1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përbindësh apo partner?

Sandra Petersmann23 Janar 2007

Hija e samitit të G8-ës bie mbi forumin social botëror në Nairobi

https://p.dw.com/p/ArJd
Pamje nga forumi social botëror që po mbahet në Nairobi
Pamje nga forumi social botëror që po mbahet në NairobiFotografi: AP

Temë që përsëritet në forumin e shtatë social botëror, që mbahet në kryeqytetin e Kenias Nairobi dhe ku marrin pjesë rreth 50.000 pjesëmarrës nga të gjitha kontinentet, është tema e samitit të afërt i G8-ës e cila do të zhvillohet në Gjermani në qershor. Pa dallim, qoftë fjala për seminaret dhe raundet e diskutimit mbi çështjet e ujit, energjive të ripërtëritshme, të drejtat e grave, luftën dhe paqen, sistemin botëror financiar apo shfrytëzimin e lëndëve të para natyrore, herët a vonë përmendet emri G8 - i klubit të ekonomive më të mëdha kombëtare dhe Rusisë, i cili në fakt nuk është më aktual, sepse pjesë e tij nuk është për shembull Kina, si fuqi ekonomike. Disa prej kritikëve të globalizimit e bëjnë G8-ën përgjegjëse për të gjitha të këqijat e globalizimit, të tjerët i bëjnë apel arsyes së fuqive në klub.

Rathindra Roy nga India kërcet gishtat dhe kështu bën edhe publiku. "Çdo tri sekonda vdes një fëmijë në botë, çdo herë që kërcisni gishtat keni humbur një fëmijë."

Indiani Roy bën përgjegjës për këtë raportet sunduese politiko-ekonomike. "Sikur të isha G8-a, atëherë do ti bëja vetes pyetjen ç'mund të bëj unë për botën dhe jo ç'mund të bëjë bota për mua. Kur je kaq i fuqishëm ke edhe privilegjin, të vendosësh për fatin e të tjerëve. Por të mendosh vetëm për veten kur ka kaq shumë mjerim, kjo vetëm e keqëson imazhin e G8-ës."

Vanda Shiva argumenton në mënyrë më radikale. Shkrimtarja dhe veprimtarja ekologjiste e njohur indiane është, që prej forumit të parë social botëror në 2001 në Porto Alegre të Brazilit njëra prej yjeve anëtare të lëvizjes kundër globalizimit. Vandana Shiva e konsideron G8-ën jodemokratike, amorale dhe të rrezikshme.

"Le të mbajmë për një çast frymën dhe të mendojmë për 15 vitet e tregtisë së lirë botërore, 10 vitet Organizatë Botërore e Tregtisë (OBT) dhe programet e përshtatjes strukturore. Shihni se sa më shumë dhunë ka sot në botë. Shihni se sa ekstremizëm dhe terrorizëm është shtuar sot në botë, sa emëtim dioksid karboni është shtuar dhe sa ka ndryshuar klima. Le të shohim me kujdes gjurmët që ka lënë këmba e këtij përbindëshi që në muajin qershor të themi në Gjermani: përbindëshi ka nevojë për më shumë ushqim, në mënyrë që të shtypë edhe më shumë jetë."

Por cila është alternativa ndaj G8-ës për botën, pa OBT, pa Bankë Botërore dhe pa Fond Monetar Ndërkombëtar? Vandana Shiva beson tek vullneti i mirë dhe të fuqia e shoqërisë civile globale.

"Ne nuk duhet të supozojmë që ekonomia përfundon detyrimisht në makutëri dhe përqëndrim. Le të pranojmë faktin që ekonomitë më të mira kombëtare që luftojnë me sukses varfërinë mbështeten në shfrytëzimin me të drejta të barabarta të të gjitha burimeve dhe në një demokraci participative. Këto janë alternativa realiste ndaj modelit të tregit të lirë të G8-ës dhe OBT-së. Planeti nuk mund t' tolerojë më gjatë këta plaçkitës."

Por shumë pjesëmarrës të tjerë të drejtën e ekzistencës së G8-ës dhe nuk duan që ajo të zhduket. Ata kërkojnë prej saj një politikë më transparente dhe syhapur.