1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinioni dhe politikanët në Gjermani vlerësojnë angazhimin e Papa Gjon Palit të II-të për kapërcimin e ndarjes së Evropës

4 Prill 2005

Edhe ribashkimi i Gjermanisë është meritë e angazhimit të palodhur të Papës, Karol Vojtila, me prejardhje nga Polonia që kishte veçanërisht përzemër pajtimin mes gjermanëve dhe polakëve.

https://p.dw.com/p/Ar4B
Papa Gjon Pali i II-të vizitoi Gjermaninë në vitin 1980
Papa Gjon Pali i II-të vizitoi Gjermaninë në vitin 1980Fotografi: dpa

Në mbarë botën besimtarët katolikë sot mbajnë zi në nderim të kujtimit të Papa Gjon Palit të II-të që ndërroi jetë në moshën 84 vjeçare të shtunën në mbrëmje. Por edhe bashkësitë e tjera fetare përkujtojnë me nderim dhe vlerësojnë kontributin e kreut të kishës katolike për paqen, pajtimin dhe vëllazërimin. Kryetari i konferencës gjermane të peshkopëve, kardinal Karl Lehman theksoi: "Edhe në këto çaste mjaft të vështira për të Papa nuk mendoi për veten. "Unë mendoj për ju", kjo ka qenë motoja e tij gjatë gjithë jetës."

Politikanët në mbarë botën në prononcimet e tyre vlerësojnë veçanërisht angazhimin e Papës për paqen dhe rolin e tij në kapërcimin e ndarjes së Evropës. Edhe politikanët gjermanë theksojnë kontributin e jashtëzakonshëm të Papa Gjon Palit të II-të për ribashkimin e Gjermanisë. Presidenti Horst Köhler në fjalën e tij nënvizoi: "Papa Gjon Pali i dytë ishte shumë i lidhur me vendin tonë. Këtë e dëshmuan edhe vizitat e tij në Gjermani. Papa kishte për zemër pajtimin mes polakëve dhe gjermanëve."

Ndërsa kancelari Gerhard Shrëder vuri në dukje luftën dhe përpjekjet e Papës për një botë më të paqtë dhe më të drejtë. Bashkësia ndërkombëtare që i është mirënjohëse Papës për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm me humbjen e tij ka një zbrazti të madhe. Shrëder vlerësoi: "Papa Gjon Pali i II-të është nderuar prej antarëve të kishës së tij, jo vetëm si kreu i saj, por atë edhe e kanë dashur. Ai ka fituar respektin e madh dhe dashurinë jo vetëm të katolikëve por edhe të njerëzve të besimeve të tjera fetare. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me personalitetin e tij të jashtëzakonshëm, në të cilin ndërthureshin bindja dhe forca e vullnetit me modestinë. Papa gjithmonë është përpjekur të krijojë bindjen se ekonomia është për njerëzit dhe jo njerëzit për ekonominë. E kjo është mëse e rëndësishme pikërisht sot në botën tonë të globalizuar, ku rezikon të humbasë një këndvështrim i tillë", theksoi kancelari Shrëder.

Kryetarja e opozitës kristjandemokrate, Angela Merkel, në fjalën e saj nënvizoi, se Papa Gjon Pali i II-të do të zerë një vend të përhershëm dhe mjaft të rëndësishëm në historinë e Evropës: "Bota ka humbur jo vetëm një figurë të madhe të historisë së kishës, por edhe një personalitet, vepra e të cilit do të zerë një vend të madh në historinë botërore. Sipas Merkel, veçanërisht gjermanët do ta kujtojnë gjithmonë me mirënjohje dhe respekt të madh Papën. Falë angazhimit të tij këmbëngulës, mundi të kapërcehet kontradikta më fortë mes Lindjes dhe Perëndimit", theksoi Merkel.