1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Olli Rehn kërkon qëndrim unik ndaj Kosovës

Viron Gjymshana21 Mars 2007

Parlamentarët europianë me qëndrime të ndryshme ndaj Kosovës

https://p.dw.com/p/ArXU
Olli Rehn, Komisioneri i zgjerimit të BE-së
Olli Rehn, Komisioneri i zgjerimit të BE-sëFotografi: AP

Jo më shumë se një javë më parë, Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian debatoi rreth një rezolute për Kosovën, e cila duhej të shprehte qëndrimin e këtij organizmi ndaj kësaj çështjeje, në një kohë që zgjidhja i është kaluar Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por për një votë më shumë kundër, në rezolutën e aprovuar u hoq termi "pavarësi për Kosovën".

Një javë më pas anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ftuan në një debat rreth statusit të ardhshëm të Kosovës dhe perspektivave europiane të Ballkanit Perëndimor, komisionerin përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn. Synimi i këtij takimi ishte bashkërendimi i qëndrimeve të Parlamentit dhe Komisionit Europian ndaj statusit të ardhshëm të Kosovës.

Gjatë debateve që zgjatën rreth një orë e gjysëm zyrtari i lartë i Bashkimit Europian theksoi me forcë nevojën e një qëndrimi unik dhe të përbashkët të BE-së para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bashkimi Europian duhet të mbështetë njëzëri propozimin e Marti Ahtisarit, i cili është një kompromis realist. Ka ardhur koha për zgjidhje, dhe jo për zgjatje. Statukuoja nuk mund të vazhdojë më - nënvizoi Olli Rehn
para europarlamentarëve.

Si edhe gjatë javës së kaluar, edhe gjatë këtij takimi, ranë në sy dy qëndrime të ndryshme të parlamentarëve europianë. Një pjesë u shprehën plotësisht dakort me propozimin e Ahtisarit, por një pjesë tjetër shprehën dyshime, pikëpyetje dhe mëdyshje. Këta të fundit kërkuan më shumë kohë ose një rifillim të procesit të
negociatave të cilat, sipas tyre, duhet të përfundonin në një kompromis të pranuar, sipas tyre jo vetëm nga Prishtina, por edhe nga Beogradi. Frika se mos Kosova bëhej precendent, pra rrugë për tu ndjekur edhe nga popullsi dhe etni të tjera që jetojnë në Europë apo në zonën e Kaukazit dhe më tej, si dhe rreziku i një
konfrontimi me Rusinë, që mund të çojë deri në një veto ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së - ishin disa nga argumentet e europarlamentarëve skeptikë ndaj propozimit të Ahtisarit.

Por Olli Rehn argumentoi se Marti Ahtisari është përpjekur 14 muaj me rradhë që të arrijë në një kompromis ndërmjet palëve, por pa sukses. Nuk ka asnjë garanci se pas 14 muajsh të tjerë do të arrihet në marrëveshja - nënvizoi ai. Nga ana e saj kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Europës Juglindore, eurodeputetja kristiandemokrate gjermane, Doris Pack, u shpreh se asnjë personalitet serb nuk do të pranojë kurrë shkëputjen e Kosovës nga Serbia, pasi do të konsiderohej si tradhtar nga serbët. Prandaj duhet që vendimi për statusin e Kosovës të imponohet nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së - tha ajo.