1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110608 Israel Gaza

Clemens Verenkotte / Tel Aviv BR 12 Qershor 2008

Megjithë shtimin e luftimeve me militantët palestinezë Izraeli dëshiron t'u japë një shans përpjekjeve të Egjiptit për ndërmjetësim.

https://p.dw.com/p/EIFo
Ushqime për Rripin e Gazës
Ushqime për Rripin e GazësFotografi: AP

Megjithatë Izraeli theksoi se marshimi i trupave ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës nuk është fshirë nga rendi i ditës. Pas goditjeve me predha nga territoret palestineze në Izrael po shohen zërat që kërkojnë një ndërhyrje ushtarake.

Përpjekjet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit radikal islamik vazhdojnë të ngecin në vend. Izraeli u shpreh i gatshëm që megjithë sulmet palestineze të mos ndërhyjë një herë për një herë ushtarakisht në Rripin e Gazës për t'i dhënë më tepër kohë Egjiptit për të ndërmjetësuar armëpushimin me Hamasin. Pas bisedimesh që zgjatën rreth pesë orë zëdhënësi i qeverisë izraelite, Mark Regev, deklaroi: "Kabineti i Sigurimit vendosi që të mbështesë nismën egjiptiane, për t'u dhënë fund sulmeve të përditshme me predha ndaj civilëve izraelitë prej terroristëve në Gazë.“


Edhe pse Egjiptit po i jepet më tepër kohë për të ndërmjetësuar për armëpushmin me Hamasin radikal islamik forcat ushtarake të Izraelit po përgatiten në rast se bisedat do të dështojnë, tha Regevi. Në prag të mbledhjes së Kabinetit të Sigurimit përpara selisë së kryeministrit Ehud Olmert në Jeruzalem ishin mbledhur një numër banorësh të zonave kufitare, që protestonin duke kërkuar që t'u jepet fund kërcënimit të vazhdueshem të jetës së tyre prej predhave palestineze.


Para disa ditësh edhe disa ministra të qeverisë së Olmertit kërkuan publikisht fillimin e një operacioni të gjërë ushtarak ndaj Rripit të Gazës. Thuhet se edhe gjatë takimit në Jeruzalem Olmert dhe MPJ Livni ishin shprehur për një operacion të gjërë ushtarak, për t'u dhënë fund sulmeve me predha dhe raketa nga ekstremistët palestinezë, kurse Ministri i Mbrojtjes Ehud Barak e kishte refuzuar atë duke sqaruar se ç'mund të ishte në gjendje të bënte ushtria dhe cilat objektiva nuk mund t'i arrinte.