1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njohje më e shpejtë e diplomave të huaja

Marina Strauß10 Dhjetor 2015

Çfarë mëson në shkollë në Siri një teknik kaldajash? Po një shkollim profesional për marangoz, si zhvillohet në Poloni? Përgjigje për këtë gjen në Portalin e Kualifikimeve Profesionale.

https://p.dw.com/p/1HKtC
Deutschland ausländische Experten
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në platformën online sipërmarrjet dhe shoqatat profesionale mund të gjejnë të dhëna për shkollimin në profesione të caktuara në shtete të tjera dhe për sistemet arsimore atje. Të dhënat mblidhen ndër të tjera nga Daniel Wörndl nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Këln. Në vende si Siria, ku ka shpërthyer lufta, puna kërkimore shpesh është e vështirë. Wörndl dhe kolegët e tij kanë mbledhur shumë përvojë në këtë drejtim. "Kontaktet që ke vendosur papritur edhe ndërpriten, fjala është për kontakte me telefon ose me email. Për javë të tëra ne nuk kemi më kontakt me një person ose nuk e dimë nëse ai vazhdon të punojë atje apo ka ikur tashmë nga vendi."

Wörndl dhe ekipi i tij kanë qenë megjithatë në gjendje të gjejnë programe shkollore -për gjithsej 40 profesione të ndryshme në Siri. Midis tyre edhe për teknikë për pajisjet e ngrohjes dhe për inxhinjeri elektrike. Profesione, për të cilat firmat gjermane kërkojnë fuqi punëtore të kualifikuar. Në Gjermani, migrantët kanë që prej vitit 2012 të drejtë që të kërkojnë verifikimin nëse dëshmia profesionale që kanë është e barazvlershme me atë gjermane.

Portali i kualifikimeve profesionale ekziston madje që prej vitit 2011. Atë e financon Ministria Federale për Ekonominë dhe Energjinë. Rreth një dyzinë bashkëpunëtorë të Institutit të Ekonomisë Gjermane kanë mbledhur informacione për më shumë se 70 vende dhe gati 1500 profile profesionesh.

"Ne kemi një ekip të përzier nga pikëpamja kulturore, njerëz nga profesione të ndryshme dhe që dinë shumë gjuhë. Në projektin tonë ne mbulojmë 17 gjuhë dhe kështu mund të telefonojmë pa problem ose të shkruajmë emaile me shumicën e vendeve."

Veç kësaj, 345 përdorues punojnë në mënyrë aktive në portal. Përdoruesit janë bashkëpunëtorë të shoqatave e dhomave të ndryshme, për shembull të dhomave të bujqësisë dhe të artizanëve. Të gjitha informacionet mblidhen në mënyrë të decentralizuar dhe janë transparente. Ky është edhe një nga shkaqet, për të cilat portalin e nderuan para pak kohësh edhe me një çmim. "European Public Sector Award" vlerëson idetë inovative, të cilat kërkojnë zgjidhje për sfida të rëndësishme shoqërore. Si për shembull gjendja aktuale e refugjatëve: Wörndl dhe kolegët e tij punojnë aktualisht me këmbëngulje që të mbledhin informacione për plane mësimore nga Afganistani, Pakistani dhe Eritrea.

"Ne shohim se nga cilat vende paraqiten kërkesa më shumë dhe tani nga cilat vende vijnë më shumë refugjatë që kanë një perspektivë të qartë qendrimi dhe që sjellin me vete kualifikime profesionale. Në bazë të këtyre kritereve ne shohim se për cilat vende duhet të bëjmë kërkime."

Në përgjithësi, dhomat profesionale i klasifikojnë katër nga pesë dëshmi të huaja për profesione si "plotësisht të barazvlershme" me ato gjermane. Vetëm katër përqind e kërkesave refuzohen. Njohuritë e gjermanishtes, kur mungojnë megjithatë paraqesin problem. Por lista e shembujve pozitivë është e gjatë. Në të gjen edhe okuliste nga Polonia, mekanikë automjetesh nga Turqia ose ndihmësdentistë nga Shqipëria. Të gjithë këta mund ta ushtrojnë në Gjermani profesionin e tyre.