1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OSBE në Shqipëri nxit propozimet për sistemin elektoral dhe dialogun mes të gjitha partive

Arben Muka / Tiranë12 Mars 2008

Në debatin e nxehtë që po zhvillohet në Shqipëri për reformën zgjedhore ka ndërhyrë dhe përfaqësia e OSBE-së në Shqipëri, për të cilën dialogu dhe bashkëpunimi për reformen duhet të prekë të gjithë spektrin politik.

https://p.dw.com/p/DN9F
Zgjedhje 2007
Zgjedhje 2007Fotografi: DW

Shefi i përfaqësisë ambasadori Robert Bosch, nëpërmjet një deklarate që shpërndau për mediat thekson se institucioni i tij nxit "të gjitha partitë të debatojnë mbi propozimet dhe të arrijnë një marrëveshje ndërpartiake sa më të gjerë të mundshme, për një sistem zgjedhor që i përshtatet më mirë realitetit shqiptar".

Robert Bosch shprehu gatishmërinë se OSBE-ja në Shqipëri do të vazhdojë të sigurojë mbështetje teknike për parlamentin, "por janë aktorët politikë shqiptarë, ata që duhet të vendosin se si të ecin përpara."

Shefi i OSBE-së në Shqipëri ka vlerësuar propozimet që po paraqiten për reformën zgjedhore, duke shpresuar se ato do të miratohen me

konsensusin e të gjithë aktorëve politikë. Më herët komente për reformën zgjedhore, dhe pikërisht për propozimet e PS-së dhe të mbështetura nga PD-ja, ka bërë dhe presidenti i Republikës, Bamir Topi. Sipas Presidentit, dialogu duhet të vijojë "pa përjashtime dhe sipas këndvështrimit tim të institucionalizohet. Ka një komision për reformën dhe ai duhet ta çojë atë deri në fund. Të funksionojë e nuk duhet humbur kohë". Presidenti Bamir Topi bëri apel për kujdes: "Mirë është që gjërat të mendohen, të konsumohen brenda vullnetit të të gjitha partive politike dhe nëse nuk ka një marrëveshje absolute, të merret mendimi i përgjithshëm, sepse në fund fare

gjithmonë ka një vendimmarrje dhe vendimmarrja është mbi bazën e shumicës se vullneteve. Në mënyrë që partitë politike të gjejnë një vullnet harmonik, sepse zgjedhjet politike kanë të bëjnë me vullnetin e të gjithe shqiptarëve".

Ndërkohë partitë e vogla parlamentare janë duke kritikuar dy forcat kryesore PD dhe PS, që sipas tyre po e përdorin reformën zgjedhore vetëm për interesat politike të tyre, duke e deformuar procesin.