1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një NATO e re për kohë të trazuara

Tate Nurkin 3 Shtator 2014

Në takimin e saj në Uells NATO duhet të gjejë përgjigje për ndërhyrjen ruse në Evropën Lindore dhe të vendosë kursin për të ardhmen, shkruan Tate Nurkin në një koment për Deutsche Welle-n.

https://p.dw.com/p/1D5Sq
Fotografi: Reuters

Samiti i NATO-s në Newport po afron dhe me të dhe një pikë kryesore kthese në historinë e aleancës transatlantike. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe sulmeve të 11 shtatorit 2001, konteksti strategjik për NATO-n tani ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme për herë të tretë në 25 vjet. Nga Kievi e Kirkuku deri në Kabul dhe më tej siguritë e vjetra të sistemit të sigurisë globale të udhëhequr prej perëndimit po lëkunden. Për të vazhduar të luajë një rol në këtë kohë të trazuar, NATO duhet ta rivlerësojë misionin e saj, strukturën, aftësitë dhe çështjen e anëtarësive të reja.

Edhe pse ky rivlerësim nuk mund të bëhet brenda natës, gjatë fundjavës mund të ndërmerren hapa në drejtimin e duhur. Prioritet më të lartë në Newport do të ketë gjetja e një përgjigjeje për situatën në Evropën Lindore. Por vendimet për të tanishmen duhet të merren së bashku me diskutimet për vizioninin e një NATO-je të re, një vizion që u jep shtysë të re aleatëve dhe partnerëve, dhe përmes së cilës ata mund të formësojnë vetë një sistem të ri të sigurisë transatlantike, në vend që vetëm të reagojnë.

Ajo që është prej kohësh e qartë është se ky vit do të jetë vit tranzicioni për NATO-n. Fundi i misionit ISAF që udhëhiqet nga NATO në Afganistan, tërheqja e trupave nga atje dhe kalimi në një program trajnim, mbështetjeje dhe mision këshillues - të gjitha këto janë kritike për Aleancën, e cila është e rraskapitur pas gati dymbëdhjetë vjetësh luftë.

Veprimet e Rusisë në Krime dhe në Ukrainë lindore i ka dhënë këtij viti tranzicioni edhe më tepër urgjencë dhe intensitet dhe kanë treguar kërcënimet afatgjata që mund të shfaqen ndaj sigurisë dhe stabilitetit në kufirin lindor të NATO-s. Kriza e vazhdueshme ka shkaktuar frikë ekzistenciale ndër anëtarët lindorë të NATO-s dhe tek partnerët nordikë. Ajo ka ngjallur shqetësime edhe tek shtetet jo anëtare në Evropën Juglindore dhe Lindore dhe ka ngritur pyetje mbi strukturën e ardhshme të anëtarësimit. Pasi t'u jepet përgjigje atyre, ato pothuajse me siguri do të provokojë një reagim rus.

Tate Nurkin
Tate NurkinFotografi: IHS Jane's Defence

Shqetësimi në Evropën Lindore është forcuar sidomos nga mënyra se si u zhvillua kriza e Krimesë. Krimeja nuk u aneksuar me forcë ushtarake konvencionale, por përmes përdorimit inovativ të forcës ushtarake: aty depërtuan burra të veshur me uniforma "të gjelbra", në afërsi të kufirit me Ukrainën u zhvilluan manovra të gjera, krahas tyre u hodhën në qarkullim informacione specifike apo dezinformata si dhe u nxit nacionalizmi. Ishte një përzierje e frikësimit, propagandës, veprimeve luftarake dhe pushtimit, por jo një luftë e vërtetë. Anëtarët e NATO-s në kufir me Ukrainën ose me Rusinë e vunë re se Aleanca nuk ishte aspak e përgatitur për këtë strategji, dhe - edhe jë që është edhe më shqetësuese - është se kjo taktikë mund të përdoret gjithashtu dhe në vende të tjera ku ka pakica të mëdha ruse, sidomos në tri vendet baltike.

Rreziqe nga shumë drejtime

Edhe konfliktet e armatosura në Afrikën Perëndimore, Libi, Siri dhe Irak e shqetësojnë NATO-n, veçanërisht shtetet anëtare që mund të preken më tepër nga përhapja e dhunës, armëve dhe e ekstremizmit përreth Mesdheut. Përveç kësaj, Aleancës i duhet të përballet edhe me luftën kundër rreziqeve asimetrike, si sulmet përmes internetit dhe dëmtimet në infrastrukturë. Dhe së fundi të gjitha këto ndodhin në sfondin që SHBA përpiqen për të përballuar konkurrencën strategjike në rritje me Kinën.

Se si mund të vihen prioritetet e duhura në këtë listë në rritje konfliktesh urgjente dhe se mund të njësohen ato në përputhje me perceptimet në shteteve të ndryshme anëtare, nuk është një detyrë e lehtë. Kjo bëhet sidomos e qartë në sfondin e marrëdhënieve të tensionuara transatlantike kohët e fundit dhe të faktit se buxhetet për mbrojtjen të shumicës së vendeve të NATO-s ose kanë mbetur në të njëjtin nivel ose madje janë ulur.

Buxhetet e mbrojtjes

Vendet e NATO-s janë duke i ulur me shpejtësi shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Sipas llogaritjeve 13 nga 20 rastet më të shpejta të pakësimit të buxheteve të mbrojtjes gjatë periudhës 2012-2014 konstatohen në vende anëtare ose partnere të NATO-s. Ndërkohë që Rusia i kaloi në vitin 2012 sa i përket buxhetit të mbrojtjes Britaninë e Madhe dhe Francën duke u renditur sërish ndër vendet e para në botë.

Që nga aneksimi i Krimesë disa vende të Evropës Lindore kanë njoftuar se duan të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Por shkurtimet e buxhetit, mungesa e vullnetit politik dhe pasiguria në lidhje me numrin he strukturën e forcave të armatosura kanë ndikim ndaj ushtrive të mëdha të NATO-s.

NATO gjendet në Newport përballë një situate që karakterizohet kryesisht nga pasiguria e madhe dhe është e ngarkuar nga një instinkt mbrojtës në dobësim përballë sfidës më të madhe: një përparimi rus drejt Evropës Lindore.

Në këtë situatë të re NATO-s i duhet të marrë vendime të rëndësishme rreth qëndrimit ndaj Rusisë. Por ta bësh këtë pa një perspektivë afatgjatë është e diskutueshme. Sikurse dhe për t'i lënë jashtë vëmendjes kritike pasiguritë, që formësojnë sigurinë e ardhshme transatlantike. E gjithë kjo do të çojë në një aleancë që është e mbingarkuar, e fragmentuar apo e tërhequr. E parë në parim: kjo do të sjell në mendje një të ardhme në të cilën kjo aleancë e fuqishme ushtarake nuk do të jetë e përgatitur në mënyrë optimale për të siguruar në një kohë që po bëhet gjithnjë e më e pasigurt një Evropë të qëndrueshme dhe të sigurt.

Tate Nurkin është drejtor i Institutit për Studime Ushtarake #link:http://www.janes.com/defence/:IHS Jane's Defence#.