1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Komisionin Europian, Shqipëria nuk e kaloi provën e zgjedhjeve

Viron Gjymshana20 Shkurt 2007

Kristina Nagy, zëdhënëse e komisionerit përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi se klasa politike shqiptare duhet të punojë bashkarisht për të tejkaluar problemet e vëna re edhe gjatë këtyre zgjedhjeve

https://p.dw.com/p/ArYN
Posterat e kandidatëve, Tiranë 2007
Posterat e kandidatëve, Tiranë 2007Fotografi: DW

Bashkimi Europian nuk duket shumë entuziast nga mënyra e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. Pas komisionerit përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn si dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së Havier Solana, ishte Kristina Nagy, zëdhënëse në Komisionin Europian që u tregua shumë e kursyer në komentet e saj ndaj mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet e së dielës në Shqipëri.

Pa anashkaluar dukuritë pozitive të vëna re gjatë këtij procesi, Nagy e vuri më shumë theksin në nevojën e realizimit të plotë të kritereve demokratike që BE-ja pret dhe kërkon nga klasa politike shqiptare. Aq më shumë që Bashkimi Europian e kishte lidhur dhe kushtëzuar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve me afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE-në. Por zëdhënësja e Komisionit Europian e bëri të qartë më me forcë atë që para saj e kishin theksuar edhe Solana edhe Rehn.


Deri më tani Bashkimi Europian kishte mbajtur ndaj zgjedhjeve në Shqipëri një qëndrim të dyzuar që mund të përmblidhje me tog fjalëshin: "zgjedhje me probleme, por të pranueshme për nivelin e Shqipërisë". Por ky qëndrim tashmë duket se ka ndryshuar rrënjësisht. Shqipëria ka nënshkruar tashmë Marrëveshjen e Asocim - Stabilitetit me BE-në dhe e ka bërë të qartë se synimi i saj përfundimtar dhe afafgjatë do të jetë integrimi i saj i plotë në BE. Në këto kushte Bashkimi Europian nuk mund të tolerojë më shkeljen e kritereve bazë të demokracisë në një vend që pretendon të pranohet si vend kandidat për anëtarësim. Prandaj Komisioni Europian e bëri të qartë edhe një herë tjetër se pret përmbushjen e plotë të kritereve demokratike të mbarëvajtjes së zgjedhjeve.

Por një qëndrim i tillë nuk mbahet enkas dhe vetëm ndaj Shqipërisë. Edhe Serbia, për arsye krejt të tjera, ndodhet para një presioni të fortë nga ana e Bashkimit Europian. Ishte po Kristina Nagy që në po të njëjtën kohë e bëri të qartë se afrimi i Serbisë me BE-në varet kryekëput dhe tërësisht nga bashkëpunimi i plotë i Beogradit me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Prandaj mund të thuhet se si për Tiranën dhe Beogradin Bashkimi Europian do të tregohet tashmë rigoroz dhe i përpiktë deri në fund.