1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përbërja e Komisionit të ri Evropian

Bernd Riegert4 Nëntor 2004

Fillon në Bruksel samiti i vjeshtës i Bashkimit Evropian

https://p.dw.com/p/ArFu
Nga samiti i BE-së në Bruksel; Jan Peter Balkenende und Romano Prodi
Nga samiti i BE-së në Bruksel; Jan Peter Balkenende und Romano ProdiFotografi: AP

Presidenti i ri i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, i cili dështoi javën e kaluar në parlament me propozimin e vet mbi personelin mund ta ndreqë sot gabimin. Barroso po punon nën tension të lartë për t'iu paraqitur 25 krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian një listë të re me 24 komisionerë, e bashkërenduar ngushtë kjo me fraksionet kritike në parlament. Kjo u pohua nga zëdhënësja e Barrosos Pia Ahrenkilde:

"Ka kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit e parlamentit. Për çastin nuk mund të them më shumë lidhur me këtë."

Pengesën më të madhe e kishte hequr mënjanë në fundjavë kryeministri italian Silvio Berlusconi, duke e shtyrë ultrakonservatorin Rocco Buttiglione që të jepte dorëheqjen. Parashikohet që Buttiglione, i cili ishte edhe shkëndija e krizës, të zëvendësohet nga ministri i jashtëm aktual Franco Frattini. Letonia po ashtu e plotësoi dëshirën e Barrosos dhe e tërhoqi të diskutueshmen Ingrida Udre. Në vend të saj komisioner leton në BE do të bëhet ish-ministri i financave Andris Piebalgs. Megjithatë Hungaria nuk e ndryshon kandidatin Laszlo Kovacs, të cilin parlamentarët e akuzojnë për paaftësi në portofolin e energjitikës. Edhe Hollanda kërkon të miratohet me çdo kusht kandidatja e saj Neelie Kroes si drejtuese e entit të karteleve, siç e bëri të qartë ministri i jashtëm Bernard Bot:

"Vetëm mund të them që Hollanda e mbështet plotësisht kandidaten e vet. Nuk kam kurrfarë dyshimi në konfirmimin e saj."

Neelie Kroes u akuzua nga parlamenti, se nuk ishte e pavarur sa duhej për arsye të veprimtarisë së saj në ekonomi. Presidenti i parlamentit Josep Borell paralajmëroi, se kryetarët e fraksioneve të parlamentit duan ta shqyrtojnë paketën e personelit, e cila mendohet të përmbajë edhe disa këmbime portofolesh, që të premten ose të shtunën. Komisioneri i ardhshëm për politikën industriale Günther Verheugen beson, se tani do të ketë një zgjidhje të shpejtë në rast se nuk del njeri kundër gjatë takimit të nivelit të lartë:

"Ndaj mendoj, se vendimtare në këtë çast është që presidenti i komisionit të marë mbështetjen që i duhet prej krerëve të shteteve dhe të qeverive. Kjo do të thotë që kur duhet të merren vendime nga krerët e shteteve dhe të qeverive, të merren me shpejtësi dhe të jenë bindëse."

Komisioni i ri mund të fillojë nga detyra pas seancave të reja të dëgjimit më 1 janar, me dy muaj vonesë.

Krerët e shteteve dhe të qeverive duhet të merren me synimin ambicioz, që ia kishin vënë vetes në vitin 2000 dhe që duhet të përmbushej në vitin 2010. Në të ashtuquajturën Strategji të Lisbonës ata përcaktojnë që Evropa të bëhet hapësira ekonomike më dinamike në botë duke i kaluar SHBA, por pas gjysmës së kohës bilanci i reformave është diziluzionues, shumë shpesh vendet anëtare nuk i kanë përmbushur premtimet e dhëna.