1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një hap përpara virusit

Ingrid Lommer14 Tetor 2005

Virologët në Lajpcig përgatisin një test të ri për gripin e shpendëve tek njeriu

https://p.dw.com/p/ArD2
Virusi H5N1 i parë në mikroskop
Virusi H5N1 i parë në mikroskopFotografi: AP

Me shpërthimin e gripit të shpendëve edhe në Evropë po rritet shqetësimi nga përhapja e virusit edhe tek njeriu dhe nga një pandemi në rast se virusi pëson mutacion dhe kalohet nga njeriu tek njeriu. Shkencëtarë në universitetin e Lajpcigut kanë përgatitur një test të shpejtë me anë të të cilit mund të vërtetohet prania e virusit tek njeriu. Me këtë synohet të shmanget përhapja e shpejtë tek njeriu.

Veterinerët duhet ta vëzhgojnë gripin e shpendëve. Në rast se njëra prej kafshëve preket nga virusi, atëherë ajo theret. Duhet të shmanget përhapja e virusit në mënyrë që ai të mos pësojë mutacion dhe të kalojë tek njeriu.

Një ekip virologësh të universitetit të Lajpcigut ka përgatitur një test të shpejtë për ngacmuesin e gripit të shpendëve në trupin e njeriut. Rreziku nuk është akut, thotë drejtuesi i grupit të kërkimit, prof. Uwe-Gerd Liebert. Sipas tij, edhe rastet e reja të gripit të shpendëve në Turqi nuk e zmadhojnë problemin për Evropën.

Në të vërtetë atje pritej prej kohësh shpërthimi i këtij gripi, sepse shumë zogj shtegtarë fluturojnë mbi Turqi; nëpërmjet jashtëqitjes së kafshëve të sëmura epidemia u përhap. Por virusi kalon vetëm në kushte shumë të veçanta tek njeriu. Vetëm personat në kontakt të vazhdueshëm me kafshët e sëmura janë të rrezikuar. E megjithatë, kur ndodh kalimi nga specia në sepcie, atëherë sëmundja bëhet e rrezikshme për njeriun:

"Në trupin e njeriut nuk ka lëndë rezistuese. Vaksinimi që ofrojmë çdo vit kundër gripit normal, gripit të njeriut, mbron vetëm nga viruset normale, njerëzore, por jo kundër virusit të gripit të shpendëve."

Gjashtë muaj kanë punuar Liebert dhe ekipi i tij për përgatitjen e testeve për virusin e gripit të shpendëve në organizmin e njeriut. Rezultati është një metodë diagnostikimi që mund të përdoret nga çdo mjek i përgjithshëm.