1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një institucion i tillë nuk duhet të ekzistojë për kohë të gjatë" - pesë vjet Guantanamo

Nina Verkhojzer11 Janar 2007

Në opinionin gjerman emri Guantanamo është i lidhur ngushtë me fatin e gjermano-turkut, Murat Kurnaz.

https://p.dw.com/p/AqnQ
Katër vjet e gjysmë në Guantanamo - Murat Kurnaz
Katër vjet e gjysmë në Guantanamo - Murat KurnazFotografi: AP

Që nga krijimi i tij më 11 janar 2002 kampi i posaçëm për të dyshuarit për terrorizëm në bazën amerikane në Kuba është bërë pre e kritikave ndërkombëtare. Qeveria amerikane nën presidentin Xhorxh Bush i trajton të burgosurit si "luftëtarë armiq". Ata jetojnë në një vakuum ligjor. Se a do të lirohen apo jo, këtë e vendosin oficerët amerikanë, sipas kritereve të tyre. Pentagoni vetë e pranon se disa prej aktualisht ende 400 të burgosurve ndoshta nuk do të lirohen kurrë.

11 janari i vitit 2002 është një datë e trishtuar, thotë shefja e të gjelbërve, Klaudia Roth, me rastin e pesëvjetorit të krijimi të kampit të të burgosurve në Guantanamo: "Ky vend, që në të gjithë botën është shndërruar në një simbol për çlegalizimin e ligjeve e ka dëmtuar shumë demokracinë dhe reputacionin e saj. Kjo është gjëja më e keqe në luftën kundër terrorizmit."

Tonet e para kritike në adresë të Guantanamos i ka dërguar kolegu i Klaudia Roth, Joschka Fischer, asokohe Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, sapo mori lajmin për krijimin e kampit, ku të burgosurit nuk do të merrnin statusin "robër lufte", siç e parashikon "Konventa e Gjenevës". Ai kërkon një status të qartë juridik për ta: "Të gjithë të burgosurit, edhe ata që akuzohen për krimet më të rënda kanë të drejtë të trajtohen në mënyrë humane. Ne po luftojmë kundër një terrorizmi që nuk i respekton të drejtat e njeriut e humanizmin. Prandaj do të jetë e rëndësishme që ne, si si bashkësi shtetesh të respektojmë parimet tona."

Qeveria gjermane kritikonte vetëm trajtimin e të burgosurve, dhe jo ekzistencën e kampit. Pak kohë më vonë, kancelari gjerman Gerhard Shrëder do të detyrohej të merrej më intensivisht me këtë temë. Në fillim të shkurtit të vitit 2002, forcat amerikane të sigurimit do të dërgonin në Guantanamo një turk të rritur në Bremen të Gjermanisë me emrin Murat Kurnaz.

Në gusht të vitit 2006, mbas më shumë se katër vjetësh, shtetasi turk me banim në Gjermani lirohet nga Guantanamo. Që mbas gjashtë muajsh organet amerikane kishin konstatuar se ai nuk kishte lidhje me rrjetin terrorist të Al Kaidës dhe i patën ofruar qeverisë gjermane dorëzimin e tij. "Dhe çfarë bëri Gjermania, sipas një raporti të qeverisë? E rrefuzoi këtë ofertë!" ankohet avokati i Kurnazit Bernhard Docke. Vetëm me ndërrimin e qeverisë në vitin 2005 filloi të lëvizë diçka. Kancelarja Angela Merkel do të dilte hapur kundër këtij kampi: "Një institucion i këtillë nuk mund dhe nuk duhet të ekzistojë për një kohë të gjatë."

Angela Merkel filloi negociata me qeverinë amerikane, Kurnaz u lirua. Me t'u kthyer në Gjermani, Kurnaz do të raportonte për keqtrajtime nga ana e ushtarëve të forcave speciale gjermane në Afganistan, ku e kishin mbajtur ushtarët amerikanë para transportimit për në Guantanamo: "Ai më tërhoqi për flokësh dhe më pyeti: A e di ti se kush jemi ne? Para se t'i ktheja përgjigje më tha: Ne jemi forca gjermane, KSK, dhe ma gjuajti kokën përtokë."

Prokuroria në Tybingen ndërkohë ka filluar hetimet kundër dy ushtarëve të forcave speciale gjermane, që e kanë pranuar që e kanë parë Kurnazin në Kandahar, por nuk pranojnë ta kenë keqtrajtuar atë. Edhe një komisioni i posaçëm parlamentar po e heton qendrimin e koalicionit kuq - e gjelbër në çështjen Kurnaz. Javën e ardhshme Murat Kurnaz pritet të raportojë personalisht para këtij komisioni.