1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuland në Tiranë

Ani Ruci11 Korrik 2016

Ndihmës sekretarja e shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-Aziatike, Victoria Nuland thekson në Tiranë se reforma në drejtësi është bazë për të ardhmen e Shqipërisë. Shqiptarët po presin, tha ajo.

https://p.dw.com/p/1JMrm
Albanien Tirana Sitzung mit Victoria Nuland
Fotografi: DW/A. Ruci

Pas vizitës së saj disa orëshe dje (10.07.2016) në Tiranë, në përfundim të takimeve me autoritetet e larta të Tiranës, Ndihmës sekretarja e shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euro-Aziatike deklaroi në një konferencë shtypi: “Reforma në drejtësi është bazë për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo reformë është një hap i rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë, për të bërë progres në procesin e integrimit dhe për të qenë pjesë e BE. SHBA kanë një propozim të ri, të realizuar nga amabasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e Delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin, që ka mbështetjen time dhe të lidershipit në Uashington” tha Nuland.

Pas takimit të zyrtares së lartë amerikane, Victoria Nuland me politikanët kryesorë në Shqipëri bëhet publik të hënën edhe propozimi i ri për arritjen e kompromisit: Opozita do të ketë më shumë rol në procesin e seleksionimit të kandidaturave për komisionin e Vetingut. Ky propozim përmban ngritjen e një komision ad-hoc me 12 anëtarë, ku secila palë ka numër të barabartë anëtarësh.

Një përpjekje e fundit për të arritur kompromis mes palëve

Vizita e Victoria Nuland në Tiranë është në kuadër të turit të saj në 4 vende të Ballkanit: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi. Vizita e saj në Tiranë duket se është presioni i fundit për të pranuar draftin e reformës në drejtësi, të vlerësuar si të domosdoshëm që BE të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, kur data e caktuar per votim, 21 korriku po afrohet.

PD këmbëngul që forcat politike parlamentare të kenë të drejtën e emërimeve në sistemin gjyqësor. Por PS, në pushtet nuk e pranon këtë dhe këmbëngul që partitë politike të mos kenë asnjë të drejtë në keto emërime. SHBA dhe BE janë përfshirë në procesin e hartimit të draftit për reformën në drejtësi, proces që është mbikqyrur nga Komisioni i Venecias, strukturë kjo e Këshillit të Europës që ofron ekspertizë ligjore. Megjithë takimet e shumta të ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe mesazheve nga Uashingtoni dhe Brukseli, qëndrimi i PD lidhur me të drejtën e partive politike për emërime në sistemin e gjyqësorit nuk ka ndryshuar dhe mbetet kusht per votën e opozites ndaj draftit të reformës ne drejtësi. “Kjo reformë duhet miratuar vetëm me konsensus politik. Nuk ka bazë më të shëndetshme se konsensusi politik. Nuk ka mënyrë tjetër” tha kryetari i PD, Lulzim Basha, pas takimit me Nuland.

Albanien Tirana Sitzung mit Victoria Nuland
Victoria Nuland në TiranëFotografi: Albanian MFA

Propozim hibrid për reformën në drejtësi

Pas takimit me kryeministrin Rama, Nuland deklaroi: “Propozimi është një hibrid që ka element nga idetë e qeverisë dhe të opozitës dhe në përputhje të plotë me draftin e reformës nëdrejtësi. Ai është një përpjekje për të sheshuar mosmarrëveshjet mes palëve. Në emër të Shteteve të Bashkuara u kërkoj të dyve, kryeministrit dhe kreut të opozitës, të përpiqen të bashkohen rreth këtij propozimi në ditët që vijnë. Është koha për të arritur një marrëveshje. Shqiptarët po presin.”

Kombinim i monitorimit ndërkombëtar me sovranitetin shqiptar

Pjesë e mosmarrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës është edhe roli i monitoruesve ndërkombëtarë në procesin e “Vetingut”. Victoria Nuland lidhur me këtë pjesë të propozimit amerikan theksoi që “propozimi është bazuar në dëgjimin shumë të mirë që u ka bërë palëve ambasadori amarikan Donald Lu dhe homologia e tij e Bashkimit Europian, Vlahutin. Ai synon të kombinoje një nivel të duhur të monitorimit ndërkombëtar me mbrojtjen e fortë të sovranitetit shqiptar.” Në njoftimin zyrtar nga Kryeministria, theksohet se kryeministri Rama “ mbetet i hapur për çdo kompromis që nuk cënon thelbin e reformës”. Vetë Rama në një postim në “Twitter” shkruan “për dakortësi të plotë qëndrimesh me ndihmëssekretaren amerikane të shtetit”.