1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një vendim që duhej marrë me kohë - Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Laurenc Majer, jep dorëheqjen

Ralf Bosen22 Dhjetor 2004

Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, partisë kristjandemokrate në opozitë në Gjermani, Laurenc Majer, dha dorëheqjen. Ky vendim u bë i pashmangshëm pas kritikave në rritje në adresë të tij për shkak të pagesave shtesë që ka pranuar ai nga koncerni i energjetikës RWE. Majer dikur ka punuar për këtë koncern, por edhe pas largimit të tij emri i politikanit kristjandemokrat vazhdonte të ishte në listën e pagave të koncernit.

https://p.dw.com/p/Ar58
Laurenc Majer duke deklaruar dorëheqjen
Laurenc Majer duke deklaruar dorëheqjenFotografi: AP

Kish ardhur koha që Laurenc Majer të mos e shtynte më dorëheqjen nga posti. Madje atij iu desh të konstatojë, se aktualisht ai më shumë po e dëmton, se sa po i shërben partisë, kështu u shpreh Majer në konferencën e shtypit. E ai ka të drejtë me këtë që thotë. Pikërisht në kohët kur gjermanëve u duhet ta shtrëngojnë rripin, sekretari i përgjithshëm që konsiderohet si i babëzitur për para nuk mund të mbahej më në post. Pagesat e koncernit të energjetikës RëE ndonëse nuk mund të kontestohen juridikisht janë të papranueshme moralisht. Le të ngushëllohemi tani nga fakti që më në fund kryetarja e partisë Angela Merkel pas dyerve të mbyllura tha një fjalë të pushtetshme, për të parandaluar dëmin e mëtejshëm ndaj partisë. Por dorëheqja e Majerit nuk është vetëm një çështje e higjenës politike, por edhe e kalkulimit politik. Kjo pasi në prag janë zgjedhjet për parlamentet e landeve. Në Shlesvig-Holshtajn në shkurt dhe në Nordrajn-Vestafli në maj CDU-ja synon fitoren dhe paskëtaj Angela Merkel mund të prezantohet si kandidate e opozitës për kancelare. Një sekretar i përgjithshëm, i cili nuk gëzon më mbështetjen e partisë do ta rrezikonte këtë plan.

Fakti që pikërisht Majer, që ka hapur debatin për çështjen e vlerave dhe të patriotizmit dhe që kërkonte nga populli dhe qeveria rrespekt dhe lëshime, katandisi së fundi në titujt kryesorë të kritikës, gjë që e bën rastin edhe më delikat. Ky njeri duhej të largohej. Çdo vendim tjetër do ta bënte të pabesueshme partinë kristjandemokrate. Frena e emergjencës duhej aktivizuar me kohë.

Shtrohet pyetja, përse Merkel u kap kaq gjatë pas Laurenc Majerit. Ndoshta e nisur nga ndjenja e besimit, pasi ai gjithmonë ka qenë një nga bahskëluftëtarët besnikë të saj. Por besnikëria në biznesin e përditshëm të politikës ka vlerë të paqëdnrueshme. Me siguri që ka pasur një arësye krejt tjetër. Një arësye, që do ta preokupojë edhe më tej partinë kristjandemokrate dhe simotrën e saj kristjansociale. Edhe kur çështja Majer të jetë mbyllur nëpër dosje, partinë do ta preokupojë problemi i personelit. Gjatë muajve të fundit unionit i është dashur të përballojë një hemoragji të jashtëzakonshme në personel. Pas largimit të nënkryetarit të grupit parlamentar dhe zëdhënësit të politikës ekonomike Friedrich Merz si dhe ekspertit të shëndetësisë Horst Sehofer partisë i mungojnë politikanët e kalibrit. Të tjerë politikanë me peshë në parti janë të armiqësuar me kryetaren Merkel dhe konkurrojnë me të për të qenë kandidatë për kancelar. E pra pothuajse nuk ka mbetur askush që të mund të hyjë ne betejën e ardhshme elektorale me Merkelin. Merkelit po i vështirësohet situata gjithnjë e më shumë e bashkë me të edhe partisë.

Rasti Majer reflekton përtej kufijve të kristjandemokrate. Për të gjitha partitë ky rast tregon, se sa e vështirë është të përcaktohet, se çfarë lejohet të bëjë një politikan dhe çfarë jo. Shumë qytetarë prej kohqësh shtrojnë pyetjen, përse përfaqësuesit e popullit marrin përsipër detyra për të cilat nuk janë zgjedhur. Ndaj rasti Majer duhet të shfrytëzohet si një shans që në të ardhmen gjërat të bëhen më mirë. Tani në Gjermani duhet të ndriçohet zona e errët e së ashtuquajturës Gjermania shoqëri aksionare. Çdo politikan duhet t´i paraqesë të plota të ardhurat shtesë dhe duhet të bëjë një diferencim të qartë mes postit dhe aktiviteteve dytësore në ekonomi. Në fund të fundit ne duhet ta dimë, nëse zgjedhim përfaqësues të popullit, apo përfaqësues të grupeve me interesa të ndryshme.