1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk është çudi që ngjarjet në veriun e Kosovës të ndikohen nga Beogradi

Intervistën e zhvilloi Esat Ahmeti29 Shkurt 2008

'Meqenëse shpallja e njënashme e pavarësisë së Kosovës nuk pranohet as nga Serbia e as nga serbët lokalë nuk është e çuditshme që ngjarjet në veriun e Kosovës të ndikohen nga Beogradi, thotë Mirjana Milutinoviq

https://p.dw.com/p/DFul
Fotografi: DW

Mirjana Milutinoviq është drejtoreshë e Radio Contact Plusit në veriun e Mitrovicës.

Deutsche Welle: Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Mitrovicë?

Mirjana Milutinoviq: Do të thoja se gjendja aktuale në Mitrovicë karakterizohet me protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Ata tubohen çdo ditë në ora 12:44, kjo është një simbolikë për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ata shoqërohen nga punëtorët e nacionalitet serb, të cilët kërkojnë që të kthehen në vendet e tyre të punës, të cilat sipas tyre është dashur t'i lëshojnë nën presion në vitin 1999. Po ashtu ata kërkojnë që gjykata të jetë nën ingerencat e qeverisë së Serbisë. Kjo është ajo çfarë mund të them se është aktuale dhe përsëritet nga dita në ditë.

Dutsche Welle: Sa është i madh ndikimi i Beogradit në zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në Mitrovicë?

Mirjana Milutinoviq: Po morre parasysh që as Serbia e as serbët e Kosovës nuk e pranojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë nuk është e çuditshme që veprimet e caktuara të serbëve të këtushëm dhe vetë gjendja aktuale, konkretisht ngjarjet aktuale janë nën ndikimin e Beogradit. Megjithatë mendoj se njerëzit këtu kanë kaluar viteve të fundit në mjaft situata sa që të jenë në gjendje edhe vet të organizohen dhe të reagojnë në situata të caktuara.

Deutsche Welle: Cili është raporti i serbëve ndaj pavarësisë?

Mirjana Milutinoviq: Mendoj se kur flasim për temën e raporteve të serbëve ndaj pavarësisë së Kosovës nuk mund të thuhet asgjë përveç se paraqitet një ndjenjë përçmimi. Megjithatë edhe pse gjërat po zhvillohen ashtu siç po zhvillohen është shumë me rëndësi të përmendet vendosmëria e serbëve që të mbeten në Kosovë.

Deutsche Welle: Zonja Milutinoviq si janë përcjellur ngjarjet e fundit nga mediat lokale, sa kanë qenë ato profesionale gjatë raportimit?

Deutsche Welle: Ngjarjet përcillen. Kjo është e vetmja çfarë mund të them, do të thotë që ato përcillen. Unë nuk kam nevojë të ju flas juve për rolin e mediave dhe çfarë duhet të jenë ato në situata të këtilla dhe çfarë ndikimesh negative mund të kenë ato. Më duhet të respektoj parimet e mia që të mos flas për mediat e tjera dhe të mos i komentoj ato. Ajo çfarë di unë është se Radio Kontak Plus angazhohet për raportime profesionale dhe që në to të mos ketë gjuhë të urrejtjes. Në përgjithësi mendoj se roli i mediave në situata të tilla duhet të jetë i atillë që të plasoj informacione përmes së cilave nuk përhapet paniku natyrisht përderisa nuk ka arsye dhe vend për panik.