1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Optimizëm dhe lavdërime

Deutsche Welle27 Tetor 2005

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush takohet me kryeministrin e Maqedonisë, Vllado Buçkovski në Uashington

https://p.dw.com/p/Aqsr
Vllado Buçkovski
Vllado BuçkovskiFotografi: dpa

SHBA përshëndet përparimet e bëra nga Maqedonia dhe ato mbështesin këtë vend në përpjekjet për antarësimin e shpejtë në NATO. Kështu është shprehur presidenti i SHBA, Xhorxh Bush, në takimin me kryeministrin e Maqedonisë, Vllado Buçkovski në Uashington. Vizita u zhvillua me ftesë të presidentit të SHBA Xhorxh Bush. Ky i fundit vlerësoi rolin që luan Maqedonia në rajon si dhe përpjekjet e saj për përmbushjen e kriteve në rrugën drejt afrimit në NATO dhe në BE.

Xhorxh Bush bëri të qartë personalisht pozicionin e SHBA duke theksuar: "Përshëndes përparimet që keni bërë". SHBA vlerësojnë avancimin e reformave të nevojshme në Maqedoni për afrimin e vendit në NATO. Takimin që zgjati gjysmë ore u zhvillua në sallën ovale të pritjes në shtëpinë e bardhë. Bush dhe Buçkovski ishin të një mendimi, se antarësimi i Maqedonisë në NATO si dhe kandidatura e këtij vendi për në BE do të influencojnë në hapat që po bën i gjithë rajoni drejt Evropës.

Buçkovski shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për njohjen nga ana e SHBA të emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Buçkovski premtoi, se Maqedonia do të luajë një rol konstruktiv në Ballkan, veçanërisht tani kur Beogradi dhe Prishtina së bashku me bashkësinë ndërkombëtare do të nisin bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës.

Bush është i kënaqur nga mbështetja që ka dhënë Maqedonia në luftën globale kundër terrorizmit. Presidenti i SHBA, Bush vlerësoi gjithashtu procesin e zbatimit e marrëveshjes së Ohrit: "Me këtë Maqedonia i ka treguar botës, se si njerëzit e kulturave të ndryshme mund të bashkëjetojnë në paqe."

Delegacioni nga Maqedonia në Uashington pati edhe një takim me ministrin e mbrojtjes, Donald Ramsfeld. Buçkovski dhe Ramsfeld u shprehën optimistë se Maqedonia do të antarësohet në NATO deri në vitin 2008. Ramsfeld kujtoi, se vendimet në NATO nuk merren mbi bazën e gjykimit të një vendi të vetëm, por vendimet bazohen në një konsensus të gjerë midis antarëve.

Në takimin me Ramsfelldin Buçkovski kërkoi që në në deklaratën përfundimtare të samitit të NATO-s në vitin 2006 të konfirmohet antarësimi i ardhshëm i Maqedonisë në aleancën e Atlantikut verior. Ramsfeld e befasoi delegacionin e Maqedonisë me praninë e tij në inagurimin e ambasadës së Maqedonisë në SHBA. Me këtë ceremoni u mbyll vizita zyrtare e delegacionit qeveritar të Maqedonisë nën drejtimin e kryeministrit, Vllado Buçkovski në SHBA. Kryeministri maqedonas kthehet në atdhe duke pasur me vete edhe një top basketbolli me flamurin e Maqedonisë dhe të SHBA, një dhuratë kjo nga presidenti Bush. Ndërsa Buckovski i dhuroi Bushit një top basketbolli me firmat e tre kryeministrave të grupit të kartës së Adriatikut. Në këtë grup bëjnë pjesë Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia.