1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ora aktuale- Shrëder dhe Gasprom

Bernd Gresler16 Dhjetor 2005

Aktiviteti i ardhshëm i ish-kancelarit Gerhard Shrëder ishte dje (të enjten) në qendër të një debati në Bundestagun Gjerman. Unionistët kërkuan hartimin e një kodi nderi për ish-politikanë drejtues. Të Gjelbrit kërkuan nga Shrëderi që të heqë dorë nga marrja e postit në shoqërinë gazsjellëse gjermano-ruse.

https://p.dw.com/p/Aqh8
Ora aktuale në Bundestag.
Ora aktuale në Bundestag.Fotografi: AP


Në pro-të dhe kundra-t për planet e punësimit të ish-kancelarit Gerhard Shrëder të enjten u angazhua edhe Bundestagu. Liberalët opozitarë kërkuan mbajtjen e një të ashtuquajture orë aktuale, për ta paraqitur kritikën e tyre ndaj ish-kancelarit në Tribunën e Parlamentit.

Kryetari i fraksionit të liberalëve, Wolfgang Gerhardt e quajti mungesë instinkti që Shrëderi, pak javë pas ndarjes nga posti qeveritar kërkon të marrë postin e kryetarit të bordit mbikqyrës të një gazsjellësi gjermano-rus:

"Ish-kancelarit Gerhard Shrëder aq i bën për parimet, të cilat i ka mbrojtur si ish-kancelar me mbështetjen e fuqishme të socialdemokratëve."

Eksperti i ekonomisë i liberalëve, Rainer Brüderle ka rezerva politike kundër postit të Shrëderit në këtë projekt, ku vec sipërmarrjeve gjermane BASF dhe E.ON merr pjesë edhe gjiganti energjitik rus Gasprom:

"Gaspromi nuk është ndonjë ndërmarrje çfarëdo. Sipërmarrjet mediatike të parehatshme ai i blen menjëherë. Ose bihet dakord për çmime të ulëta gazi me Bjellorusinë, ku në fuqi është një diktator. Kemi të bëjmë me një pjesë të instrumentave të politikës ruse. Kemi një monopol shtetëror në Rusi, dhe atje shkon kancelari gjerman e zë postin e kryetarit të bordit mbikqyrës."

Shumë folës pranuan se angazhimi i Shrëderit nuk mund të kundërshtohet nga ana juridike, por nga ana morale është i diskutueshëm. Duhet menduar seriozisht për hartimin e një kodi nderi për anëtarët e qeverisë që nuk janë më në post.

Ashtu si liberalët e FDP-së, edhe të Gjelbrit dhe Partia e Majtë kërkuan nga ish-kancelari që të mos e pranojë këtë post. Politikani i Partisë së Majtë, Bodo Ramelov deklaroi se nevojiten rregulla transparentë midis politikës dhe ekonomisë dhe bëri një krahasim drastik:

"Skandali i mishit të prishur në Gjermani tregon se sa e nevojshme është që prej prodhimit deri në dërgimin e tij në supermarket të ekzistojë një prodhim transparent dhe të ketë kontrolle të përsëritura në të gjithë rrjetin. Për një rrjet të ngjashëm dhe të qartë na nevojitet ne politika gjermane."

Në Bundestagun, ku ndodheshin jo shumë deputetë, banka qeveritare ishte krejtësisht bosh kur filloi debati. Zëvendëskancelari Franc Myntefehring që u thirr të vinte, deklaroi se qeveria nuk ka krijuar ende një mendim përsa i përket kalimit të Shrëderit në ekonomi. Republika federale gjermane nuk mund të guxojë të caktojë se kush duhet të jetë në krye të sipërmarrjeve ndërkombëtare dhe kush jo. Personalisht, politikani socialdemokrat megjithatë e mbrojti Shrëderin:

"Mendimi im personal si Franc Myntefehring për këtë çështje është se Gerhard Shrëderi mund ta pranonte këtë ofertë që i kanë bërë dhe se unë jam i gëzuar që e ka bërë, sepse në këtë pozicion, për vendin dhe për Evropën mund të bëjë në të ardhmen punë të mirë strategjike. Sepse ky projekt është një projekt strategjik për të gjithë Evropën."

Vetë i prekuri nuk mori pjesë në debat. Gerhard Shrëderi u nda nga Bundestagu, menjëherë pas zgjedhjes së Angela Merkelit kancelare.

Shrëderi e ka mbështetur në mënyrë të fuqishme këtë projekt kur ka qenë në post, së bashku me presidentin e Rusisë, Putin. Gazsjellësi do të shtrihet që nga Rusia, nëpër Detin e Lindjes deri në bregdetin gjerman. Ndërtimi i degëzimeve tek konsumatorët në Finlandë, Suedi, Britani të Madhe dhe vende të tjera është i planifikuar. Polonia dhe shtetet balltike kritikojnë faktin që gazsjellësi nuk kalon përmes territorit të tyre.

Gazeta LEIPZIGER VOLKSZEITUNG informoi në numrin e së enjtes se Shrëderi do të fitojë në këtë post 1.5 milionë euro në vit. Nga ana tjetër, shefi i Gaspromit, Miller tha se për para as që është folur fare.