1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060509 Baskenland Lopez

7 Maj 2009

Epokë e re në vendin e baskëve - socialistët dhe konservatorët e zgjodhën të hënën në mbrëmje socialistin Paçi (Patxi) Lopez si kryeministër të ri. Për Lopezin rajoni i baskëve është pa diskutim pjesë e Spanjës.

https://p.dw.com/p/HlAH
Zgjedhjet në vendin e baskëve.
Epokë e re në vendin e baskëve - Zgjedhjet sjellin kryeministër Paçi Lopezin.Fotografi: AP

Ky moment është historik: për herë të parë pas kthimit të Spanjës në demokraci rajoni i baskëve do të qeveriset nga një socialist. Të hënën pasdite Paçi (Patxi) Lopez pranoi zgjedhjen si kryeministër i ri. Me votat e socialistëve dhe të konservatorëve ai mori shumicën absolute në parlament. Në këtë mënyrë, pas gati 30 vjetësh nacionalistët baskë spostohen nga pushteti. Me Paçi Lopezin baskët kanë tani një kryeministër, i cili e vështron rajonin pa diskutim si pjesë të Spanjës. Por socialisti bëri të ditur se do të qeverisë për të gjithë baskët. Para së gjithash ai synon t'i japë fund konfrontimit në rajonin bask. "Unë lutem, që të më jepni besimin për ta bashkuar shoqërinë baske. Duhet të marrë fund konfrontimi politik dhe ne duhet ta lëmë pas kohën e blloqeve që grinden".

Paçi (Patxi) Lopez, kryeministri i ri i vendit të baskëve.
Socialistët dhe konservatorët e zgjodhën të hënën në mbrëmje socialistin Paçi (Patxi) Lopez si kryeministër të ri.Fotografi: AP


Konfrontimi dhe mosmarrëveshjet kanë qenë në rend të ditës në rajonin bask para së gjithash vitet e fundit. Qeveria nacionaliste e paraardhësit në post, Ibareçe (Ibarretxe) tregonte herë pas here simpati për idenë e themelimit të një shteti të pavarur bask. Për të arritur synimet e tyre, nacionalistët nuk u sprapsën as nga dhënia e mbështetjes partive të afërta me ETA-n. Në zgjedhjet e fundit rajonale, separatistët radikalë u përjashtuan për herë të parë. Vërtet që nacionalistët mbetën partia më e fortë, por ata nuk arritën shumicën absolute. Socialistët do të krijojnë tani një qeveri minoriteti, por mund të llogarisnin përsa u përket vendimeve të rëndësishme mbështetjen e konservatorëve. Për Paçi Lopezin, lufta kundër terrorit të ETA-s është në qendër të politikës së tij:


"Detyra ime më e rëndësishme si kryeministër atëherë është që të angazhohem pa u lodhur për lirinë e popullsisë baske. Sepse ka edhe më tej njerëz, të cilët nuk ndihen të lirë në rajonin bask, sepse kërcënohen nga ETA. Unë do të shpreh detyrimin për t'i dhënë fund terrorizmit të ETA-s dhe do të kërkoj për këtë mbështetjen e shtetit dhe të të gjitha forcave demokratike."

Qyteti Santander
Qyteti SantanderFotografi: picture-alliance/ ZB

ETA reagoi që para disa javësh me mënyrën e saj për ndërrimin e pushtetit që po përvijohej dhe e kërcënoi socialistin dhe kabinetin e tij me terror të ri. Paçi Lopezin e pret një detyrë e rëndë. Ai dëshiron ta bashkojë shoqërinë baske, por mbështetet vetëm në votat e partive prospanjolle. Nacionalistët e akuzojnë se ai kërkon ta qeverisë tani rajonin e baskëve që nga Madridi. Por kryeministri i ri e ka të bërë të qartë se është i gatshëm për dialog:


"Në rajonin bask do të lejohen të gjithë të thonë mendimin e tyre. Të gjithë ata, që i vënë në jetë argumentet e tyre me armët e politikës, të fjalëve dhe me votën e tyre në kutinë e votimit. Vetëm për një gjë nuk ka vend në rajonin bask: për bombat dhe pistoletat."


Autor: Cornelia Derichsweiler / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama