1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një pastor kundër komunizmit rumun

Keno Verseck / Auron Dodi23 Dhjetor 2014

Pastori me origjinë hungareze, László Tökés u bë brenda dhe jashtë vendit simbol i kryengritjes kundër diktaturës së Nikolae Çausheskut në Rumani. Revolucioni nisi 25 vjet më parë në Timishoarë.

https://p.dw.com/p/1E8kF
László Tőkés
Fotografi: cc-by-3.0/Szabi237

Qyteti i Rumanisë Perëndimore, Timishoara, në pasditen e 16 dhjetorit 1989: para shtëpisë së pastorit hungarez-të reformuar, László Tőkés, janë mbledhur qindra vetë dhe protestojnë. Tőkés-in duan ta transferojnë në një fshat të largët. Policia e fshehtë Securitates do ta nxjerrë me dhunë atë dhe gruan e tij Edit nga shtëpia e tyre. Kur afrohen policë gatishmërie të armatosur dhe ujëhedhës, gjendja shpirtërore e protestuesve ndryshon. Tani nuk është më puna vetëm te pastori. "Poshtë Çaushesku dhe diktatura", thërrasin protestuesit.
Kryengritja kundër regjimit të diktatorit nacionalist-komunist, Nicolae Çaushesku, ka nisur. Vetëm gjashtë ditë më vonë do të marrë fund sundimi i tij. Por në këtë moment këtë në Rumani nuk e përfytyron askush, as László Tőkés-i. "Unë isha përgatitur për më të keqen", kujton ai në bisedë me Deutsche Wellen. "Unë nuk e besoja dot se do të rrëzohej regjimi i Çausheskut. As e merrja me mend se do të isha unë, që do ta jepja shkëndijën e fillimit për rrëzimin."
László Tőkés, i lindur në vitin 1952, vjen nga një familje teologësh dhe që student është i pozicionuar hapur kundër komunizmit. Si pastor i ri ai për një kohë të gjatë e ka të ndaluar ta ushtrojë profesionin. Në vitin 1988 ai nis të predikojë që nga katedra kundër shkatërrimit të planifikuar të fshatit - Çaushesku ka në plan të rrafshojë 7000 fshatra dhe të ngrejë në vend të tyre të ashtuquajtura qendra agro-industriale.
I përndjekur nga Securitate
"Unë veproja për arsye fetare dhe morale", thotë Tőkés. Kaq pak sa e parashikon Tőkés një fund të diktaturës, aq më shumë e ndien veten në siguri diktatori. Në nëntor 1989, kur në shtetet e tjera satelite të Bashkimit Sovjetik kanë ndodhur prej kohësh shndërrime rrënjësore, Çaushesku konfirmohet me brohoritje si "udhëheqës" në një kongres partie. Në 17 dhjetor 1989 ai jep urdhër për të hapur zjarr kundër kryengritësve në Timishoara. Dyzina njerëzish vriten, qindra plagosen. Megjithatë në 20 dhjetor 1989 ushtria dhe policia e humbasin kontrollin dhe kryengritësit e deklarojnë Timishoarën "qytetin e parë të lirë të Rumanisë."
Kur në këtë ditë Çaushesku mban një fjalim televiziv dhe flet për "provokime fashiste" në Timishoarë, ky është sinjali për kryengritje edhe në pjesën tjetër të vendit. Më pak se 48 orë më vonë, në mesditën e 22 dhjetorit 1989, diktatori Çaushesku dhe gruaja e tij Elena marrin arratinë nga Bukureshti dhe arrestohen vetëm pak orë më vonë.
Tőkés e prish shpejt me pushtetmbajtësit e rinj
László Tőkés-in e patën dërguar që në 17 dhjetor me dhunë në fshatin Mineu në Rumaninë e Veriut. Atje ata mësojnë për fundin e diktaturës. Pastori bëhet brenda dhe jashtë vendit simbol i kryengritjes kundër diktaturës, shpejt është anëtar edhe i Këshillit Provizor Drejtues të Rumanisë. Por shpejt László Tőkés e prish me pushtetmbajtësit e rinj. Në shumicën e tyre ata janë ish-funksionarë të diktaturës, mbi të gjitha kryetari provizor i shtetit, Ion Iliescu. Dikur ai kishte qenë nxënës i Çausheskut, pastaj e humbi mbështetjen e tij, por kurrë nuk e pati prishur hapur me sistemin.
Ajo që është edhe më e rëndë për László Tőkés-in: ideologët centristë të Rumanisë së Çauesheskut të partisë dhe të shërbimit të fshehtë u riorganizuan dhe ndërmarrin fushata të fëlliqura nacionaliste. "Kthesa në Rumani pas vitit 1989 në të vërtetë nuk ndodhi kurrë", thotë László Tőkés duke hedhur vështrimin pas. "Ose, siç thonë rumunët: Revolucionin e vodhën."

Statujë e rrëzuar e Leninit në Rumani 1990
Statuja e rrëzuar e Leninit në Rumani 1990Fotografi: picture alliance/dpa
Demonstruesit në Bjukuresht festojnë rrëzimine pushtetit 1989
Demonstruesit në Bjukuresht festojnë rrëzimine pushtetit, 1989Fotografi: ullstein bild - Reuters