1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama kërkon rregulla etike strikte në ndarjen e posteve

Frank Aischmann22 Nëntor 2008

Barack Obama ka 3000 poste qeveritare për të shpërndarë. Zakonisht shumë prej tyre u jepen miqve të ngushtë, lobiistëve dhe personave të brendshëm në Uashington. Obama dëshëron të veprojë ndryshe A është kjo e mundur?

https://p.dw.com/p/G035
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Barack ObamaFotografi: AP

Duket se Hillary Clinton do të jetë ministre e jashtme e SHBA-ve në qeverinë Obama. E përditshmja "New York Times" njoftoi: Clinton ka thënë se është e gatshme të pranojë postin. Ndoshta Obama ka edhe surpriza të tjera në vendimet për personelin. Zëra për këtë ka plot. Por më i rëndësishëm është premtimi i tij për t'i dhënë fund parimit të ashtuquajtur "derë rrotulluese". Historia e tij është kjo: sa herë që në Shtëpinë e Bardhë vjen një president i ri, në të gjitha ministritë fillon një valë e madhe shkarkimesh. Presidenti i ri sjell me vete zyrtarët e tij politikë. John Fortier nga instituti American Enterprise:


"Numri i këtyre zyrtarëve është rreth 3000. Ministrat, zëvendësit e tyre, asistentët e deri në nivelin e katërt. Në Shtëpinë e Bardhë të gjitha postet zëvendësohen. Këta janë disa vetë. Eshtë një operacion i madh për gjetjen e njerëzve të duhur dhe për shqyrtimin e tyre me të cilin merret edhe FBI-ja. Derisa të marrin postet e tyre qeveritare ata duhet të mbushin shumë formularë ku japin informacion."


Vetë John Fortier nuk do të kalojë në këto ingranazhe. Ai punon në një institut konservator për rrahjen e mendimeve, të ashtuquajtur Think Tank. Këto fabrika mendimesh, të afërta me partitë, vlerësohen si vende elegante parkimi për personelin, ku ai dimëron gjatë mandatit katër ose tetëvjeçar të partisë kundërshtare përpara rikthimit në aparatin qeverisës. Kjo është një nga dyert rrotulluese. Një e vogël.


Dera rrotulluese e cila i ka dhënë namin e keq Uashingtoni, ndodhet në K-Street, një rrugë shumë e frekuentuar në zemër të qytetit, plot me zyra dhe me dendësinë më të madhe të lobiistëve në vend. Kush vjen direkt nga aparati qeverisës punësohet menjëherë nga përfaqësues grupesh të ndryshme interesi, pasi kjo sjell kontakte dhe njohje të qartë të punës aktuale të burokracisë. Kjo vjen era korrupsion ose të paktën konflikti interesash dhe Barack Obama gjatë fushatës elektorale u distancua nga lobiistët:


"Ata nuk kanë paguar fushatën time elektorale, nuk do të ulen në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk do të dominojnë zërin e popullit!"


Nën titullin "Fundi i derës rrotulluese" ekipi i përkohshëm i Obamës njoftoi se e ka seriozisht: në ndarjen e 3000 posteve do të vlejnë rregullat etikë më strikt të të gjitha kohërave. Lobiistët nuk lejohen të kontribuojnë me para për ekipin e Obamës. Nëse do të merren në punë, atëherë jo në fushën e tyre të specialitetit. Anasjelltas vlen një afat prej 12 muajsh gjatë të cilave ata që dalin nga aparati qeverisës nuk mund të punësohen nga grupet e interesave. Obama megjithatë nuk mund të heqë plotësisht dorë nga lobiistët, mendon Curtis Ganz. Ai është profesor i shkencave politike në American University në Uashington:


"Pjesa më e madhe e të emëruarve nga Obama do të jenë njerëz që nga administrata kanë kaluar në organizata jofitimprurëse, biznese apo zyra avokatore, dhe prej këtyre vendeve të punës sjellin përsëri eksperiencë. Senati duhet të miratojë emërimet për postet më të larta por nuk besoj se konflikti i interesave do të jetë temë e rëndësishme. Obama me siguri do t'i shqyrtojë mirë kandidatët e tij."


Një gjë nuk ndodh në emërimet e reja në ministri, thotë Curtis Ganz: që mbështetës bujarë të fushatës elektorale të kërkojnë poste nga presidenti:


"Rruga drejt një posti të rëndësishëm qeveritar nuk mund të blihet. Por mendoj se është e mundur që disa donatorë të mëdhenj të bëhen ambasadorë në vende tërheqëse."