1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një shoqëri e tërë në qorrsokak - Nga vjen dhuna në Greqi?

Elert Ajazaj10 Dhjetor 2008

Shteti ligjor është në rrezik, demokracia gjendet në krizë, kryetituj të cilët nuk do t'i lokalizonim në Evropë. Që prej fundjavës ata vijnë nga Greqia. Pas vdekjes së një 15 vjeçari prej policisë vendi nuk gjen qetësi.

https://p.dw.com/p/GCbc
Protesta në Greqi
Protesta në GreqiFotografi: AP

"Ajo që ngjau është tragjike. Ka vdekur një bashkëqytetar. Dhe për sa kohë politika mbulon policinë, për aq kohë do të ketë vrasje."


Thënia e kësaj nxënëseje pasqyron jo vetëm atmosferën tek të rinjtë në Greqi, por ndërkohë edhe në shoqërinë e gjerë. Që prej fundit të diktaturës ushtarake në vitin 1974 kanë humbur jetën 15 shtetas si pasojë e dhunës policore. Këtu nuk mund të flitet për raste të veçanta, mendon gazetari Grigoris Rubanis i së përditshmes së majtë Elevterotipia: "Ngjarjet kanë të bëjnë me qëndrimin e policisë kundrejt shoqërisë. Për arsye të caktuara policia beson se mund ta marrë vetë ligjin në dorë. Vitin e kaluar u rrah për spital një student nga policët; familjes së tij iu desh t'u drejtohej gjykatave evropiane për të fituar të drejtë. Kemi veprime të skajshme të policisë kundër të huajve, kundër romëve, kundër të papunëve. Policia duket si dora e gjatë i ligjit."

Kryeministri grek Costas Karamanlis
Kryeministri grek, Costas KaramanlisFotografi: picture-alliance/ dpa

Që prej fundjavës emisione të veçanta informojnë për trazirat dhe demonstratat dhe në diskutime kërkohet për shpjegime, veçanërisht për përplasjet e përsëritura midis policisë dhe qytetarëve. Bëhet fjalë për forca sigurie të paguara keq dhe të përgatutura keq. Por për gazetarin e të përditshmes Elevterotipia, arsyeja e vërtetë për dhunën policore gjendet në historinë e pasluftës të Greqisë, në luftën civile që shpërtheu me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe që zgjati deri në vitin 1949: "Në luftën civile nuk fitoi thjesht e djathta, ajo i la shoqërisë trashëgimi një mendësi të caktuar. Një mendësi arbitrariteti kundrejt cilitdo që vë në pikëpyetje shunën shtetërore.

Athinë, 7 dhjetor, 2008.
Athinë, 7 dhjetor, 2008.Fotografi: AP

Dhe pikërisht në këtë frymë është mbërthyer policia greke. Një sllogan i pëlqyer në radhët e saj ka qenë gjithnjë: "Kundër së majtës dhe simpatizantëve të saj". Kush e vinte në pikëpyetje arbitraritetin e policisë ishte ose komunist ose simpatizant. Dhe në polici mbizotëron deri sot qëndrimi se dhuna shtetërore mund të hakmerret tek pjesa tjetër e shoqërisë. Këto janë pasoja të vonëta të luftës civile."


Një adoleshent është arrestuar nga policia - 9 dhjetor, 2008.
Një adoleshent është arrestuar nga policia - 9 dhjetor, 2008.Fotografi: AP

Në fjalën e tij të hënën drejtuar kombit, kryeministri konservator Kostas Karamanlis, u përpoq të tregonte përmbajtje dhe tha se pushteti shtetëror nuk do t'i toleronte trazirat. Por huliganizmi në rrugë vazhdon. Ndërkohë nuk janë më vetëm autonomët; gjatë ditës të hënën kishte shkolla të tëra në rrugë. Siç mendon edhe gazetari Rubanis, ekziston potencial për protesta të gjera.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë