1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një mik i vërtetë i kafshëve nuk ha kafshë

Julia Vergin
15 Gusht 2018

Në të gjitha kulturat bëhet dallimi mes kafshëve shtëpiake dhe atyre, që vihen në pjatë. Disa kafshë i diskriminojmë, e të tjerat i vlerësojmë, sepse e kemi këtë mundësi. Por askush nuk pyet, nëse lejohet ta bëjmë këtë?

https://p.dw.com/p/339Bk
Rauhhaardackel
Fotografi: picture-alliance/blickwinkel/H. Schmidt-Roeger

Kur unë para 18 vjetësh pushova së ngrëni mish, kjo për një arsye fare të thjeshtë: Unë nuk desha të bëj më dallim mes kafshëve të mia shtëpiake, që i doja shumë dhe qenieve pa emër, të cilat servireshin të copëtuara në pjatën time.

Një mundësi tjetër do të ishte, që unë t'i haja të gjitha ato. Kalin tim po ashtu si edhe derrin e modeluar në salçiçe. Unë i shtrova pyetjen vetes: A mundet që një njeriu që i do kafshët të hajë ndonjë kafshë? "Jo", thotë Gabriela Kompatscher, latiniste dhe studiuese e Shoqatës Studimore Ndërdisiplinore Human Animal Studies.

Linguistë, historianë, filozofë, psikologë dhe skencëtarë të natyrës përpiqen që brenda Human Animal Studies të kuptojnë zhvillimin e marrëdhënies mes njeriut dhe kafshës. Ndër të tjera studiuesit merren edhe me qendrimin mjaft të dyjëzaur të njeriut ndaj llojeve të ndryshme të kafshëve.

Ne e përkëdhelim qenin tonë, ndërsa hamë biftek. Është një vështrim i karakterizuar prej të qenit selektiv ndaj specieve, pra dallimit që kemi ne ndaj kafshëve: disa i duam, e të tjera i hamë, është një diskriminim i bazaur tek lloji, të cilit i përket kafsha. Fatkeqësia e lopës konsiston vetëm në faktin, që ajo nuk është lindur qen.

Indien Kuakheda Rinderhaltung
Fotografi: DW/S. Mishra

A reduktohet e drejta e ekzitencës së kafshës vetëm për t'i shërbyer njeriut? Si ushqim, për argëtim, si kavie eksperimentale? Apo kafshët kanë të drejtë të jetojnë për hirë të tyre? Dhe së fundi: është njeriu kaq superior kundrejt kafshës, ashtu siç ai e mendon këtë si të vetëkuptueshme?

Human Animal Studies është në fakt një shoqatë studimore relativisht e re. Por çështjet, që hulumtojnë shkencëtarët në të janë të hershme. Kompatscher është profesore e lirë në profesion dhe në Universitetin e Innsbruck-ut ajo hulumton tekstet antike dhe të dhënat për raportet e hershme njeri-kafshë. 

Edhe më parë mendimet kanë qenë të ndara. Tezës dominuese kristiane të Mesjetës, se gjithçka, edhe kafshët, janë për njerëzit dhe në dispozicion të tij, iu kundërvu mjeku Celsus. Ai u jepte kafshëve të njëjtat të drejta për jetën e përdorimin e burimeve natyrore si edhe njeriut.

Ecuador - Geröstetes Meerschweinchen Cuy
Fotografi: Imago

Në aspektin biologjik selektivizmi i specieve ka pasur kuptim, thotë Kompatscher. „Mbivlerësimi i llojit vetiak duke nënvleftësuar njëkohësisht llojet e tjera, në radhë të parë mbron vet llojin." Këtyre i janë shtuar përfytyrime religjoze, që e kanë stilizuar njeriun si kurorëzimin e krijesës.

"Supozimi, se njeriu në përgjithësi është superior dhe kafsha duhet të nënshtrohet karakterizon procesin e socializimit të fëmijëvë të vegjël", thotë sociologia Reingard Spannring, që bashkë me Kompatscher ka shkruar librin "Human Animal Studies: Hyrje për studieusit dhe mësimdhënësit".

Disa lloje kafshësh kanë pasur fat, që njeriu i ka bërë ato miq. Por ndërsa tek ne qentë, macet dhe derri i Indisë konsiderohen si kafshë shtëpiake, në Kinë qeni përfundon në tigan, dhe në Amerikën e Jugut derri i Indisë piqet në skarë. Në Indi lopa konsiderohet e shenjtë dhe gëzon statusin e mbrotjes së posaçme.

Edhe pse vrasja e kafshëve është tërësisht e legjitimuar në shoqëri, njeriu asnjëherë nuk është ndierë fort mirë me këtë.  Kompatscher tregon për rituale, me të cilat në Mesjetë kafshës para therjes i luteshin që ajo të jepte miratimin. Po ashtu ajo rrëfen edhe për lutje dhe varrime ceremoniale të eshtrave të kafshëve.

Disa fise afrikane dhe popuj indigjenë edhe sot e kësaj dite i luten presë që t'i falë dhe e falendërojnë sakrifimin e tyre, vëren filozofi Kai Horsthemke, i cili ka studiuar raportin njeri-kasfhë në vendet afrikane.

"Në rajonet rurale edhe kafshët shtëpiake shumë shpesh konsiderohen si indivdë. Krijohen shpesh lidhje të ngushta personale", thotë Horsthemke. Por sa më shumë u afrohesh qyteteve të mëdha, aq më shumë stalla e thertore masive gjen. Një zhvillim, që Horsthemke e shpjegon me globalizimin.

Anë e mbanë atje, ku njerëzit nuk mund të kullosin bagëtinë e ta therin më vet atë, nis procesi i largimit. Vdekja e kafshës bëhet e padukshme. Kafsha humbet jo vetëm individualitetin e vet, sepse ne na serviret e copëtuar, por ne me sukses mund ta harrojmë, që kemi të bëjmë me një kafshë.

Tiertransport
Fotografi: dpa

Na duket sikur nuk ekzistojnë imazhet shokuese nga stallat masive të kafshëve. Ose sikur nuk ekziston dija, që kafshët e ndjejnë dhimbjen njësoj si edhe frikën e stresin.

"Psikologët thonë, që ne në fakt nuk duam t'i torturojmë kafshët. Por ne duam të hamë mish", thotë Gabriela Kompatscher. Krijohet kështu një disonancë njohurishë, një gjendje tensioni mes mendimit dhe veprimit. Në këtë drejtim ndihmojnë logot bio për ta qetësuar ndërgjegjen tonë ose reklamat me lopët e lumtura, që na bëjnë për një çast të besojmë, se kafshët nuk mund të ndihen edhe kaq keq.

Por një çështje thelbësore nuk trajtohet as me qetësimin më efikas të ndërgjegjes. Është fjala për pyetjen, se ç'qendrim kanë vet shkencëtarët e Human Animal Studies. A duhet ne t'i përdorim kafshët për qëllimet tona? T'i hamë ato, t'u rrjepim lëkurën, të eksperimentojmë me to nëpër laboratorë. "Ne e bëjmë këtë, sepse mund ta bëjmë", thotë Spannring. Por a duhet ta bëjmë këtë, në këtë pikë mendimet ndahen. Nëse neve na lejohet ta bëjmë këtë, kjo as që shtrohet fare.