1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia voton për një parlament të ri

Cornelia Rabitz1 Dhjetor 2007

Rreth 107 milionë rusë janë thirrur këtë fundjavë në b Rusi që të japin votën e tyre për parlamentin e ri rus (Duma). Sipas ekpertëve votimi konsiderohet më tepër si një referendum për presidentin Vladimir Putin

https://p.dw.com/p/CVcE
Putini gjatë një fjalimi para kombit në televizionFotografi: AP

Vëzhguesit kritikë janë të bindur se rezultati i zgjedhjeve është caktuar me kohë. Këtë e tregoi edhe mënyra se si u zhvillua fushata elektorale: As që mund të bëhet fjalë për zgjedhje të lira dhe të drejta, mendon politikani liberal gjerman, Volfgang Gerhardt: "Dallohet shumë qartë që opozitës nuk i jepet liria për t'u shprehur dhe se kushtet nuk janë të njëjta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje", gjykon drejtuesi i fondacionit "Friedrich Naumann" në Berlin.

Kjo është arsyeja se përse disa opozitarë nuk kanë ndër mend të shkojnë në votime. Njëri prej tyre është ish kryeministri Mihail Kasjanov: "Unë me familjen dhe miqtë e mi nuk do të marrim pjesë në këtë imitim që është përgatitur për ne dhe për të gjithë qytetarët rusë. Për shumë vetë duket hapur, që këto të ashtuquajtura zgjedhje janë vetëm një imitim i një procesi demokratik. Pjesëmarrja në to është e dëmshme për të ardhmen e vendit", thotë Kasjanov.

Në zgjedhje janë lejuar të marrin pjesë 11 parti, por vetëm katër prej tyre kanë ndonjë shans për të hyrë në Duma/n 450/vendëshe. Në krye të listës është “Rusia e bashkuar" me kandidatin e saj kryesor, presidentin Vladimir Putin, i cili që tani e ka një shumicë të bollshme në parlament. Kjo siguri u ndje edhe gjatë fushatës elektorale. Pothuajse mungonin tërësisht deklaratat programatike, gjithandej citohej vetëm presidenti. Qëllimi i partisë është vetëm që të ruajë pushtetin e Vladimir Putinit për ta shpallur atë "udhëheqës kombëtar".

Edhe partia “Rusi e drejtë" me kryetarin e saj Sergej Mironov e mbështet presidentin. Ajo e përshkruan veten si të majtë dhe sociale. Qëllimi i saj është që të mbledhë sa më shumë zgjedhësa komunistë në kampin e partive të Kremlinit, gjë, që sipas anketimeve aktuale duket se nuk do të jetë kaq e lehtë. Sepse komunistët e Genadij Sjuganovit, të cilët deri tani përbënte fraksionin parlamentar të dytë për nga madhësia, megjithëse vuajnë nga mbiplakja dhe pakësimi i antarëve, posedojnë një potencial të qendrueshëm prej 10 për qind.

E paqartë është se a do ta kapërcejë barrierën prej 7 për qind e ashtuquajtura Parti Liberldemokratike, e cila ka mbledhur populistët djathtistë të Vladimir Shirinovskijt. Në klientelën e saj bëjnë pjesë nacionalistët që nuk duan të shkojnë në votime në shenjë proteste. Në parlamentin e deritanishëm kjo parti ka votuar gjithmonë sipas dëshirës së Kremlinit, kundrejt një pagese të mirë, siç përshpëritej. Një nga krerët kryesorë në listën e kësaj partie çuditërisht është bërë Andrej Lugovoj, i cili akuzohet nga drejtësia britanike për dorasi në helmimin e ish-bashkëpuntorit të KGB-së, Aleksandër Litivinjienkos.

Nga partitë e mirëfillta opozitare asnjëra nuk ka shans të hyjë në parlament. Krahas grindjeve që ekzistojnë mes grupeve të tyre, ka edhe shkaqe të tjera. Për shembull, ashpërsimi i ligjit për krijimin e partive, me anë të të cilit Kremlini e ka vështirësuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Shkak tjetër është edhe zvogëlimi i vazhdueshëm i prezencës së këtyre partive në mediat shtetërore, që shtrihen në të gjithë vendin, si edhe një raportim i njëanshëm për partitë që kritikojnë Kremlinin.

Zgjedhjet në Rusi janë nën hijen e zgjedhjeve presidenciale në mars 2008, që do të vendosin për pasardhësin e Putinit. Që kur ky bëri të njohur kandidaturën e tij për “Rusinë e Bashkuar", Putini është inskenuar vazhdimisht si "babai i kombit". Volfgang Gerhardt shtron pyetjen, se "a mund të lidhen zgjedhjet parlamentare kaq shumë me fatin e një personi të vetëm?"

Por një gjë nuk mund të parashikohet qartë: Çfarë mund të bëjë Putini me këtë fitore të fuqishme që pritet të dalë nga zgjedhjet parlamentare. Shkencëtarja Lilja Shevzova nga Qendra e studimeve Carnegie në Moskë i lë të hapura të gjitha mundësitë: "Ai mund të japë edhe dorëheqje dhe të niset për një udhëtim rreth botës në një anije me vela."