1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Oliver Ivanoviq: Nga bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit varet stabiliteti i tërë Ballkanit

17 Tetor 2010

"Serbia deri tani nuk ka marrë ndonjë qëndrim zyrtar ndaj krizës institucionale dhe zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë", thotë në intervistë për DW, Oliver Ivanoviq, Sekretar shteti në Ministrinë e Serbisë për Kosovën.

https://p.dw.com/p/PgJs
Oliver Ivanoviq, Sekretar shteti në Ministrinë e Serbisë për Kosovën
Oliver Ivanoviq, Sekretar shteti në Ministrinë e Serbisë për KosovënFotografi: AP

DW: Qysh nga dita e premte (15.10) është e qartë se në Kosovë do të ketë zgjedhje të reja - të parakohshme apo të jashtëzakonshme. Cili është qëndrimi i Beogradit ndaj këtyre zgjedhjeve?

Ivanoviq: Kjo situatë na ka befasur pak. Sikur të kishim më shumë kohë, çështjen do ta shqyrtonim më mirë. Në këtë situatë dyshoj se do të ndryshojë qëndrimi i Beogradit sa i përket pjesëmarrjes në institucione. Koha është tepër e shkurtër për të marrë ndonjë vendim, i cili do të ishte i kundërt me atë të deritanishmin.

DW: Do të thotë kjo, se Serbia sërish do të bëjë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve?

Ivanoviq: Fatkeqësisht koha është tepër e shkurtër për ndonjë analizë serioze të gjendjes dhe për ndonjë vendim tjetër. Përderisa nuk ke kohë për këto gjëra është më mirë t'i përmbahesh qëndrimit të mëparshëm.

DW: Si do të ndikojë kjo krizë institucionale në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit?

Ivanoviq: Kjo krizë në Kosovë mund të ndikojë, por nuk është e thënë se do të ndikojë në bisedime. Nevoja për bisedime është e madhe. Kjo ëshë kuptuar në Beograd e më duket edhe në Bruksel dhe në Uashington. Vetëm shqiptarët e Kosovës kanë mendim tjetër, sepse nuk e kanë kuptuar seriozitetin e situatës dhe pasojat e mundshme. Instabiliteti politik ka nisur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën e kanë njohur shumë vende, por jo edhe Serbia, e cila ka theksuar se nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj. Në këtë situatë shumë pak po merremi me standardin e jetës. Evropa e ka kuptuar seriozitetin dhe ka nisur një ofensvië, gjë që e dëshmojnë edhe takimet e fundit të Catherine Ashton me përfaqësuesit e Serbisë, të Kosovës dhe të SHBA-së. Edhe shqiptarët do ta kuptojnë se duhet të futen në negociata me Serbinë dhe se duhet të jenë konstruktivë. Por koha e fushatës parazgjedhore është koha më e keqe për negociata serioze dhe konstruktive.

DW: Ju keni thënë se fillimisht do të bisedohet për çështjet e jetës së përditshme në Kosovë e më vonë - pas konstituimit të parlamentit dhe qeverisë së re - edhe për "çështjet serioze". Cilat janë këto "çështje serioze" dhe a do të thotë kjo se Beogradi nuk do të heqë dorë nga negociatat për statusin e Kosovës?

Ivanoviq: Për këtë çështje nuk duhet të flitet shumë, por mendoj se kjo është një temë e pashmangshme. Bisedimet për çështjet teknike në hapin e dytë do të na sjellin tek çështja për të cilën shqiptarët mendojnë se është zgjidhur, e serbët pohojnë të kundërtën. Temat kundërthënëse nuk duhet të vihen në rend të parë, sepse e tërheqin vëmendjen nga çështjet e rëndësishme të jetës së përditshme, që mund të zgjidhen. Me rëndësi është që negociatat të fillojnë dhe që palët të respektojnë njëra - tjetrën. Paqja dhe stabiliteti në Ballkan varen prej këtyre negociatave dhe prej marrëveshjes mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

DW: Zoti Ivanoviq, unë ju kuptoj që Ju duhet të flisni me një gjuhë diplomatike, por unë si gazetar jo. Pra edhe një herë: a keni hequr dorë nga negociatat për çështjen e statusit, apo do të insistoni në hapjen e kësaj teme?


Ivanoviq: Serbia nuk e njeh pavarësinë e njëanshme të Kosovës, që do të thotë se kjo çështje për ne nuk është e zgjidhur. Por Serbia nuk do të insistojë që kjo të jetë tema numër një dhe që që ajo të dominojë mbi çështjet që mund të përmirësojnë kushtet e jetës së përditshme.

Intervistoi Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora