1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një e gjashta e gjermanëve - e pavendosur

Anila Shuka18 Shtator 2005

Programet e partive nuk jane bindëse, të paktën kështu mendon një gjermanolindore 50 vjeçare e papunë, të cilën ne e shoqëruam në qendrën e votimit në Berlin

https://p.dw.com/p/AqtL
Qendër votimi
Qendër votimiFotografi: dpa

Hapi i Janës këtë të dielë në mëngjes është ndryshe nga herët e tjera. Nuk është shëtitja e zakonshme që 50 vjeçarja ndërmerr në lagjen e saj kur e lejon moti. Jana është një nga të 62 milionë gjermanët e thirrur të japin votën e tyre për një parlament të ri. "Për pak më shumë drejtësi, të bëhet më shumë për sipërmarrjet e vogla, të zvogëlohet dallimi ndërmjet të varfërve dhe të pasurve dhe të reduktohet papunësia," - shpreson ajo. Jana është vetë e prekur nga ky fenomen.

Edhe ajo si mbi pesëmilionë gjermanë të tjerë është tashmë e varur nga ndihma e shtetit që në gjuhën e reformave të qeverisë aktuale njihet me emrin Harz IV. Jana është lindur dhe rritur në ish republikën gjermanolindore mbas kthesës politike humbi vendin e punës dhe u gjend para sfidës së rritjes së një fëmije pa patur mbështetjen e një bashkëshorti. Prandaj edhe koncepti i shprehur nga profesor Paul Krikhof, që sipas të gjitha gjasave do të bëhet ministër financash në qeverinë kristliberale për Janën nuk është zgjidhje. "Ajo që quhet aty politikë familjare, që gruaja të rrije me përparëse në kuzhinë dhe burri të shkojë punë e të fitojë paratë nuk është zgjidhje për mua."

Qendra e votimit te Janës është një shkollë e ndërtuar në kohën e socializmit. Fasada katërkatëshe është e veshur me skeleri. Nëpër klasat e katit të parë janë pikat e votimit. Jana i tregon njërit prej katër ndihmësave të ulur në një tavolinë të gjatë, letrën që disa javë më parë i ka ardhur me postë nga Zyra e Rendit të Lagjes dhe merr fletën e votimit. Pastaj ulet në njërën prej dy kabinave.

Tre kandidatë të zonës 77 ku Jana është thirrur sot të japë votën kanë qenë ish-disidentë në kohën kur në lagjen pranë murit, Prenzlauer Berg sundonte regjimi socialist. Për socialdemokratët kandidon përsëri deputeti i zgjedhur direkt në vitin 2002, kryetari i Bundestagut Volfgang Thierse. Më parë të bashkuar për një kauzë, tani të ndarë në parti të ndryshme, ata përfaqësojnë ngjyra të ndryshme. Por raportet në parlament do t'i përcaktojë vota e dytë ajo e proporcionalit. Deri në momentin e fundit Jana nuk e dinte se kujt do t'ia jepte.

"Per mua nuk ka rëndësi fare se nga vijnë, nga e majta apo qendra. Problemi qendron se askush prej tyre nuk ka mundur të më bindte me konceptet dhe programet. Kjo më bëri të mendohesha kaq shumë, sidomos kur dhashë votën e dytë."

Jana shpreson që me votën e saj do të kontriubuojë që partitë t'i mendojnë edhe njëherë konceptet e tyre dhe që atë që tani e kanë marrë me vete nga fushata zgjedhore, nga baza, ta inkuadrojnë në programe, thotë ajo.