1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nis fushata zgjedhore në Kosovë

1 Dhjetor 2010

Në Kosovë nisi zyrtarisht fushata parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme, të 12 dhjetorit. Subjektet politike janë zotuar që do të garojnë për këto zgjedhje janë zotuar për një fushatë të qetë

https://p.dw.com/p/QMnm
Fotografi: DW

Subjektet politike garuese në këto zgjedhje do të ketë vetëm dhjetë ditë kohë që të shpalosin programet dhe idetë e tyre para elektoratit. Janë 29 subjekte politike, që po garojnë për zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit me 1265 kandidatë për deputet. Në mesin e tyre janë tetë subjekte politike serbe, që do të garojnë, megjithë qëndrimin e qeverisë së Serbisë, e cila tha se nuk ka kushte, që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, në një fjalim drejtuar qytetarëve dhe partive politike garuese në zgjedhje bën thirrje për një fushatë të qetë. Ai thotë se këto zgjedhje po mbahen pas një tradite tashmë të shkëlqyeshme zgjedhore në Kosovë, e cila është vlerësuar lart nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe nga e gjithë bota demokratike.

Jakup Krasniqi
Presidenti në detyrë, Jakup KrasniqiFotografi: DW

“Partitë politike dhe zgjedhësit në Kosovë në të kaluarën kanë demonstruar kulturë të lartë politike e demokratike zgjedhore dhe në këtë frymë duhen zhvilluar edhe këto zgjedhje”, thotë presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi. Thirrje për një fushatë të qetë dhe pjesëmarrje në zgjedhje bënë edhe shumë personalitete ndërkombëtare, që vizituan Kosovën. Një të tillë e bëri edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropain, Ulrike Lunacek.

“Dëshiroj të inkurajoj të gjithë kosovarët, komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet tjera, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë për subjektet e preferuara politike të tyre”, tha Ulrike Lunacek në përfundim të një vizite tri ditëshe në Kosovë.

Ulrike Lunacek, EU-Parlamentarierin aus Österreich
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropain, Ulrike LunacekFotografi: AP

Numër i vogël i vëzhguesve ndërkombëtarë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve deri tash ka akredituar afro 6500 vëzhgues për zgjedhjet e 12 dhjetorit. Shumica e tyre janë vëzhgues vendas dhe një numër i vogël i vëzhguesve ndërkombëtarë. Vëzhgues nuk do të ketë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, për faktin që institucionet e Kosovës nuk kanë bërë ftesë zyrtare në këtë mekanizëm, tha në përfundim të një vizite në Kosovë, Bjorn Von Sydou, raportues në Këshillin e Evropës.

“Ne nuk do të kemi mision vëzhgues në zgjedhjet e 12 dhjetorit, sepse nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare në Këshillin e Evropës për këtë çështje, mirëpo unë jam i sigurt që do të ketë vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë”, tha Bjorn Von Sydou. Bashkimi Evropian në koordinim me ambasadat e huaja në Kosovë do të dërgojë një mision vëzhguesish në Kosovë, mirëpo numri tyre do të jetë disa dhjetëra sosh.

Akuza dhe kundërakuza kryesisht nga partitë deri tani në pushtet

Ramush Tahiri
Ramush Tahiri, analist politikFotografi: DW

Megjithëse me 1 dhjetor shënohet fillimi zyrtar i fushatës parazgjedhore, subjektet politike ka më shumë se tri javë që në forma të ndryshme kanë filluar fushatën. Ramush Tahiri, analist politik, i tha DW-së se gjatë kësaj kohe janë vërejtur akuza dhe kundërakuza kryesisht nga partitë, që deri tash ishin në pushtet.

“Nuk ka gjuhë të urrejtjes, por më shumë një cinizëm dhe një nënçmim. Ka të folura ezopike, apo alegorike. Për shembull, nuk bëjmë koalicion me ata, që janë të korruptuar, do ta bëjmë pushtetin me duar të pastra, ndërsa deri tash pushteti ka qenë në duar të këtyre politikanëve, që flasim kështu. Ose nuk bëjmë koalicion me ata, që ikën nga institucionet, ndërsa në anën tjetër vetë ata nuk e kanë përmbushur obligimim ligjor, që të plotësohet qeveria, që për pasojë erdhi deri të shpallja e zgjedhjeve të jashtzakonshme”, thotë Ramush Tahiri.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve tashmë ka hartuar listën e votuesve. Të drejtë vote kanë një milion e gjashtëqind e tridhjetëmijë qytetarë të Kosovës. Qendra votimi do të hapen edhe në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, ku organet e rendit ka paralajmëruar shtim të numrit të policëve.

Autor: Bekim Shehu.

Redaktoi: Angjelina Verbica