1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Nuk ka plan kohor për këtë luftë"

Torsten Teichmann10 Korrik 2006

Kryeministri izraelit mbron qëndrimin e vendit para bashkësisë ndërkombëtare

https://p.dw.com/p/ArL2
Kryeministri izraelit Ehud Olmert
Kryeministri izraelit Ehud OlmertFotografi: AP

Kryeministri izraelit Ehud Olmert e ka lënë të hapur fundin e angazhimit ushtarak në Rripin e Gazës. Misioni do të vazhdojë me "mjete të ndryshme", tha Olmert sot në Jeruzalem. Synimi kryesor është, sipas tij, lirimi i ushtarit izraelit të marrë peng dhe ndalimi i goditjeve palestineze me raketa nga Rripi i Gazës.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert e ka mbrojtur nga kritika e jashtme operacionin ushtarak në Rripin e Gazës. Gjatë një konference për shtyp para gazetarëve ndërkombëtarë ai hodhi poshtë çdo kundërshtim ndaj politikës së tij. Ndërhyrja e ushtrisë me tanke dhe buldozerë, sulmet ajrore dhe goditjet me artileri janë të justifikuara, tha ai:

"Në Izrael nuk kritikohem sepse sulmoj palestinezët, por sepse gjoja nuk ndërmarr aq sa duhet për të mbrojtur izraelitët; sepse nuk i sulmoj edhe më fortë palestinezët; sepse nuk marr masa të të rrepta."

Që prej gati dy javësh operon ushtria izraelite në vijën bregdetare palestineze. Në sulme ajrore në orët e fundit ka pasur përsëri të paktën një të vrarë dhe disa të plagosur në anën palestineze. Ushtria izraelite flet vazhdimisht për sulme ndaj personave të armatosur dhe militantëve të supozuar. Sipas qarqeve palestineze të sigurisë ditët e fundit janë vrarë të paktën 20 civilë. Për këtë arsye Bashkimi Evropian dhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Anan e cilësuan në fundjavë si joproporcional operacionin e ushtrisë izraelite. Olmert u mbrojt duke sulmuar bashkësinë ndërkombëtare:

"Mund të përfytyroj që disa nga vendet, të cilat predikojnë tani, do të kishin bërë shumë më tepër; do të kishin qenë më brutale, më të liga më mizore kundër civilëve në krahasim me minimumin që bëjmë ne për të mbrojtur popullsinë tonë."

Shkak për operacionin "shiu i verës" ishte rrëmbimi i ushtarit izraelit Gilat Shalit mbi dy javë më parë. Shalit është në duart e palestinezëve militantë. Me sa duket në rrëmbim janë përfshirë edhe luftëtarë të Hamasit qeveritar. Ata duan ta lirojnë ushtarin në rast se Izraeli lë të lirë një grup të burgosurish palestinezë për kohë të gjatë. Kjo është e papërfytyrueshme për kryeministrin Olmert:

"Unë mendoj që këmbimi i të burgosurve me një organizatë terroriste, gjakatare si Hamasi do të ishte një gabim i rëndë dhe do ta dëmtonte të ardhmen e Izraelit."

Qeveria në Jeruzalem i arsyeton sulmet e saj ndaj caqeve në Gazë edhe me goditjen e qyteteve izraelite nga raketat palestineze Kasam. Prandaj ushtria kishte goditur që muajt e mëparshëm pozicione të supozuara të militantëve. Për hakmarrje u shkatërrua për shembull një shkollë e Hamasit në Gazë. Prej javë tanket izraelite hedhin nga kufiri municion mbi caqet në Gazë - e gjitha kjo nuk i ka ndaluar militantët palestinezë të lëshojnë raketat e tyre. Një gazetare kanadeze e pyeti kryeministrin, se kur do të ishte i gatshëm të ndalte operacionin e tanishëm:

"Ç'doni të thoni me: kur do të jem i gatshëm të them se kaq është mjaft? Mjaft u mbrojtëm, tani mund të lëshoni më shumë raketa dhe të përpiqeni të dëmtoni izraelitët? Unë do të pushoj me sulmet kur të kem përshtypjen se mund të garantoj siguri për njerëzit në Izrael."

Vetëm një ditë më parë Olmert kishte deklaruar se nuk kishte plan kohor për këtë luftë, siç e quajti. Me sa duket operacioni planifikohet të zgjasë më e pakta edhe dy muaj.