1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Merkelin marrëdhëniet me Izraelin tepër të rëndësishme

LA13 Shkurt 2008

Të përditshmet gjermane komentojnë bisedimet që kryeministri Olmert zhvilloi në Berlin me kancelaren Merkel

https://p.dw.com/p/D6fJ
Fotografi: dpa

Gazeta "Ostthüringer Zeitung" e Gerës mban qëndrim kritik ndaj zgjidhjes ushtarake që preferon Olmerti:

Njoftimi për zgjerim të ri të ngulimeve izraelite hedh hije mbi takimet bilaterale të Olmertit në Berlin, ku ai siguroi se do t'i vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore me presidentin Abas. Si mund të kombinohen këto? Olmert nga ana tjetër preferon zgjidhjen ushtarake në çështjen e Hamasit dhe të Rripit të Gazës. Dhe ai mund të kishte shumë arsye të provonte tone të tjera sidomos pas deftesës negative që i dha Olmertit komisioni për luftën në Liban. Sulmi i vazhdueshëm me raketa i fshtrave dhe qyteteve izraelite kërkon sigurisht shpagimin ushtarak, por me këtë rrugë asnjëherë deri më sot nuk ka marrë fund spiralja e dhunës.

Ndërsa "Dresdner Neueste Nachrichten" vë theksin tek përgjegjësia historike e Gjermanisë ndaj Izraelit

Fakti që Angela Merkel në drekën me Ehud Olmert la të servirej verë izraelite nuk ishte vetëm përpjekje për të rënë sy për mirë, por edhe gjest respekti. Gjermania për shkak të fajit historik ka një përgjegjësi të veçantë kundrejt shtetit hebre. Por problemet që Ehud Olmerti solli me vete nuk ikën edhe pas verës së mirë. është e qartë që Tel Avivi ndjehet i kërcënuar nga programi atomik iranian. Në këtë pikë Angela Merkel e prishi atmosferën e verës, me atë që nuk e përkrahu idenë e Olmertit për një sulm ushtarak kundër Teheranit, por me vazhdimin e përpjekjeve diplomatike.

"Berliner Morgenpost" fokusohet tek marrëdhëniet me Gjermanisë dhe Izraelit

"Nuk është sekret që për kancelaren gjermane është tepër e rëndësishme marrëdhënia gjermano-izraelite. Pas një serie takimesh me kryeministrin izraelit ajo tregohet e vendosur të ngrejë në një nivel të ri marrëdhëniet gjermano-izraelite. Kështu në të ardhmen do të ketë kosultime të rregullta mes kabinetit të Berlinit dhe Jeruzalemit . Përveç kësaj ANgela Merkel po kërkon një koordinator për marrëdhëniet gjermano-izraelite. Partneritetin me Izraelin ajo e vendos në nivelin e marrëdhënieve si me Shtetet e Bashkuara, Francën, Poloninë, Rusinë, Rusinë. Për Berlinin është e rëndësihme që të përmirësojë marrëdhëniet me demokracinë e vetme dhe shtetin e vetëm perëndimor në Lindjen e Mesme. Sa më e ngushtë të jetë kjo marrëdhënie, aq më i hapur do të jetë edhe Izraeli ndaj propozimeve të Berlinit.