1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama për martesat brenda gjinisë

10 Maj 2012

Toleranca për martesat midis homoseksualëve në SHBA është rritur. Presidenti Obama ka qenë deri tani vetëm për partneritetet e regjistruara të homoseksualëve. Tani ai merr qëndrim të qartë.

https://p.dw.com/p/14tZD
Barack Obama pro martesave homoseksuale
Barack Obama pro martesave homoseksualeFotografi: dapd

Presidenti i SHBA, Barack Obama ka thënë për herë të parë në publik se gejtë dhe lesbiket mund të martohen njësoj si çiftet heteroseksuale.

Në një intervistë për televizionin ABC, Obama tha se: “Unë nuk kam folur deri tani për martesat gej pjesërisht, sepse unë besoja se partneritetet e regjistruara në librat e gjendjes civile, do të mjaftonin. Por, duhet të pranoj, se kam folur vitin e fundit me miq, familje, fqinjë dhe kam ardhur në përfundimin se për mua personalisht është e rëndësishme ta bëj këtë hap dhe të konfirmoj se homoseksualët duhet të lejohen të martohen."

Toleranca ndaj martesave midis homoseksualëve është rritur

Ky fjalim i Obamës, gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, nuk është pa rrezik. Ky qëndrim mund të mobilizojë kundër Obamës, bazën konservatore të republikanëve. Një kalimtar në Nju Jork thotë:

“Unë nuk mendoj se kjo do ta dëmtojë Obamën. Ka shumë homoseksualë. Dhe ata japin po ashtu vota. Kështu që kjo nuk do të jetë humbje për të.”

Dhe një tjetër: “Çdo president duhet ta dijë se populli ka mendime të ndryshme. Por ai e vlerëson kur presidenti është i sinqertë."

Shtëpia e Bardhë pati deklaruar më parë se qëndrimi i Presidentit në këtë çështje është "duke u zhvilluar". Ditët e fundit presioni mbi Presidentin u rrit për të dalë më në fund hapur. Zëvendësi i tij, Joe Biden pati thënë në fundjavë në një intervistë televizive se ndihet "absolutisht mirë", me njohjen e martesave midis homoseksualëve. Obama shpjegoi tani se në rrethin e shokëve të vajzës së tij ka fëmijë me prindër homoseksualë, të cilët kanë ndikuar në krijimin e pikëpamjeve të tij.

Republikanët janë kundër

Ndërkohë që demokratët e Obamës kanë dalë me flamur për të drejtat e gejve dhe lesbikëve, republikanët nuk i pranojnë martesat midis homoseksualëve. Mendimi publik ka ndryshuar dukshëm vitet e fundit në SHBA. Sipas një vlerësimi të Institutit Pew Research Center të bërë në muajin prill, 47 përqind e qytetarëve amerikane përkrahin martesat midis homoseksualëve, ndërkohë që 43 përqind janë kundër. Në vitin 2001 kundër martesave të homoseksualëve ishin 60 përqind e popullsisë.

Ndërkohë martesat e njerëzve me të njëjtën gjini janë të lejuara në gjashtë shtete federale, si dhe në kryeqytet, Uashington. Përveç kësaj, parlamentet e shteteve federale të Uashingtonit dhe Marylandit kanë dhënë dritën e gjelbër për barazimin e partneriteve midis homoseskualëve me martesën midis burrave dhe grave. Megjithatë në këto shtete do të bëhen referendume popullore, të cilat mund të kthejnë ligjin mbrapsht.

Autor: ews/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi