1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një marrëdhënie e ngarkuar me irritime

Nina Werkhäuser21 Dhjetor 2005

Qeveritë e reja në Varshavë dhe Berlin dhe marrëdhëniet dypalëshe

https://p.dw.com/p/Ar1z
Kancelarja gjermane Merkel me presidentin e ardhshëm polak Kaczinksi
Kancelarja gjermane Merkel me presidentin e ardhshëm polak KaczinksiFotografi: AP

Në 23 dhjetor presidenti i ri polak Lek Kaczinski do të bëjë betimin. Në Poloni mbyllet kështu procesi i ndërrimit të pushtetit i cili pati filluar në fund të muajit shtator me fitoren në zgjedhjet parlamentare të partisë nacional-konservatore "E drejta dhe Drejtësia". Paralelisht me to u zhvilluan zgjedhje parlamentare edhe në Gjermaninë fqinje që patën si rezultat kalimin e pushtetit nga koalicioni kuq e gjelbër tek koalicioni i madh mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve nën drejtimin e kancelares Angela Merkel nga Partia Kristiandemokrate.

Gjermania dhe Polonia janë afër e njëkohësisht larg, mirëkuptimin dhe keqkuptimin i ndajnë shpesh vetëm pak centimetra. Marrëdhëniet gjermano-polake janë pra për çdo qeveri në Berlin një sfidë në të cilën sensibiliteti është rregulli numër një. Ministri gjerman i punëve të jashtme e formulon këtë kështu:"Ne jemi të ndërgjegjshëm që raporti mes dy vendeve tona është i ngarkuar me irritime."
Në vizitën e saj të parë si kancelare në Varshavë në fillim të dhjetorit Merkel testoi fillimisht me kujdes terrenin e vështirë. Marrëdhëniet e mira me Poloninë janë shumë të rëndësishme për kancelaren gjermane Merkel por ajo njeh edhe kurthet dhe i eviton me mjeshtëri. Pas takimit me Lek Kaczinskin Merkel u shpreh me tone diplomatike miqësore:"Kam krijuar përshtypjen e fortë se edhe presidenti i ardhshëm i Polonisë është shumë i interesuar në marrëdhënie të mira me Gjermaninë si dhe në pozicione të orientuara drejt së ardhmes që mund të merren prej dy vendeve tona."
Për këto pozicione të përbashkëta nuk bëhej aspak fjalë deri vonë në shumë tema. Presidenti i ri polak Lek Kaczinski i cili ka pranuar se nuk e njeh Gjermaninë përmend problemet më të rëndësishme mes dy vendeve: "Së pari qendra kundër dëbimeve që do të ngrihet në Berlin. Problemi i dytë janë pretendimet e mundshme të ish të dëbuarve ndaj shtetasve polakë. Dhe së treti gjermanët e dinë fare mirë se një gazsjellës gjermano-rus përmes Detit Balltik paraqet rrezik për Poloninë."
Trajtimi i së kaluarës është një peshë e vazhdueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve siç tregon dhe konflikti mbi "Qendrën kundër Dëbimeve" të planifikuar për t'u ngritur në Berlin. Kjo qendër e cila mbështetet nga kancelarja Merkel do do të shërbejë ndër të tjera për dokumentimin e dëbimit të gjermanëve nga Polonia në fund të Luftës së Dytë Botërore. Për polakët kjo është një halë në sy pasi i druhen shtrembërimit të fakteve historike. Nga ana tjetër politikanët nacionalistë-konservatorë në Poloni nuk mungojnë të rinxjerrin në dritë klishetë e vjetra anti-gjermane, të përdorura së fundi edhe nga vetë Partia "E Drejta dhe Drejtësia" gjatë fushatave elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Pikërisht kjo e vuri në pozitë të vështirë kryeministrin polak Marcinkievic gjatë vizitës së Merkelit. Përballë gazetarëve të habitur ai deklaroi shkurt se:"Nuk kishte vënë re aspak atmosferën anti-gjermane në Poloni."
Miqësorë gjatë takimeve personale dhe kritikë në mungesë - kjo për fat të keq nuk është rastësi në marrëdhëniet gjermano-polake. Të dyja palët e dinë megjithatë se çarmantimi verbal nuk mjafton. Ajo që kërkohet është trajtimi serioz dhe me durim i pozicioneve reciproke.
Angela Merkel ka hedhur tashmë hapin e parë të qartë në këtë drejtim kur në samitin e BE-së në Bruksel i doli në mbrojtje kërkesave financiare të Varshavës. Gerhard Shrëder jo rrallë i ka neglizhuar interesat e Polonisë mendon kancelarja Merkel dhe askush në Varshavë nuk e kundërshton këtë opinion.