1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfaqësim i pamjaftueshëm - deputetët gjermanë me "sfond emigracioni"

1 Tetor 2009

Nga të 82 milionë qytetarët gjermanë rreth 15 milionë kanë "sfond emigracioni." Por prania e tyre nuk gjen pasqyrim në përbërjen e parlamentit të sapo zgjedhur. Përse është kështu?

https://p.dw.com/p/JvRt
Mjeku dhe kandidati socialdemokrat për deputet Ravindra Gujjula, me origjinë indiane, përpara posterit të tij elektoral në Altlandsberg, në lindje të Berlinit.
Mjeku dhe kandidati socialdemokrat për deputet Ravindra Gujjula, me origjinë indiane, përpara posterit të tij elektoral në Altlandsberg, në lindje të Berlinit.Fotografi: dpa

N.q.s. njerëzit me "sfond emigracioni" do të ishin të përfaqësuar në mënyrë adekuate në parlament, atëherë më shumë se 100 deputetë duhej të ishin me prejardhje të huaj. Por ata janë vetëm 15! Pesë prej tyre kanë origjinë turke, katër vijnë nga familje, që kanë prejardhje iraniane. Përveç kësaj, në historitë e familjeve të gjashtë deputetëve të tjerë gjenden rrënjë polake dhe kroate. Të dy milionë e gjysëm të riatdhesuarit nuk prezantohen me asnjë deputet në parlamentin gjerman.

Serkan Tëren është deputet i partisë liberale FDP në parlament. Ai dëshiron të realizojë barazinë ligjore për njerëzit me sfond migracioni.

Serkan Tören, deputet në Bundestag i Demokratëve të Lire (FDP).
Serkan Tören, deputet në Bundestag i Demokratëve të Lire (FDP).Fotografi: FDP

"Po të shohim njerëzit me origjinë turke, ka shumë rëndësi që atyre t'u mundësohen të njëjtat të drejta. Të njëjtat të drejta në shkollë, në arsimim. Arsimimi është shumë i rëndësishëm për fëmijët tanë. Ne duhet t'i kushtojmë shumë vemendje edhe arsimit parashkollor. Qeveritë e mëparshme nuk kanë bërë punë të madhe në këtë pikë. Këtë do ta vendosim në plan të parë."

Krahasuar me parlamentin e kaluar, në Bundestagun e 17-të gjerman të dielën (27.9.) u zgjodhën relativisht shumë njerëz me sfond migracioni, megjithatë sipas mendimit të politologut nga Mannheim-i, Andreas Wüst, ata janë shumë pak. Tek CDU-ja migrantët muslimanë i tremb shpesh "C"-ja – pra karakteri i krishterë i partisë. Përveç kësaj, debati për nënshtetësinë e dyfishtë i ka mbajtur shumë njerëz me origjinë të huaj larg unionit.

Mosbesimi ndaj qeverisë kristiandemokrate-liberale është tipik për shumë deputetë me prejardhje të huaj. Ekin Deligëz përfaqëson të gjelbrit në parlament dhe pret debate të ashpra me qeverinë e re.

"Mendoj se politika e unionit dhe e liberalëve do t'i lërë pësëri mënjanë disa tema, tek të cilat ne kishim vënë theksin. Kjo do të ndjehet natyrisht edhe në politikën ndaj të huajve. Prandaj qëllimi im është t'i kundërvihem këtij regresi, për t'i bërë të pranishëm zërat e të huajve këtu, nga ana tjetër të realizojmë edhe disa gjëra për të ardhmen e fëmijëve tanë."

Partitë gjermanë e kanë të vështirë që ta pasqyrojnë në personel transformimin e shoqërisë gjermane. Kjo për faktin, se baza e partisë nuk i mbështet kandidatët e "huaj" dhe se strategët e partive, e nënvlerësojnë potencialin e zgjedhësve, që prezantohet nga njerëzit me rrënjë të tjera kulturore, mendojnë vëzhguesit.

Kryetari i të gjelbërve gjermanë (Bündnis 90/Die Grünen), Cem Özdemir.
Kryetari i të gjelbërve gjermanë (Bündnis 90/Die Grünen), Cem Özdemir.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Dikur shumica e turqve, që jetojnë në Gjermani, ishin elektorat i PSD-së, sot edhe ata presin që t'i fitosh si zgjedhës. Ndërkohë ata janë të hapur edhe për parti të tjera . Por presin më kot. Nëse lihet mënjanë politikani i gjelbër Cem Özdemir, asnjë politikan tjetër me sfond emigracioni nuk ka ndonjë post drejtues politik. Fakti që në skenën politike dalin kaq pak politikane dhe politikanë me prejardhje të huaj, sipas një studimi të institutit Max-Planck të vitit 2008, ka të bëjë në rradhë të parë me klimën shoqërore, që nuk i kushton vemendjen e duhur të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët. Përveç kësaj përgjegjës është edhe qëndrimi indiferent deri refuzues i partive të mëdha. Vetëm të gjelbrit dhe partia e majtë janë angazhuar pa rezerva për përfshirjen e politikaneve dhe politikanëve të huaj.

Për partitë e mëdha është e dëshërueshme që të kenë në radhët e veta këtë apo atë të emigrant, por ata nuk bëjnë përpjekje që këtë dëshirë ta kthejnë në realitet. Studiuesit e institutit Max-Planck konsiderojnë si faktorë pengues "strukturat e pushtetit të krijuara prej kohësh, koloritin lokal dhe frikërat nga reagimet negative të elektoratit ndaj kandidateve dhe kandidatëve të tillë."

Autor: Matthias von Hellfeld / Angelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani