1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një shtresë e romëve, ashkalinjve, egjiptasve jetojnë ende në kampe refugjatësh

Bekim Shehu29 Shtator 2006

Në Prishtinë po zhvillohet konferenca për marrëdhëniet ndëretnike, e cila për qëllim ka integrimin e pakicave në Kosovë dhe kthimin e të zhvendosurve.

https://p.dw.com/p/ArcF
Prishtina
PrishtinaFotografi: AP

Integrimi i pakicave në Kosovë dhe kthimi i të zhvendosurve janë dy çështje thelbësore që duhen të gjejnë zgjidhje, në mënyrë që Kosova të renditet ndër vendet evropiane, ku respektohen të drejtat e njeriut. Kështu u tha në një konferencë që po zhvillohet në Prishtinë, nga projekti për marrëdhënie ndëretnike dhe ku po flitet për integrimin e pakicave joserbe në shoqërine kosovare.


Shqetësimi i pjesëmarrësve në këtë konferencë, ishte gjendja e rëndë e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve, disa nga të cilët akoma jetojnë në kampe. U morën shembull, tri kampe rome në veri të Kosovës vendbanime këto të cilat janë cilësuar të rrezikshme për shendetin e tyre për faktin që kampet gjenden afër kompleksit industrial Trepça dhe përmbajnë sasi të konsiderueshme plumbi.

Është propozuar që kampet të mbyllen për gjashtë muaj, ndërkohë që ato vazhdojnë të ekzistojnë edhe gjashtë vjet pas luftës, tha shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker.

Në këtë linjë ai kërkoi ndihmë nga donatorët për dekontaktimin e këtyre kampeve, të cilat vazhdojnë të cilësohen rrezik për shëndetin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve. Qeveria e Kosovës, nga ana e saj ka ofruar disa zgjidhje duke projektuar ndërtimin e disa
shtëpive për romët. Mirëpo këta të fundit nuk kanë pranuar të zhvendosen në lokacionet e caktuara nga qeveria, por kanë kërkuar që shtëpitë e tyre të ndërtohen në mëhallën e romëve, në pjesën jugore të Mitrovicës. Kjo tash për tash është e pamundur për shkak të mungesës së dokumenteve të pronësisë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nga ana e tij thotë se Kosova do të respektojë të drejtat e pakicave në Kosovë të bazuara në konventat ndërkombëtare dhe ato sipas tij do t'i ratifikojë në kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, kërkoi nga institucionet e Kosovës që të riorganizojnë procesin e regjistrimit të të gjithë atyre që janë zhvendosur nga Kosova dhe që kanë origjinë kosovare në mënyrë që t'u mundësohet kthimi në Kosovë. Kjo është parakusht i vënë edhe nga Grupi i Kontaktit në mënyrë që Kosova të plotësojë standardet e përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar.