk e pranonte, ka përshkuar gjysmën e rrugës që i takon, për një zgjidhje kompromisi.

Uashingtoni aktivizohet në grindjen mes Athinës dhe Shkupit

Ajo çka duket qartë në këtë çështje është aktivizimi i ndjeshëm i Uashingtonit, që kohët e fundit, pas refuzimit kategorik të kryeministrit Gruevski ndaj çdo ndryshimi të emrit kushtetues të Maqedonisë, ka intensifikuar presionet e tij ndaj Shkupit duke ngjallur shpresa në Athinë. “Shkupi të takojë Athinën në mes të rrugës dhe të tregohet sensibël ndaj opinionit publik grek” tha ndihmëssekretari amerikan i shtetit Nikolas Berns, gjë që u dha shkas analistëve grekë ta interpretojnë si shkëmbim të Uashingtonit ndaj “konsesusit të fshehtë të Athinës në çështjen e pavarësisë së Kosovës”.

Athina po tenton ndërkohë një krahëmarrje edhe të faktorit shqiptar në Shkup, që nëpërmjet liderëve të tij kërkon të ketë rolin e tij në çështjen e emrit. “Besojmë se Shkupi do të duhet të respektojë absolutisht Marrëveshjen e Ohrit (...), të të drejtave të popullatës shqiptare, që është numërikisht shumë e madhe” ishte deklarata e pazakontë javën e kaluar e presidentit Papulias ndaj homologut të tij shqiptar Topi.