1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Olmert dhe Abaz vendosin të vazhdojnë negociatat paqësore

Verenkotte, Clemens, Tel Aviv (BR) 9 Janar 2008

Izraelitët dhe palestinezët duan të negociojnë për një marrëveshje paqësore. Për këtë kanë rënë dakord kryeministri izraelit, Ehud Olmert dhe presidenti palestinez, Mahmud Abaz

https://p.dw.com/p/CmtE
Olmert dhe Abaz në pritje të presidentit amerikan Xhorxh Bush
Olmert dhe Abaz në pritje të presidentit amerikan Xhorxh BushFotografi: AP
Gjatë një takimi të shkurtër të nivelit të lartë në rezidencën e kryeministrit izraelit në Jeruzalem, presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz dhe nikoqiri i tij Ehud Olmert ranë dakord për vazhdimin e negociatave paqësore. Zëdhënësi i Olmertit, Mark Regev sqaro se presidenti Abaz dhe kryeministri Olmert kanë ngarkuar sot negociatorët të rifillojnë bisedimet për të gjitha temat thelbësore.

Grup i përbashkët pune

Sipas kësaj të dy kryenegociatorët, ministrja e jashtme izraelite, Tzipi Livni dhe ish-kryeministri Ahmed Kurei duhet të formojnë një grup të përbashkët pune i cili do të mirrej me të ashtuquajturat tema thelbësore të konfliktit që po zgjat me dekada në Lindjen e Mesme: me statusin e Jeruzalemit, me problemin e pazgjidhur të mbi katër milionë refugjatëve palestinezë si dhe vijën kufitare të një shteti të ardhshëm palestinez. Olmert dhe Abaz ranë dakord po ashtu që në të ardhmen të takohen çdo dy javë për të biseduar mbi përparimet dhe ngecjet që do të shënohen gjatë këtij procesi.

Në Jeruzalem disa qindra demonstrues të spektrit politik të djathtë izraelit protestuan të martën kundër çdo përpjekje të kryeministrit Olmert që pjesë lindore të qytetit të aneksuara në vitin 1967 t'u rikthehen pjesërisht palestinezëve. 'Jam këtu për të shprehur mendimin se Jeruzalemi duhet të mbetet i bashkuar nën kontrollin izraelit. Do të ishte gabim të bëhen çfarëdo ndryshimesh, që palestinezëve t'u kalohet kontrolli i pjesëve të Jeruzalemit, kjo do të ishte e rrezikshme për ne'.

Kërkesa e palestinezëve ndaj Bushit

Drejtuesi i negociatave nga pala palestineze Saeb Erekat ndërkaq kërkoi që presidenti amerikan të jetë një lloj gjyqtari dhe të kujdeset që jo vetëm palestinezët por edhe izraelitët t'i përmbahen planit paqësor për Lindjen e Mesme të propozuar para pesë vitesh në Uashington. Erekat: 'Qeveria izraelite mund të zgjedhë: ose rrugën e përleshjeve ushtarake, mureve, ngulimeve ose rrugën e paqës dhe negociatave. Thjesht ne nuk mund të vazhdojmë të ndjekim të dyja rrugët', tha Erekat.