1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama viziton Berlinin

Nina Werkhäuser / Bettina Marx / P. Pani19 Qershor 2013

Agjenda përfshin çështje transatlantike si Marrëveshja e Tregtisë së Lirë dhe mbledhja e të dhënave prej shërbimeve sekrete amerikane.

https://p.dw.com/p/18sae
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kulmi i vizitës së Obamës do të jetë fjala që do të mbajë ai të mërkurën para Portës së Brandenburgut, simboli i bashkimit të qytetit dikur të ndarë. Aty ku dikur kalonte muri i Berlinit 6000 mysafirë e të ftuar do të mblidhen për të dëgjuar presidentin amerikan. Ata janë duke pritur me padurim se çfarë mesazhi ka në bagazhin e tij Obama. Paraardhësi i tij, John F. Kennedy ishte "një berlinez", Ronald Reagan bëri thirrje për të prishur murin, kurse Xhorxh W. Bushi që nuk qe aq i dashur nuk foli nën qiell të hapur.

Fjalimi i dytë në kryeqytet

Para pesë vjetësh Obama mbajti një fjalim në Berlin. Në verën e vitit 2008 ai e vizitoi kryeqytetin gjerman si kandidat presidencial dhe u prit me entuziazëm nga 200.000 berlinezë. Angela Merkel nuk i lejoi atij në atë kohë që të fliste para Portës së Brandenburgut, e cila ka një vlerë simbolike. Dyshohet se Obama ia mori për të keq këtë gjë kancelares dhe se për këtë edhe pse pas zgjedhjes si president i SHBA ka ardhur dy herë në Gjermani, nuk ka qenë në Berlin. Por popullariteti i Obamës në Gjermani nuk është pakësuar.

Obama Rede Siegessäule Berlin Archiv 2008
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndër masat më të mëdha të sigurisë Barack Obama i shoqëruar nga zonja e parë dhe dy vajzat e tyre do të qëndrojnë rreth 25 orë në Berlin. Para se të flasë përpara Portës së Brandenburgut, Obama do të pritet nga presidenti Joachim Gauck në Pallatin Bellevue dhe do të ketë një takim me dyer të mbyllura me kancelaren.

Obama in Berlin Vorbereitungen
Masa të mëdha sigurie për vizitën e ObamasFotografi: picture-alliance/dpa

Agjenda përfshin çështje transatlantike si Marrëveshja e Tregtisë së Lirë dhe mbledhja e të dhënave prej shërbimeve sekrete amerikane, gjë që nuk i pëlqen aspak qeverisë gjermane. Po ashtu Merkel dhe Obama do të diskutojnë gjithashtu rreth luftës civile në Siri. Qeveria e SHBA dëshiron të furnizojë me armë rebelët, qeveria gjermane e sheh këtë me skepticizëm. Gjatë bisedimeve politike të Obamës, gruaja e tij Michelle do të vizitojë Memorialin e Murit dhe atë të Holokaustit në Berlin.

Obama do të takohet edhe me kandidatin e opozitës për kancelar

Vizita e Obamës është mjaft e mirëpritur prej kancelares edhe për shkak të fushatës elektorale. Por Obama ka rezervuar një takim njëorësh edhe për sfidantin e Merkelit në zgjedhje, kandidatin socialdemokrat Peer Steinbrück.

E sigurt është se Obama do të vlerësojë gjatë vizitës së tij lidhjet e ngushta mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do t'i forcojë ato.