1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një gjykatëse gjermane për çështjet e familjes iu referua për një vendim të saj Kuranit

ADD22 Mars 2007

Në një proces gjyqësor divorci, një gjykatëse për çështjet e familjes iu referua për një vendim të saj kuranit. Ajo tha se meqë çifti në fjalë ishte me origjinë nga Maroku për të mund të përdorej edhe e drejta e kuranit

https://p.dw.com/p/Aqx8
Kurani
KuraniFotografi: AP

Gjykata e Frankfurtit informoi se gjykatësja u shpall e njëanshme dhe u largua prej procesit. Reagime të ashpra për qëndrimin e gjykatëses erdhën sidomos nga shumë organizata grash në Gjermani

Ajo është nënë e dy fëmijëve. Eshtë rritur në Gjermani dhe nuk mund t'i durojë më aktet e dhunës të të shoqit. Prandaj ajo largohet nga i shoqi. Por pa u larguar mirë nga banesa e përbashkët, pa arritur që gjykatësja t'i caktojë asaj një banesë tjetër, burri i dhunshëm e kërcënon atë sërish. Gruaja e re, 26 vjeç, shpreson se një divorc i shpejtë më në fund do t'i thotë ndal burrit. Avokatja e saj, Barbara Becker-Rojczyk bën lutje për ta ndihmuar gruan për shpenzimet e gjyqit dhe për një divorc pa kaluar një vit nga ndarja, sic është parashikuar me ligj.

"Disa javë më vonë erdhi tërheqja e vëmendjes nga gjykatësja, se ajo mendonte se nuk mund ta mbështesë lutjen për ndarje në keqtrajtimet që i janë bërë gruas, sepse në rrethin kulturor maroken- kështu u shpreh ajo- ekziston një e drejtë e burrit për të dënuar gruan"

Me fjalë të tjera, sipas pikëpamjes së gjykatëses ka të drejtë të rrahë gruan.

Avokatja në fillim mbetet pa tekst, pastaj revoltohet dhe paraqet së fundi lutjen që gjykatëses t'i hiqet gjykimi i procesit për shkak të njëanshmërisë. Kësaj gjykatësja i përgjigjet me një sure të kuranit, në të cilën thuhet "Dhe nëse ju druheni, se gratë do të ngrenë kokë, atëherë i paralajmëroni ato, mos i përfillni në shtratin martesor dhe i rrihni". Avokatja Becker-Rojcyk ndihet e konfirmuar në gjykimin e saj. Por kalojnë edhe dy muaj të tjerë, deri sa një gjykatës në datën 21 mars më në fund merr vendimin për lutjen e avokates:

"që kërkesa refuzuese ndaj një gjykatëseje në një cështje familjare është e argumentuar, ndaj ky proces këtej e tutje do të drejtohet nga një gjykatëse tjetër."

Bernhard Olp, i cili e dha këtë sqarim është zëdhënës dhe zëvendëspresident i Gjykatës së Frankfurtit. Një argumentim ai nuk dha. Ky argumentim nuk është i nevojshëm të jepet, sepse ky vendim gjithsesi nuk mund të kundërshtohet, tha ai. Avokatja e kishte argumentuar lutjen për praninë e njëanshmërisë në gjykim para së gjithash me faktin se një gjykatëse përdor direktiva fetare, megjithëse bëhet fjalë për një proces shtetëror gjyqësor divorci.

Reagimet për qëndrimin e gjykatëses tashmë të larguar nga ky proces gjyqësor në Gjermani janë të shumta. Drejtuesja e organizatës të të drejtave të grave, Terre de Femmes në Gjermani, Christa Stolle tha se është e shokuar nga qëndrimi i gjykatëses. "Eshtë e pabesueshme, që një gjykatëse në Gjermani i bazon vendimet e saj në kuran", i tha ajo botimit në internet të revistës "Der Spiegel". "Eshtë jashtë cdo lloj shijeje". Ajo tërhoqi vëmendjen se sistemi gjyqësor gjerman i refuzon në masë të konsiderueshme përdorimin e traditave kulturore si një justifikim për shkeljen e ligjit. Kryetarja e Këshillit Qendror të ish-myslimanëve në Gjermani, Mina Ahadi, i tha gazetës "Berliner Zeitung" se praktika e islamizimit të shoqërisë sonë është e rrezikshme dhe raciste". Edhe njerëz që vijnë nga qarqe të tjera kulturore duhet të respektojnë të drejtat universale të njeriut.