1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një vit pas atentatit terrorist ndaj revistës Charlie Hebdo

Susanna Dörhage8 Janar 2016

7 dhe 9 janari 2015 ishin ditë tragjike për Francën e Evropën. Një vit ka kaluar tanimë pas atentatit terrorist kundër revistës satirike "Charlie Hebdo" dhe një supermarketi hebre në Paris ku humbën jetën 17 vetë.

https://p.dw.com/p/1Ha2S
Fotografi: DW/E. Servettaz

Ndoshta numri i viktimave do të ishte edhe më i lartë sikur një djalë i ri mysliman, Lassana Bathily, të mos i kishte fshehur njerëzit në dhomën frigorifer të supermarketit. Atë sot e nderon jo vetëm e gjithë Franca. Por para se të bëhej nënshtetas francez, Lassana Bathily jetonte prej 9 vjetësh si emigrant ilegal në Francë dhe thuajse e kishte humbur shpresën se një ditë do ta merrte nënshtetësinë franceze. "Që fëmijë ëndërroja për të marrë nënshtetësinë franceze. Tani ëndërra u bë realitet dhe jam tepër i gëzuar." - thotë Lassana Bathily.

Çertifikatë trimërie

Lassana Bathily është i njohur në të gjithë Francën dhe u nderua zyrtarisht dhe me një certifikatë trimërie dhe një vend nderi në ceremoninë përkujtimore për viktimat e terrorit një vit më parë.

Frankreich Verleihung vom Helden Lassana Bathily
Fotografi: picture alliance/dpa

Pas sulmit në redaktsinë e revistës satirike Charlie Hebdo terroristët islamikë sulmuan dhe një supermarket hebre, ku punonte Bathily. Më 9 janar, kur në supermarket shpërtheu paniku Battlily po stivoste kuti poshtë në depo. "Fillimisht mendova se zhurma vinte ngaqë ndonjë makine i ishte çarë goma në autostradë. Por pastaj në depo erdhën disa klientë që thërrisnin, aty është një terrorist. I drejtova klientët tek dhoma frigorifer, që të fshiheshin. U ofrova edhe ashensorin e mallrave që të dilnin jashtë. Por ata nuk donin. Se terroristi mund ta dëgjonte ashensorin e mallrave dhe mund t'i priste lart para derës së ashensorit." - tregon Lassana Bathily.

Kurajo civile

Bathily doli vetëm me ashensorin e mallrave jashtë për të ndihmuar policinë për të përgatitur ndërhyrjen, sepse ai e njihte planimetrinë e ndërtesës. Ishte një situatë shumë e rrezikshme. Brenda ishte terroristi Coulibaly, që vrau njerëz dhe mori pengje. Punonjësit e supermarketit janë ende traumatizuar. Dhe e shohin Battily si heroin e tyre. "Unë kam humbur një mik, të riun Yohan Cohan, që ishte në fillim të 20-tave. Lassana më përqafoi. Qava, kjo është normale. Unë i jam shumë mirënjohës Lassanas për guximin që tregoi dhe që shpëtoi kaq shumë njerëz, punonjës dhe klientë." - tregon një prej punonjësve të supermarketit.

Malian Lassana Bathily
Fotografi: Guillot/AFP/Getty Images

Mysliman i devotshëm

Bathily është mysliman i devotshëm. Kjo është arsyeja pse duhej t'i shpëtonte njerëzit, thotë ai. Por kjo ndoshta nuk është një gjë e natyrshme për të gjithë bashkëbesimtarët e tij. "Gjithmonë më pyesin pse ke shpëtuar hebrejtë. Kjo pyetje më bllokon. Unë nuk mendove nëse ata njerëz ishin hebrej. Unë desha vetëm që ata të gjithë të shpëtonin gjallë nga dyqani." - thotë ai.

Fëmijëri e lumtur

Bathily është rritur në Mali, dhe ka pasur një fëmijëri të lumtur atje. Si për ironi nga një fshat fqinj vjen familja e vrasësit Coulibaly. Por ai u rrit në periferi të Parisit, në mes adoleshentësh të dhunshëm dhe nën ndikimin e islamistëve. "Në fshatin tonë të gjithë fëmijët e bashkësisë janë edukuar që t'i respektojnë të tjerët. Te ne, ka pasur edhe të krishterë. Por ne si myslimanë dhe të krishterë ishim të barabartë. Ne visheshim njësoj dhe festat fetare i kemi festuar së bashku. Kurrë nuk ka pasur probleme." - tregon Bathily.

Problemet nisën kur erdhi në vendin e tij të ëndërrave Francë. Gjashtë vjet atij i duhej të jentonte këtu në një dhomë dhjetë metra katror me tre emigrantë të tjerë ilegalë. Një kohë që ai nuk do ta kujtojë me qejf.

Ëndrra ime tani është t'u ndihmoj njerëzve

Bathily tani jeton jetën e një francezi mesatar me një apartament të vogël dhe një punë në Bashkinë e Parisit. Si askush tjetër ai tregoi kurajo civile, madje duke vënë në rrezik dhe jetën e tij. "Ëndrra ime është t'u ndihmoj tani njerëzve këtu. Unë pata fat, tani kam dokumentet. Disa të tjerë presin dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet për lejen e qëndrimit, ndërsa familjet e tyre i kanë në Afrikë." - thotë Bathily.

Frankreich Erster Jahrestag Charlie Hebdo Anschläge Grafitti
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Meyer

Solidaritet me familjet e viktimave

Sot ai është një nga mijërat që shprehin solidaritetin e tyre me familjet dhe viktimat e sulmeve terroriste në Paris. Ndërkohë që në nëntor terroristët vranë përsëri njerëz në disa vende në kryeqytetin francez. Jo larg banesës së Bathilysë. "Një vit më parë, miliona francezë dolën në rrugë kundër terrorit. Megjithatë në nëntor pati sulme të reja me më shumë se 130 të vdekur. Përfundimisht duhet të bëhet diçka për të ndaluar urrejtjen. Masakrat ndaj të pafajshmëve duhet të marrin fund." - thotë Lassana Bathily.

Përjetimet e tij Bathily i ka përmbledhur tani në një libër. Ky është kontributi i tij në luftë kundër terrorit.