1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Norbert Röttgen: Duhet të bëhemi më realistë

Christoph Heinemann15 Nëntor 2014

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, politikani i CDU Norbert Röttgen paralajmëron që të mos zbukurohet gjendja në Ukrainë. Një zbutje e sanksioneve ndaj Rusisë nuk duhet të diskutohet.

https://p.dw.com/p/1Dnpp
Norbert Röttgen CDU
Fotografi: DW/N. Jolver

Heinemann: Zoti Röttgen, a është Marrëveshja e Minskut një letër e vjetër pa vlerë?

Röttgen: Nga njëra anë ajo nuk është letër e vjetër politike pa vlerë, sepse është një marrëveshje me firmën e Moskës dhe tani të gjithë, Perëndimi dhe Ukraina mund të kërkojnë respektimin e një marrëveshjeje të nënshkruar. Nga ana tjetër, unë besoj se ne duhet të heqim më në fund dorë, edhe në pjesë të politikës gjermane, nga zbukurimi i gjendjes dhe hapja ndaj iluzioneve. Unë të paktën e thashë që në fillim që kjo marrëveshje e Minskut do të shërbejë për ta konsoliduar Putinin për sa i përket pushtetit politik. Kishim të bënim me një bilateralizim të konfliktit, megjithëse kemi një konflikt evropian ndërkombëtar, pra midis Ukrainës dhe Rusisë. Këta nuk janë partnerë të barabartë, por njëri është i godituri ushtarakisht, tjetri fitimtari. Dhe unë nuk shoh askënd që habitet që Rusia e nuk e respekton këtë marrëveshje. Megjithatë për të është folur duke e zbukuruar. Duhet të bëhemi më realistë.

Heinemann: Zoti Röttgen, si shpjegohet që sanksionet kundër Rusisë nuk e bëjnë qeverinë ruse ta ndryshojë pozicionin?

Röttgen: Nuk jam dakord me këtë, sepse do të ishte iluzion që të besohet se sanksionet janë mekanizëm me efekt afatshkurtër...Sanksionet janë shprehje e një vullneti të njësuar politik të Perëndimit, të evropianëve dhe të SHBA, të cilët thonë: këtë ne nuk e pranojmë, atë që ndodh atje. Kjo duhet shprehur edhe konkretisht dhe të thuhet: ky është çmimi dhe në të ne duhet të bëhemi më të parashikueshëm për Putinin, në mënyrë që ai të heqë dorë nga shkallëzime të mëtejshme, sepse ai e di mirë se do të ndëshkohet me sanksione. Gjendja ekonomike e Rusisë është katastrofike. Kjo krijon edhe presion. Po kjo nuk ndodh nga sot nesër. E gjitha do kohën e vet. Sanksionet janë gjithmonë një mekanizëm që luan me kohën. Por bën efekt, me shumë, shumë siguri. Eshtë interesante që Putini nuk vendosi kundërsanksione, në të vërtetë asnjëherë, po me siguri jo në valën e dytë të sanksioneve evropiane. Kjo nuk është fusha ku ai kërkon konflikt.

Intervista u zhvillua nga Christoph Heinemann, Deutschlandfunk.