1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një nga masakrat më të mëdha të kohës së nacionalsocializmit në Sllovaki

Tim Assmann10 Shtator 2004

Gati 60 vjet pas përmbysjes së regjimit nacionalsocialist në Gjermani në Mynih ka filluar procesi i fundit kundër një krimineli të luftës. 86 vjeçari Ladislav Niznanski prej të enjtes ndodhet para trupit gjykues për krime të rënda i cili e bën atë përgjegjës për vrasjen e 164 njerëzve.

https://p.dw.com/p/Ar5p
I akuzuari për krime lufte Ladislav Niznanski
I akuzuari për krime lufte Ladislav NiznanskiFotografi: dpa


I sigurt në vete qëndron Ladislav Niznanski para fotografëve dhe kamerave në sallën e gjyqit për krime të rënda në Mynih. Edhe pas dy sulmeve në zemër dhe gati një vit arrestimi, 86 vjeçari duket energjik dhe para së gjithash i aftë për tu përgjigjur në pyetjet e gjykatësit. Aktakuza për vrasje e prokurorisë është për të absurde:

"Unë jam i pafajshëm". Dhe gjithashtu ndjehem shumë mirë, tha Niznanski më tej. Leximin e aktakuzës ai e ndjek me përqëndrim të madh.

Për vite të tëra prokurori Konstantin Kuchenbauer ka hetuar rastin, ka marrë në pyetje dëshmitarë në Sllovaki dhe përfundimisht ka rikonstruktuar ngjarjet prej janarit deri në shkurtin e vitit 1945. Njësiti sllovak i grupit mbrojtës gjerman "Luleylli" ka vrarë në tre masakra të ndara 164 njerëz. Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë, në mesin e tyre edhe një foshnje tre muajshe. Sipas prokurorit, kapiteni Ladislav Niznanski jo vetëm që ka dhënë urdhër për ekzekutim por edhe ka pushkatuar me dorë të vet 20 njerëz.

Avokati i të akuzuarit Stefen Ufer lexon pastaj një sqarim: mandanti i tij nuk ka marrë pjesë në masakra, nuk ka vepruar asnjëherë kundër grave dhe fëmijëve dhe nuk ka qenë ithtarë i ideologjisë naziste. Sipas avoktatit Ufer, Niznanski është bërë dash kurbani:

"Gjatë përcjelljes së procedurave të tilla gjithnjë e më shumë bëhet e qartë se mijëra krime të ngjashme nuk janë ndriquar kurrë pasi që për një gjë të tillë nuk ka ekzistuar interesimi. Përgjegjësitë e vërtetë janë urdhërdhënsit gjerman. Me siguri se disa prej tyre jetojnë ende, nëse dikush dëshiron të përkujdeset për ta. Por për një gjë të tillë nuk ekziston vullneti", tha avokati Ufer.

Edhe Niznanski dha disa sqarime. Ai rrëfeu për karrierën e tij ushtarake dhe rolin e tij si agjent i dyfishtë për çekosllovakët dhe amerikanët pas lufte. Në vitet e 50-ta Niznansi vjen në Mynih për të punuar në radiostacionin "Evropa e Lirë". Në vendlindjen e tij dënohet në vitin 1962 me vdekje por në mungesë. Perdja e hekurt mes lindjes dhe perëndimit e mbron Niznansin nga ekstradimi në atdhe.

Procesi aktual po përcuillet me vëmendje në vendlindjen e të akuzuarit, thotë gazetari sllovak Peter Stano.

"Masakrat e kryera në Ostri, Grun, Klak dhe Ksina për të cilat akuzohet Niznanski janë shumë të mëdha dhe janë shkruar me shkronja të mëdha në historinë sllovake pasi që ishin masakrat më të mëdha ndaj popullatës civile të kryera pjesërisht nga sllovakët ndaj sllovakëve", sqaron Stano.

Procesi në Mynih do të vazhdoj pas një jave. Atëherë Niznansi do të tregoj verzionin e tij për masakrat e kryera në fillim të vitit 1945.